“Shokët” në portën e Përmetit dhe politikanët “antikomunistë” të vajmedetit !

28 Korrik 2019, 19:55Blog TEMA
“Shokët” në portën e Përmetit dhe

Kristo Mërtiri

…Kur agun e mëngjesit po e priste dhe do e përcillte shushurima e ëmbël e Vjosës në 24 Maj, shëtitjen e parë e bëra si me një frymë përtej urës. Emocione aspak të zakonshme. Vite më parë, në kulmin e djalërisë, nisa udhën e gjatë të gazetarit profesionist. Në Përmetin e dashur, në kryeqytetin e qytetarisë së vërtetë ! Në cdo hap më zgjojnë kujtimet, gëzime e dhimbje, ëndrra të pasosura. Por kjo rrugë e vogël me histori të mëdha, ka mbi 4 dekada që më shoqëron e më troket sot e gjithë ditën. Brenda e jashtë vendit. Sidomos dy lëndinat modeste : Varrezat e Dëshmorëve të Lirisë ! Lisa, dafina erëmira e qiparisa që nuk thahen kurrë. Qiparisat mu dukën prapë si qirinj që kullojnë paqe, nderim e pika loti në cdo stinë. Dëgjova si dikur tufat e mëdha të zogjve këngëtarë, me në krye bilbilat zëmallëngjyer. Yjet dhe xixëllonjat e lara në vesë vijnë e ikin nëpër supet e Dhëmbelit e të Nemërckës, në kupolën qiellore ku grisen retë e flasin me gjuhën e perëndive. Ndërsa zogjtë krahëshkruar, ashtu të patrembur e të paqtë, të duket se u këndojnë trimave “që flenë lëndinave”. Në ballë : grupi i famshëm skulpturor “SHOKËT” ! Nuk e mbaj mend asnjëherë pa një buqetë me lule. Njeriu ndalon vetiu, krejt natyrshëm dhe përfytyron daltën në duart e arta të përmetarit të pavdekshëm, Odhise Paskali. Aty unë vija shpesh vetëm, te ky monument i thjeshtë, tokësor, i gjallë e tepër njerëzor. Dy partizanë e një partizane në mes të lëndinave historike, në mes të bashkëluftëtarëve për një Botë të Re pa shtypës e të shtypur. Atdhetarë e idealistë të rrallë, të papërsëritshëm ! Ndoshta nuk e shpiegoj dot plotësisht, por ky vend i bekuar, realisht mua më ka dhuruar mjaft krenari, qetësi, forcë, paqe, mirësi e dashuri. Edhe në castet kur jam ndierë ngushtë e i parrahur shumë me dallgët, befasitë, stërkëmbshat e ligësitë gjatë rrugëtimit publicistik në Përmet, Tepelenë, Gjirokastër e Sarandë. Më ngjante me prehërin e Nënës kur ulja kokën pa fjalë, në fëmijëri e në rini… Kam medituar pa fund nën hijen e cuditshme të qiparisave përmetarë, që herë lotonin e herë ligjëronin këngë të bukura trimërie “me përkëdheli” ! Kështu i pagëzuan, kështu i deshën e kështu ua dhuronin martirëve të vdekur e të gjallë, në vendlindjen time te Grykat e Këlcyrë-Mezhgoranit, në gjunjët e malit Golik e përballë Trebeshinës. Sikur nuk donin t’u lëndonin plagët e pathara pas betejave në Luftën e shenjtë Antifashiste Nacionalclirimtare.

