Pas publikimit të një videoje, marrë nga kamerat e sigurisë, ku një grup hajdutësh vjedhin me Range Rover, një kasafortë në Gjirin e Lalzit, Jari u shqetësua seriozisht, pasi mendoi se kasaforta mund të ishte e Doktorit, ku ka mbledhur kursimet e jetës.
Pastaj ku nuk i shkoi mendja, tek gjithë kuadrot e PD që janë në Gjirin e Lalzit.
Por dyshimi mbeti mos ishte e Ilir Metës.
Por pasi gazeta TemA sqaroi se kasaforta i përkiste një supermarketi, Jari mendoi se ashtu si ai mund të jetë shqetësuar çdo demokrat, ndaj duhej një postim:
“Të dashur demokratë,
Jari ju sqaron!
Mediat afër Edi Ramës kanë bërë një provokim, duke transmetuar pamje me një kasafortë që po ngarkohej në Gjirin e Lalzit nga disa hajdutë.
Skena ishte ndërtuar e tillë që të krijohej ideja se Doktorit, ose Ilirit, i kanë vjedhur shtëpinë.
Kjo bëhet për t’i poshtëruar ata, pasi në të vërtetë ata kanë roje private dhe nuk i vjedhin dot.
Po ashtu, ata të kompanisë private që ruan Gjirin e Lalzit, janë njerëzit e afërt të Doktorit.
Publikimi i vjedhjes së kasafortës pa përcaktuar se e kujt ishte, bëhet me qëllim që njerëzve në fillim t’u shkojë mendja tek Doktori.
Pastaj fillojnë komentet, ku i gjeti Doktori lekët, pastaj del njoftimi që janë të Argitës, pastaj ajo sqaron që janë të Zenit, ai në fund sqaron që i ka fituar Karmina në Instagram, siç thotë Doktori, ose me dyqanin e brekëve në Bllok, siç thotë ajo vetë.
Pastaj do dilte një tjetër do thoshte është vila e Mul Nokës dhe atij ja kanë vjedhur edhe një herë tjetër e do fillonin thashethemet, ku i gjeti Mul Noka lekët, ka lekët e hashashit të Lazaratit, gjobat që vinte si ministër i Brendshëm etj.
Pastaj do vazhdohej më tej me gjithë njerëzit e PD që janë aty.
Natyrisht prisja që kulmi të arrinte kur të hamendësonin se është kasafortë e Ilir Metës.
Atëhere do fillonin, jo pse i mban aty lekët ai, jo i ka lekë, jo i ka flori etj, histori si këto.
I gjithë ky provokim vjen nga Edi Rama, ndaj nuk duhet të trishtoheni.
Hajdutët do kapen dhe do japin llogari, mes të tjerash pse kanë shqetësuar opozitën në ditët e pushimeve.
I juaji, Jari!”