Paradoksi i Francës: Pas protestave masive kundër pabarazisë, të pasurit bëhen akoma më të pasur

1 Korrik 2019, 16:44Bota TEMA

Gjysma e parë e vitit 2019 vijoi atë që kishte nisur në fund të vitit të shkuar: mijëra protestues që mbushën rrugët e me kërkesat për rritje rrogash dhe pensionesh, në një kohë që pabarazia sa vjen e rritet. Por për njerëzit më të pasur të kombit, gjashtë muajt e parë të këtij viti kanë qenë fitimprurës.

Katërmbëdhjetë francezët më të pasur në listën me 500 të tillë që “Bloomberg” harton çdo vit, arritën të shtonin një pasuri në total prej 78 miliardë dollarë që nga 31 dhjetori i vitit të kaluar, pra një rritje prej 35%.

Kjo është më shumë se dyfishi i ritmit me të cilin u pasuruan miliarderët e Kinës (17%), dhe ata të SHBA-ve (15%). Në një masë të përafërt me miliarderët francezë janë pasuruar ata të Azisë, me tajlandezët në krye (33%), pasuar nga miliarderët e Singaporit (31%) dhe japonezët (24%).

I vetmi miliarder i shkëputur nga të tjerët është nigeriani Aliko Dangote, pasuria e të cilit është rritur me 60%, duke arritur në 16.8 miliardë dollarë këtë vit.

Titanët francezë të luksit, Bernard Arnault, dhe Francois Pinault dhe trashëgimtarja e perandorisë së kozmetikës Francoise Bettencourt Meyers janë në krye të listës së më të pasurve të Francës, me një pasuri totale 53 miliardë dollarë. Kërkesa për mallrat luksoze nga Kina ka mbetur e qëndrueshme, pavarësisht pasigurisë që e ka origjinën në mosmarrëveshjen tregtare të kinezëve, në një kohë që aksionet amerikane të LVMH të Arnault, janë rritur 45% këtë vit, performanca e dytë më e mirë në Indeksin CAC 40 të Francës. Fitimet e bënë atë një multimiliarder muajin e kaluar, kur iu bashkua Jeff Bezos-it dhe Bill Gates-it si të vetmit njerëz me pasuri personale të paktën 100 miliardë dollarë.

Suksesi i Tajlandës mund t’i atribuohet kryesisht Charoen Sirivadhanabhakdi, themelues dhe kryetar i Grupit TCC, një konglomerat i pijeve dhe pasurive të patundshme, dhe Sarath Ratanavadi, aksioneri kryesor dhe shefi ekzekutiv i Gulf Energy Development Pcl.

Vlera neto e Sirivadhanabhakdit u rrit me 4 miliardë dollarë në 16.5 miliardë dollarë, ndërkohë që aksionet e grupit të tij Thai Beverage Pcl u rritën 38%. Ai synon të zgjerojë perandorinë e tij përtej birrës dhe uiskit në ekonominë e dytë më të madhe të Azisë Juglindore.

Ratanavadi shtoi 2.3 miliardë dollarë, ndërsa basti i tij për biznesin në Vietnam ka filluar të sjellë fitimet e para. Aksionet e Energjisë së Gjirit, të listuara në Bangkok, u rritën me 51% këtë vit. / Bloomberg-TemA TV / 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje