ANALIZA: Pse duhet të heqë dorë Europa, nga FMN?!

16 Korrik 2019, 20:44Ekonomia TEMA

Nga Thorsten Benner*

Të mërkurën, liderët europianë pritet të bëjnë përpjekje për të mbajtur Fondin Monetar Ndërkombëtar në duart europiane.

Kur ministrat e financave të G7 të mblidhen në Francë, vendet e BE-së ka gjasa të zbulojnë kandidatin e tyre që do të pasojë shefen e fondit, Christine Lagarde, kur ajo të bëhet president e Bankës Qendrore Europiane këtë vjeshtë.

Ky do të ishte një gabim i rëndë. Europa duhet të heqë dorë nga pretendimet e përhershme rreth pozitave të FMN-së, për të mirën e saj.

Këmbëngulja mbi të drejtën për të emëruar shefin e Fondit është një privilegj pa asnjë lidhje me mënyrën se si Bashkimi Europian do të donte të shihej në mbarë botën.

Anëtarët e BE do të bënin më mirë të mbështesnin një proces të hapur kërkimi për një lider jo-europian si kreu i ardhshëm i FMN-së.

Pas disa cikleve, europianët e kualifikuar mund të aplikojnë përsëri.

Të gjithë 11 drejtuesit menaxhues të FMN-së që nga viti 1946, kanë ardhur nga Europa.

Ky është rezultat i një marrëveshjeje transatlantike e cila i garantoi SHBA-së një çelës për udhëheqjen e Bankës Botërore.

Në fillim të këtij muaji, Franca dhe Gjermania e mbrojtën pretendimin e BE-së për postin e lartë të FMN.

“Është në interes të Europës që të mbajë udhëheqjen e FMN”, deklaroi ministri francez i Financave, Bruno Le Maire.

Le Maire nxiti një marrëveshje të shpejtë për një kandidat të vetëm të BE-së “pa rivalitete të padobishme”.

Kancelarja gjermane, Angela Merkel, i bëri jehonë qëndrimit francez se “ka një kërkesë europiane për të emëruar përsëri presidentin e FMN-së.”

Dhe ajo u shfaq plot vendosmëri për të mbrojtur fuqishëm privilegjin e Europës:

“Bota ka ndryshuar, kështu që ne do të duhet të luftojmë për këtë”.

Ishte një shfaqje e rrallë dhe vendimtare e unitetit franko-gjerman, që ka arritur të tërheqë anëtarë të tjerë të BE-së të mblidhen së bashku.

Fatkeqësisht është për shkakun e gabuar.

Përsëritja e kërkesës në lidhje me FMN zbeh kredibilitetin europian, si promovim i një rendi të drejtë shumëpalësh.

Dhjetë vjet më parë, në samitin e G20 në Londër, Europa dhe SHBA u pajtuan që “krerët dhe udhëheqja e lartë e institucioneve financiare ndërkombëtare duhet të emërohen përmes një procesi të hapur, transparent dhe të bazuar në merita”.

Kjo reflektonte një shqetësim të fortë nga fuqitë jo-perëndimore mbi privilegjet e viteve 1940, që janë jashtë kontaktit me realitetet e sotme.

Prej dekadës së atëhershme, SHBA dhe Europa e kanë thyer këtë premtim herë pas here.

Në vitin 2011, Europa vendosi Christine Lagarde si kryetare të FMN-së dhe siguroi rizgjedhjen e saj në vitin 2016.

SHBA, nga ana tjetër, ka insistuar në emërimin e shefit të Bankës Botërore.

Në fillim të këtij viti, kur Jim Yong Kim njoftoi dorëheqjen e tij si president i Bankës Botërore, administrata Trump nuk e hodhi poshtë këtë vendim dhe vendosi David Malpass, një ekzekutiv i Thesarit në SHBA, në krye të institucionit.

Pse duhet të kujdesen europianët për një premtim 10-vjeçar në një botë të dominuar nga udhëheqës të pamëshirshëm, siç janë presidenti i SHBA, Donald Trump, presidenti kinez Xi Jinping dhe presidenti rus Vladimir Putin?

