Gjonaj: Më 1 korrik, të fokusohemi te projektet e së ardhmes, votë për forcimin e institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit dhe fuqizimin e reformës në drejtësi

30 Qershor 2019, 15:45Politika TEMA

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj ka votuar sot në Tiranë.

Në një mesazh të shkurtër për qytetarët, ajo shprehet se sot përmes votës shqiptarët nuk zgjedhin veç për administrimin e pushtetit vendor por edhe për fuqizimin e institucioneve demokratike apo funksionimit të reformës në drejtësi.

Ndër të tjera Gjonaj shprehet:

“Këto nuk janë thjesht zgjedhje vendore, por një vendim i rëndësishëm në dorë të qytetarëve të cilëve u takon të vendosin: Ose minim të institucioneve duke u kthyer mbrapa, ose çlirim të tyre duke nxituar para. Nuk ka më kohë, ne na nevojitet kjo e fundit për të vrapuar drejt aspiratave tona. Është e nevojshme që përmes votës qytetare, të përcjellim mesazhin e dakortësisë se jemi gati për forcimin e institucioneve demokratike, zbatimin e ligjit dhe rindërtimin e plotë të “shtëpisë” së re të drejtësisë e cila po transformohet çdo ditë nga forca e reformave”, shprehet Gjonaj.

Sa i përket gjendjes së votimeve në burgje, Gjonaj siguron se deri më tani procesi është i qetë në të gjitha institucionet e vuajtjes së dënimit.

“Deri tani jam e kënaqur që Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve dhe institucionet e tjera në varësi të Ministrisë së Drejtësisë, janë në gatishmëri të plotë dhe po bëhet maksimumi për të garantuar një proces të qetë dhe demokratik në hapësirat ku ne kemi përgjegjësinë.

Votim të mbarë! Uroj që më 1 korrik, të fshijmë nga kujtesa tensionet politike të së shkuarës dhe të fokusohemi te projektet e frytshme të së ardhmes, për ligjin, drejtësinë dhe atdheun që duam”, përfundon Gjonaj. (TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje