Shumë njerëz në Gjermani po përpiqen të bëjnë pjesën e tyre për t’i ngadalësuar ndryshimet klimatike.
Ata janë të ndërgjegjshëm për blerjet që bëjnë, ngasin biçikleta dhe përpiqen ta zvogëlojnë sasinë e plehrave dhe të karbonit.
Sigurisht që nuk mund ta zgjidhin problemin të vetëm, por mund të detyrojnë politikanët dhe bizneset të veprojnë.
Ruajtja e planetit nuk do të jetë e lehtë. Ka nevojë për shumë përpjekje.
Si për shembull paketimi i drekës në kavanoza qelqi të ricikluar.
Ose duke e bërë detergjentin shtëpiak me sapun, sodë dhe ujë.
Çfarëdo që mund të duhet për të shmangur paketimin e plastikës.
Familja Meuser ka jetuar në këtë mënyrë për një vit e gjysmë.
“Ne po bëjmë hapa të vegjël, por qoftë edhe kaq eshte ndjesi shumë çliruese,” thotë Maik Meuser, 42 vjeç.
“Por gjithashtu na duhet të investojmë kohë dhe energji”, thotë Nicole Kallëies-Meuser, 41 vjeç.
Të dy punojnë me orar të plotë. Ai është një prezantues televiziv dhe menaxher projekti. Ata kanë tre fëmijë.
Angazhimet e tyre të përditshme familjare janë mjaft sfiduese, por në fillim të vitit, prindërit pyetën veten: Si mund t’ia arrijmë të lëmë pas një botë për fëmijët tanë ku ia vlen të jetohet?
Sepse nëse nuk do të ketë asnjë ndryshim së shpejti, menduan Meusers, atëherë ka ardhur fundi.
Dhe jo vetëm për ta, por për gjithë njerëzimin.
Sondazhet tregojnë se gati tre të katërtat e të gjithë gjermanëve janë të shqetësuar për të ardhmen e planetit të tyre.
Nuk është çudi atëherë se sekretari i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara nuk humbet asnjë mundësi për të përmendur ndryshimin e klimës si “kërcënimi më i madh sistematik ndaj njerëzimit”.
E reja në këtë mes është kjo: Ka një numër në rritje të njerëzve si Meusers, të cilët nuk janë vetëm të shqetësuar, por janë në kërkim të mënyrave për të ndryshuar mënyrën se si ata jetojnë.
Një premtim “Shpirtëror”
Meusers jetojnë në një dupleks në qytetin gjerman të Dormagen.
Ata nuk identifikohen si njerë politikë.
“Ne nuk jemi radikalë për atë që po bëjmë, thjesht pragmatikë”, thotë Nicole Kallëies-Meuser.
“Veprojmë hap pas hapi.” Ata shmangin qeset plastike, sallamet e mbështjellë me plastike dhe lengjet e portokallit te shitur ne paketime plastike.
Kur shkojnë në sektorin e kasapëve në supermarket, zakonisht sjellin paketimin e tyre për të shmangur mishin e mbështjellë në plastikë – edhe pse punonjësit atje i konsiderojnë këto gjeste qesharake.
Furçat e dhëmbëve që ata përdorin janë prej bambuje.
Në të kaluarën, Meusers hidhte tre çanta të verdha plehrash plot me mbeturina plastike çdo javë.
Tani ata hedhin vetëm në një, dhe është gjysmë e plotë.
Kujdesi ditor i fëmijëve të Meusers ka ndjekur modelin e tyre dhe ata kanë zëvendësuar shishet e ujit me shishe të ripërdorshme.
“Pesë vjet më parë, miqtë tanë qeshnin me ne,” thotë Maik Meuser.
“Por tani, pothuajse gjithkush pyet se si mund të përfshihen edhe ata.”
Meusers nuk janë më një rast i veçantë.
Këtë verë, një nga fjalët më të përdorura në Gjermani është “qëndrueshmëria”.
Ajo ka tejkaluar rritjen ekonomike si temë kryesore në më shumë se gjysmën e numrit të njerëzve, sipas një sondazhi të kohëve të fundit.