Fuqitë e mëdha nuk janë audienca e vetme e përshtatshme- por shumë vende, nga Argjentina në Afrikën e Jugut, që nuk janë pjesë e klubit të vjetër transatlantik dhe as fuqi të mëdha.

Është mbështetja e vendeve të tilla, në të cilën ka shpresë BE-ja, kur kërkon aleatë të angazhuar në zgjidhjen e problemeve shumëpalëshe.

Dhe durimi i këtyre vendeve ndaj Europës, që i kapërcen privilegjet e të vjetra, sa vjen e dobësohet edhe më shumë.

Si munden anëtarët e BE-së si Gjermania dhe Franca të mbrojnë kërkesën e tyre për punën e FMN-së dhe në të njëjtën kohë të nxitin me besnikëri – në fjalët e Ministrive të Jashtme franceze dhe gjermane – për një “aleancë për multilateralizëm”, me shpresën e efikasitetit të institucioneve ndërkombëtare të vendeve jo-perëndimore?

Për fat të mirë, që nga viti 2016, në teori tashmë ekziston një proces për të zgjedhur kreun e FMN-së në një mënyrë të hapur dhe të bazuar në merita.

Individët mund të emërohen nga guvernatorët e FMN-së dhe drejtorët ekzekutivë.

Kandidatët e përzgjedhur pastaj intervistohen nga Bordi i FMN-së, i cili merr një vendim përfundimtar.

Duhet vetëm që ky process të zbatohet.

Europa duhet, pra, të mbështesë kandidatin jo-europian më të kualifikuar për të ringjallur FMN-në.

“Sfida kryesore për kreun e ardhshëm të FMN është se si të ruajë ndikimin dhe legjitimitetin e institucionit në një botë me tensione tregtare dhe zhvendosje të aleancave gjeopolitike,” ka argumentuar me të drejtë ish-zyrtari i lartë i FMN-së, Eswar Prasad.

“FMN është mishërim i multilateralizmit në financat ndërkombëtare, por ajo vuan prej margjinalizimit nga ekonomitë kryesore të përparuara, një grup burimesh nga flukset globale të kapitalit dhe mungesa e besimit midis ekonomive të tregut në zhvillim”.

Brenda këtij konteksti më të gjerë, është e nevojshme për europianët të pyesin kandidatët për mënyrën se si ata do e trajtojnë një thellim të krizës së eurozonës, duke përfshirë Italinë.

Problemet e Europës kanë rëndësi.

Në fund të fundit, programi i FMN-së për Greqinë ishte më i madhi në historinë e Fondit.

Por argumenti se duke pasur parasysh problemet e eurozonës, kreu i FMN duhet të jetë europian – siç bëri Merkel në 2011 – është qesharak.

Asnjë vend apo rajon tjetër nuk ka dhënë ndonjëherë një argument të ngjashëm.

Dhe gjatë krizave financiare latino-amerikane dhe aziatike, europianët me siguri nuk e kanë mundësuar rastin që FMN-ja të udhëhiqej nga dikush prej rajoneve të prekura.

Bota ka ndryshuar me të vërtetë, siç vuri në dukje Merkel javën e kaluar.

Edhe në qoftë se vendet jo-perëndimore janë shumë të ndara për t’u bashkuar pas një kandidati të vetëm, nuk duhet të supozohet se ata e pranojnë praktikën e BE-së.

“Mund të bëhej shumë më tepër, duhet bërë shumë më tepër për t’i bindur europianët”, tha në vitin 2011, ministri i Financave të Afrikës së Jugut, Trevor Manuel.

Para se ky kor global të bëhet edhe më i fortë, është në vetë interesin e BE-së që të heqë dorë nga privilegji i emërtimit të zyrtarit të lartë të FMN-së.

Dështimi për t’ia arritur kësaj do ta dëmtonte më tej besueshmërinë e Europës në skenën botërore.

*Politico.eu-Përshtati në shqip për TemA: Diona Çeço

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje