Franko Lerda e ka nisur me një humbje të thellë aventurën e tij si trajner i Partizanit, duke u mundur me rezultatin 5-1 nga Sarajevo në testin e parë miqësor.
Të kuqtë e pësuan shumë shpejt golin e parë ku në minutën e 7 erdhi goli i avantazhit, ndërkohë që në fundin e pjesës së parë u shënuan edhe 3 gola të tjerë.
Në pjesën e dytë, Lerda ka bërë disa ndryshime në formacion duke provuar edhe lojtarë të rinj. Ka qenë Mensah ai që ka shënuar golin e nderit për Partizanin pak minuta pasi ka hyrë në fushë ndërkohë që Sarajevo e ka vulosur fitoren e thellë 2 minuta para fundit të takimit.
Afrimi më i bujshëm i merkatos së verës, padyshim ishte ai i Uilliam Kordeiros i cili ashtu si te Kukësi, është konfirmuar sërish si sulmues i majtë duke e spostuar Esat Malën në mesfushor të majtë. Sakaq, në qendër të mbrojtjes ishin Bitri dhe Belica.
Maja e sulmit iu besua njeriut që u kthye protagonist në javët e fundit. Erald Çinari ka lënë në stol Jurgen Bardhi dhe u ndihmua në krah nga Asani dhe Kordeiro.
Partizani-Sarajevo 1-5
Shënues: 75’Mensah/ 7′, 45’Tatar, 39’Ahmetoviç, 45+1’Shishiç, 88’Mustafiç