Polumbarët e RENEA-s në bashkëpunim me Policinë Kufitare dhe atë të rendit, pas shumë orësh kërkime kanë gjetur trupin e pajetë të 31-vjeçarit të zhdukur një ditë më parë në plazhin e Currilave.
Paraprakisht, dyshohet se viktima Doland Molla të jetë mbytur për shkak të rrymave detare që kanë përfshirë ditën e djeshme Gjirin e Durrësit.
Molla kishte shkuar në plazh së bashku me shokët, ndërsa tentativa për t’u larë rezultoi fatale për jetën e tij.
31-vjeçari nga Skrapari është viktima e 3 që shënohet në bregdetin e Durrësit, brenda muajit qershor, ndërsa kullat e vrojtimit vijojnë të mos jenë funksionale dhe të pranishme në pothujse pjesën më të madhe të plazheve.