Por erdhi një ditë plot mjegull e rrokullimë, me galop e ulërimë, pasi u përmbytën bulevardet e sheshet me thirrje të sinqerta e mashtruese: Liri-Demokraci ! Mirëpo, revanit “antikomunist” i doli shpejt boja, vecanërisht përballë “lule djemtë e nënave”, përballë Dëshmorëve të Atdheut halleshumë. U drodhën edhe eshtrat në varre ! I etiketuan poshtërsisht. Jo vetëm djathtas. Hodhën topa balte mbi emrin dhe veprën e tyre, mbi veteranët dhe shokët e tyre partizanë, mbi të vdekur e të gjallë. Dhe ashtu të marrosur kujtuan se u bë deti kos, për të helmuar palcën e shqiptarisë, të rënët e kombit që falën jetë e dritë në themelet e tij. Një dorë zezonë vuri dorën e fëlliqur neofashiste mbi pllakat përkujtimore, mbi lapidarë e monumente, mbi muzetë, mbi tekstet e historisë në shkolla, mbi bustet dhe emrat e ndritur me shkronja gjaku e heroizmi në ballin e institucioneve shtetërore, në fusha e në male, në qytete e fshatra. Një urrejtje primitive e turpshme, mesjetare. Deri në banesën e fundit, në Varrezat që do flasin përjetsisht nga brezi në brez. U shkelën kafshërisht deri Kanune e Ligje, tradita e zakone shekullore. Por gati aspak në Përmetin tonë të kulturuar !… Egërsia në shoqata e partira “pluraliste”, polli mjaft egërsira në mitingje, në gazeta e ekrane dhe gjer në Parlamentet ku vërshonte dukshëm vreri e zeheri, zemërimi dhe mashtrimi, engjëlli dhe djalli. Një mizëri e padëgjuar me mercenarë e njerëz pa shtyllë kurrizore. Donin të shkulnin gurët e themelit të Shqipërizës sonë, gurë që i deshi dhe i do shumë bota e vërtetë demokratike : Duhej retushuar e nxirë medoemos Lufta Antifashiste Nacionalclirimtare ! Dhe nxorrën nga brezi i rjepur dhe nga gërmadhat kolaboracioniste të mykura, koburen e ndryshkur e barutlagur të “luftës civile”. Antifashizmi europian e perëndimor vuri duart në kokë. Me të drejtë disa qeshën e u tallën me këta llafollogë e kalemxjinj të pacipë, me grada e spaleta partiake të vjetra e të reja, që po jepnin prova “besnikërie” për të rrëmbyer poste e kolltuqe të pamerituara. Dolën tamam si nga grazhdet erërënda të së kaluarës, nga qilarët e errët pirës e lëpirës të nazifashizmit. Dhe iu vërsulën qorrazi disa ngjarjeve me rrënjë të forta në histori, me shtrembërime e mashtrime, me kuje kukuvajkash e mallkime. Por Përmeti i urtë e i mencur, nuk vrapoi pas berihajit ! Nuk e helmuan dot shpirtin e tij demokrat, nuk e shuan aspak prushin e tij atdhetar. Vargu i hershëm gjëmoi prapë : “ O ju përmetarë,/ mos u dëshpëroni !”…( Edhe kur e përgjakën plumbat e një pushteti të zi, në marsin katran të ’97-ës. Qyteti më i paqtë nuk e humbi toruan. Tregojnë se edhe trëndafilat shpërthyen vonë në atë pranverë të helmuar. Edhe hëna mbi Dhëmbel pikonte përmes reve shterpa. Por ato plagë, me siguri do të therin gjatë “nën sisë”…). Si mund të harrohen hordhitë gojore e shkrimore të metropolit politik dhe ca derbederë në periferi, që deshën të pushkatonin Ditën e Clirimit të Atdheut ?! Përsei tremb kaq shumë  29 Nëntori i Lirisë ? Po përse heshtin vallë ata pasardhës partizanësh, dëshmorësh e veteranësh, që sot mbajnë në xhepa tesera të “djathta” ? Kush ua ka zënë kokën me derë ?…