Shumë statistika aktuale e reflektojnë këtë ndryshim në baze të të menduarit: Për shembull, 42 përqind e njerëzve dëshirojnë të përdorin më pak energji elektrike këtë vit.
Dhe një në tre persona do të donte të lëvizte pa makinë më shpesh.
Atmosfair dhe Myclimate, dy organizata që u ofrojnë konsumatorëve mënyra të kompensimit të karbonit, raportuan shitjet në 2018 si një rekord, me ritme rritjeje prej 40 përqind ose më shumë.
Kushdo që dëshiron të largojë fajin nga ndërgjegja, mund të dhurojë para për të kompensuar emetimet e CO2.
Në të njëjtën kohë, shitjet e biçikletave dhe biçikletave elektrike u rritën me gati 10 përqind gjatë vitit të kaluar.
Vitin e kaluar, një mesatare prej pesë fermerësh gjermanë në ditë konvertoheshin në bujqësi të pastër organike dhe të ardhurat për fermerët organikë u rritën me 12 përqind krahasuar me një vit më parë.
Këtë vit, industria ushqimore do të shesë pothuajse dy herë më shumë ushqim vegjetarian, ose vegan.
Në vitin 2012, në Gjermani u botuan rreth 20 libra kuzhine me receta vegane, ndërsa në vitin 2016 ky numër ishte rritur në më shumë se 200.
Sipas sondazheve, gjysma e gjermanëve zbulojnë se vlerat e Partisë së Gjelbër janë në përputhje me të tyret.
Me fjalë të tjera, dëshira për të mbrojtur mjedisin nuk mund t’i atribuohet një ideologjie të veçantë politike – dhe sigurisht as një mjedisi të veçantë.
Disa njerëz duan të jetojnë në mënyrë të qëndrueshme, për shkak se është progresive.
Të tjerë duan ta bëjnë këtë për të mbrojtur natyrën.
Shumë duket se po bashkohen me këtë nismë dhe nuk po udhëhiqen nga lart – nga mendimtarët apo politikanët – por nga njerëzit e zakonshëm të shoqërisë.
“Publiku aktualisht është shumë më përpara politikanëve dhe ekonomisë rreth kësaj çështje,” thotë sociologu dhe eksperti i klimës, Harald Welzer.
Një dinamikë e re është shfaqur, kryesisht për shkak se çështja e klimës perceptohet si një çështje drejtësie – drejtësi e përgjithshme.
Miliona të rinj kanë kuptuar se e ardhmja e tyre është në rrezik dhe një ditë ata do të paguajnë çmimin, nëse diçka nuk ndryshon së shpejti.
“Fridays for Future” ka zhvilluar më shumë fuqi politike sesa Greenpeace, “thotë Welzer.
“Procesi i ndryshimeve kulturore që ka filluar është i dukshëm”.
Nga ana tjetër, kjo frymë nuk pasqyrohet në të gjitha shifrat.
Konsumi i mishit në Gjermani nuk ka rënë aspak, edhe pse shumë njerëz tani shprehin një dëshirë për të jetuar një jetë vegane..
Askush nuk dëshiron të ndryshojë
Konsumi vazhdon të rritet. Edhe edhe pse përqindja e konsumit që është organik-vegan po rritet, – kjo nuk i jep zgjidhje situatës.
Është arsyeja pse kjo lëvizje e re e qëndrueshmërisë është po aq mashtruese, saç është edhe e pakuptimtë, thonë kritikët.
Në fund te fundit, askush nuk dëshiron të ndryshojë rrënjësisht.
Por është gjithashtu e vërtetë se duke ua lënë përgjegjësinë vetëm konsumatorëve për të ndryshuar botën, kjo do t’i konfuzonte shumë njerëzit.
Meusers po përjetojnë pikërisht këtë.
Ndryshimi i zakoneve të tyre për të zvogëluar mbetjet plastike ka qenë mjaft e vështirë.
“Do të donim të bënim më shumë, por kërkon jashtëzakonisht shumë përpjekje”, thotë Maik Meuser.
Vullneti për të bërë mirë dhe për të jetuar në mënyrë të qëndrueshme është prezent tek njerëzit.
Kjo është e vërtetë. Ekonomia në tërësi duhet të bëhet më e gjelbër.
Qeveria duhet të fillojë të shpërblejë sjelljen e qëndrueshme ekonomike dhe marrë masa për sjelljet ekonomike të dëmshme për mjedisin.
Por a ka gjasa që kjo të ndodhë? A do të jetë ekonomia vërtet e gjelbër – apo thjesht do të pretendohet kështu?
Për disa muaj, Michael Jost udhëtoi si misionar, duke folur me investitorët, menaxherët dhe gazetarët.
Ai tregon një parashikim shqetësues me anë të një klipi të Tokës në vitin 2100, nëse temperatura globale do të rritet me 2 deri në 4 gradë Celsius.
Atje përshkruhen valët e nxehtësisë që e mbështjellin globin si zjarr.
Mungesa e ujit. Thatësirat. Përmbytjet.
“Ne kemi nevojë për një strategji globale për të reduktuar CO2”, thotë Jost.
Jost nuk punon për Greenpeace. Ai është një strateg kryesor në Volkswagen, kompani, prodhimet e të cilës kanë ndotur ajrin për dekada të tëra.
Kompania që mashtroi miliona konsumatorë në mbarë botën me motorët dizel të manipuluar.
Kompania që disa vjet më parë paralajmëroi një “fushate kundër lëvizjes individuale”, kur rregullat e mjedisit u bënë më të rrepta.
Volkswagen planifikon të shesë 22 milionë makina elektrike gjatë 10 viteve të ardhshme.
Kjo duket tepër ambicioze, duke pasur parasysh se në vitin 2018, Volkswagen shiti vetëm 50.000 automjete elektrike në mbarë botën.
Tregu i automjeteve elektrike është ende i vogël, parashikimi i rritjes është i paqartë dhe rreziku është i madh: Volkswagen po investon miliarda në një teknologji të së ardhmes, pa e ditur nëse do të miratohet apo jo.
Kjo strategji e kompanisë nuk është vullnetare.
Volkswagen pret që deri në vitin 2040 nuk do të shiten më makina me motorë me djegie në vend.
Prandaj çdokush që shpreson të ruajë suksesin e biznesit në të ardhmen, do të duhet të ndërtojë makina elektronike.
Bashkimi Europian gjithashtu po ushtron presion dhe po shtrëngon objektivat e dioksidit të karbonit.
Koha që konsumatorët të bëjnë atë që është e drejtë
Kompanitë e makinave po përballen më mirë me presionin nga Kina, sesa me specifikimet e reja nga Europa.
Pekini ka një plan për zgjerimin sistematik të lëvizjes me mjete elektrike.
Europa nuk ka as ndonjë plan të përgjithshëm.
Sipas drejtorit ekzekutiv të VW, Herbert Diess, pikërisht aty qëndron problemi më i madh: Politikanët në Europë po i lënë bizneset të kuptojnë se si të zhvillojnë produkte të qëndrueshme në një shkallë të madhe.
Për Diess dhe udhëheqës të tjerë në industrinë e automobilave gjermane, një gjë është e sigurt: Pa masat e mbështetjes së qeverisë, misioni do të jetë i paarritshëm.
Nevojitet një strategji për të joshur njerëzit drejt makinave elektrike, që të krijohet një treg i automjeteve elektronike të përdorura.
Makinat elektronike janë ende shumë të shtrenjta për konsumatorët.
Pa subvencione, strategët e koorporatave frikësohen se makinat e lira elektronike – që do të thotë modele të përshtatshme për prodhim masiv – do të vazhdojnë të jenë një biznes i shkatërruar në planin afatgjatë.
Kompanitë po luftojnë me çështje të ngjashme edhe në industritë e tjera.
Ata duan – dhe duhet – të ofrojnë produkte më miqësore ndaj mjedisit.
