Përkundër dilemave dhe shqetësimeve që i paraprinë ditës së sotme, procesi i votimit për zgjedhjet vendore u zhvillua normalisht.
Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se në shkallë vendi rezulton se numri i përgjithshëm i çështjeve të regjistruara për vepra penale që prekin zgjedhjet e lira në funksion të fushatës së zgjedhjeve vendore të datës 30 qershor 2019, është gjithsej 3 procedime penale me 2 persona të arrestuar.
Më konkretisht:
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Durrës, ka regjistruar 1 (një) procedim penal në ngarkim të 1(një) personi të arrestuar, i dyshuar për kryerjen e veprave penale të “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, si dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, të parashikuara nga nenet 326/a/1, 329/2 dhe 278/1 të Kodit Penal. Akoma nuk është dhënë masa e sigurimit nga gjykata.
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë, më datë 30 Qershor 2019 ka regjistruar, 1 (një) procedim penal në ngarkim të 1(një) personi të arrestuar, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, mbetur në tentativë, parashikuar nga neni 326/a/1-22 i Kodit Penal. Akoma nuk është dhënë masa e sigurimit nga gjykata.
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Mat, ka regjistruar 1(një) procedim penal pa autor, për veprën penale të “Shkatërrimit të pronës me eksploziv”, parashikuar nga nenei 152 i Kodit Penal, pasi rreth orës 00:30, në njërën nga klasat e shkollës ku ishte caktuar një qendër votimi, është hedhur një sasi e dyshuar si lëndë eksplozive.
Kurse, Prokuroritë e tjera pranë Gjykatave të Rretheve Gjyqësore si dhe Prokuroria e Krimeve të Rënda kanë njoftuar se deri në këto momente nuk kanë të regjistruar procedime penale lidhur me veprat penale që prekin zgjedhjet e lira dhe çdo shkelje që lidhen me zgjedhjet e 30 qershorit.