Në këto dhera mbi brigjet e thekura të Vjosës, nderimi për clirimtarët trima është kurdoherë i paprekshëm, në cdo grusht dheu. Ashtu pa bujë e pa zhurmë, përmetarët dinë mirë kë respektojnë. Lulet për Dëshmorët, kabatë dhe këngët e gëzuara atje nuk shterojnë kurrë. Historikisht kështu. Në Tiranë, sa herë takohem me Ilirin, mikun tim kuciot e lab 24 karat, kujtojmë ligjërimin popullor të mocëm për një trim e fajkua nga Kurveleshi. Dhe as vetëm për atë ezhdërha që leqendisi pushtuesit osmanë të kohës. Ligjërim që mua më drithëron vazhdimisht, si një oshëtimë labërie që jehon hijshëm në vite : “Në malet përmbi Përmet/ Mehmet, a deli Mehmet !…/Nuk i jep armët Mehmeti/ Sa të bjerë kijameti…/ Dolën zonjat e Përmetit/ T’i lidhën plagët Mehmetit/ Prenë majat e gërshetit…”. Historia e trimave mban shënim edhe gërshetprerat kapedane. Në cdo shteg e krahinë shqiptare. Populli i ka gdhëndur në këngë. Vargje që as vriten e as shuhen. Rrebeshet e sistemeve politike vijnë e shkojnë. Vec të tjerave, ato dëshmi gjaku e lirie mbeten të gjalla dhe nuk i shtrijnë dorën asnjë force politike që jeton për pushtetin e paranë. Aq më tepër antikomunizmi kallp që u hapi rrugën horrave e mercenarëve teveqelë, gënjeshtarëve e demagogëve ethebutë. Përshembull, tani vonë deshën të vënë në skenë edhe atë pjesën teatrale tragjikomike rreth numrit të Dëshmorëve. Demek, “përgjëroheshin” për shifrat e nuk u qasej as gjumi mbi qepalla ! Disa palaco të djeshëm e të sotëm i hynë detit me këmbë. Ngritën veshët dhe kujtonin se po jepnin leksione speciale demokracie. Pikë e zezë ! Menduan se njerëzia në Shqipërizën tonë do të dergjej sipas recetave të tyre djallëzore. E tha bukur poeti luftëtar : Kush prek LANC dhe Dëshmorët, i bie damllaja !…