Por deri më tani, shumica e tyre mbeten oferta të veçanta.
Sasia e madhe e presionit të konsumatorëve është në njërën anë, nga ana tjetër, është e vështirë të ndryshohet sjellja e konsumatorëve.
Gjithçka supozohet të bëhet më e qëndrueshme dhe më ekologjike – por nuk duhet lejuar që të bëhet e pakëndshme, ose e papërballueshme.
Zinxhiri i kafenesë Starbucks deklaroi gati një dekadë më parë se donte të zëvendësonte të gjitha kartat e veta të kartonit të letrës me ato të ripërdorshmet.
Më pas, në vitin 2015, qëllimi i saj ishte që të paktën një e katërta e të gjitha gotave Starbucks të përdorura në Shtetet e Bashkuara të ripërdoreshin.
Në vitin 2018, vetëm 1.8 për qind ishin ripërdorur.
Kjo shtron pyetjen: Nëse konsumatorët nuk do t’i heqin vullnetarisht gotat e kartonit, pse të mos u vendosni atyre një kosto shtesë të detyrueshme?
Sektori financiar ka qenë prej kohësh i interesuar në promovimin e “investimeve të qëndrueshme”, që do të thotë investime në kompani dhe fonde të përbashkëta që demonstrojnë në mënyrë të qartë qëllimet ekologjike dhe sociale.
Studimet kanë treguar se kompanitë që integrojnë qëllimet e qëndrueshmërisë në planet e tyre të biznesit janë më të suksesshme në periudha afatgjata.
Brenda dy viteve, këto investime janë rritur me 25 për qind.
Investimet e qëndrueshme mund të bëheshin produkt për masat nëse do të kishin mbështetjen e qeverisë.
Si të nxisim investime të tilla me avantazhe tatimore?
Pse janë politikanët kaq të frikësuar?
Prioritetet e qeverisë gjermane mund të përmblidhen në një fjali të vetme. “Së pari, do të kujdesemi për ekonominë, pastaj për klimën”.
Me këtë deklaratë, Peter Altmaier filloi punën e tij të re si ministri i Ekonomisë i Gjermanisë në pranverën e vitit të kaluar.
Kur ministrja gjermane e Mjedisit, Svenja Schulze, një social demokrat, po përgatitej të zbatonte një kufi më të rreptë të CO2 për makinat, ajo u nderua nga kreu i partisë së saj, Andrea Nahles.
Sindikatave nuk u pëlqen nisma e mjeteve elektronike sepse mund t’u kushtojnë vende pune – ata duan të mbeten në varësi të naftës.
Kur një komision qeveritar vendosi në fund të janarit të ndalonte përdorimin e qymyrit për të gjeneruar energji elektrike në Gjermani, politikanët konservatorë e sulmuan planin, duke thënë se kjo do të çonte në rënien e industrializimit të Gjermanisë.
Dhe Christian Lindner, kreu i Partisë së Lirë Demokratike për Biznesin, i tha një grupi studentësh demonstrues, të udhëhequr nga aktivistë të rinj të klimës si Luisa Neubauer, se do të ishte më mirë t’ua linin mbrojtjen e klimës “profesionistëve”.
Shumë njerëz kanë një pikëpamje të anasjelltë: “Gjermanët ndjehen sikur asgjë nuk po ndodh me mbrojtjen e klimës. Ata po pyesin veten: Si ndodhi kjo?”
Der Spiegel-Përgatiti në shqip për TemA: Diona Çeço
Ta hapin barkun kur shkruajne se do shpetojme apo duhet te shpetojme planetin
Planeti se rruan fare se po helmohet nga zmogu apo se njerzimi po ben nje lufte berthamore dhe dhe po behet i pajetueshem planetit edhe sikur ti vije nje perplasje me nje comete ai prape se rruan fare do merrte nje periudhe pushimi 100 apo 500 milion vjet dhe do fillonte te e para
Pra nqs do benim nje pyetje te dobishme do ishte “do e ruajme qenjen tone apo jo”? Sa per planetin…