Atë mëngjes maji, te njera lëndinë në Përmet nuk qëndrova pak. Dhe jo rastësisht. Mendoj se cdo vizitor e lexues i vëmendshëm do më jepte të drejtë. Konkretisht, vetëm në një lëndinë të vogël prehen e marrin frymë thelle edhe 36 djem e vajza si yje. Blloqet e shënimeve të gazetarit, kanë mbi 40 vite që prushërojnë. Unë i njoha gati të gjithë, me emra e mbiemra. Meditim i pasosur për ato 36 lule në lule të jetës ! Ranë për këto troje. Ranë për Shqipërinë dhe aspak për politikanët me cifligje e pallate. Ranë për Lirinë dhe Demokracinë e vërtetë ! C’të jepnin më tepër ? Dhe nuk heshta asnjëherë, në monizëm e në pluralizëm. Vetëm te kjo lëndinëz me bar të njomë, a jeni ndalur të shikoni të paktën moshën e tyre ? Që nga 15; 16; 17; 18 e 19 vjecarët Kudret, Zyrihane,Bajram, Skënder, Gani, Stefan, Irakli, Koco, Mitat, Mantho, Muntaz, Arqile, Sofo dhe gjer te Nauni 27 vjecar që “ngrinte në këmbë  Brigadën e Gjashtë”. Brigadë që lindi e u pagëzua mbi 100 metra larg kësaj lëndine me 36 martirë që s’mbushën as të tridhjetat ! Dhe sot përrallisin ca kokoshë të akshamit e pinjollë prapanicalëpirës të pushtuesve nazifashistë. Disa vrasësve të Dëshmorëve, arritën t’u varin në qafë edhe tituj e dekorata-mandata në emër të “antikomunizmit” ! Poshtërsira që nuk i mban dot asnjë peshore dinjiteti e atdhetarie… Boria e partizanit borizan Naun Thomallari do të ngrinte edhe të vdekurit nga varret, bashkë me Batalionin që mbante lart emrin e madh, Naim Frashëri. Ashtu si në Dëshnicë, Buz e Mallakastër. Veteranët dhe pasardhësit e tyre kanë 75 vite që te Kalaja lavdimbuluar e gjakpikuar e Margëllëcit, dëgjojnë amanetet e bilbil Matohitit, Meleq Gosnishtit, Lefter Talos e Dino Kalenjës me shokë. Por dëgjojnë syrrëmbushur edhe borien kushtrim të djaloshit Naun. Borie që pushoi një muaj para Clirimit, në fundtetorin e ’44-ës ! Mirditorët e nderojnë cdo vit, atje në Shënpal.( Pas 4 dekadave, nga Ushtria do të shkonte komandant Brigade kushëriri i parë i Naunit, miku im i mirë Kristul, djali i veteranit idealist, Kolë Thomallari. Letra përshëndetëse e kolonelit në pension erdhi me zarf në Përmet, pa u gdhirë 24 Maji. Erdhi nga Tirana…). Mbi qiellin e Mirditës rri ende ndezur edhe një yll kutaliot. Ndërsa sivjet nuk do mungojë as kënga e popullit :”O Naun, o lule djalë/ Borizan, mbi borizanë !”… Vajzat dhe djemtë e nënave nuk kursyen asgjë për Lirinë. Pa gëzuar shumë orë Ditën e Clirimit, u nisën në ndihmë të vëllezërve kosovarë e të popujve të Jugosllavisë. P.sh. a e dini se në luftimet e paharruara të Leva-Rekës, dhanë jetën edhe 7 partizanë përmetarë ? Fanjo Cicako, Ngjeli Gogo, Muke Topi, Hysen Spahiu, Kici Nauni, Shezai Sejati e Nuredin Rrapo. Gjaku i tyre është atje. Nuk bëhet ujë. Më thoni, për cilin mund të hidhet baltë “antikomuniste” ?! Boll ua keni lënduar plagët. Mos harroni, janë mijëra e mijëra pasardhës të ndershëm që nuk i lidh asgjë me ish bashkëpunëtorët e nazifashizmit. Bindjet politike edhe mund të ndryshojnë, por të vërtetat historike nuk shkulen kurrë. Këtu qëndron meseleja. Për këto të vërteta bëhet gurguleja politike e mediatike. E, jo thjesht për “të vjetrit nostalgjikë”. E, aspak për rinovim a rilindje. Mirëpo, “po u thanë rrënjët, thahet trupi”. Fjala vjen, ajo kabaja perlë te “Gjeneral Gramafoni” ka një burim origjinal që fare pak e dinë. “Ajo ishte kabaja për vëllanë e vrarë në Korcë, o lako”. Dhe shikoja emrin e Gani Nurkës 16 vjecar në lëndinë…

Të qarat e asaj kabaje derteshumë po I dëgjoja edhe atë mëngjes Maji. Edhe te monumenti gjurmëlënës “SHOKËT” ! Disa prej tyre ikën në atë botë pa vënë ende brisk në faqe. Përse i akuzojnë ca kopukë e bashibozukë në “pluralizëm” ? Dëshmorët mund t’i anatemojnë vetëm tradhëtarët dhe vrasësit e tyre. Prandaj themi me plot gojën : Zotërinj “antikomunistë”, ndaloni pak edhe te kjo lëndinë në hyrje të Përmetit !…

 

2 komente në ““Shokët” në portën e Përmetit dhe politikanët “antikomunistë” të vajmedetit !”

  1. Permetari says:

    Bravo, dinjitoz si perhere, Mërtiri.

  2. Mersini says:

    Sherbetoret e fashizmit nuk e mohojne dot gjakun e te renve per liri, aq me keq kur duan te perzjejne tradhtaret, kriminelet me ta. Politikane te rrjedhur,por jo te rrjedhur per vjedhje e korrupsion nuk kujtohen per djemte e vajzat qe flijuan jeten per kete vend. Cpo behet per 75 vjetorin? Asgje. Keta birbo harram i pacin te gjitha. Lavdi deshmorve! Nderimi per ta, i perjetshem.
    Faleminderit Kristo Mertiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje