Vazhdon operacioni "Plazh i lirë": Pushuesit rimarrin 10 000 m2 plazh të zaptuar në Ksamil

5 Gusht 2019, 10:17Kronika TEMA
Vazhdon operacioni "Plazh i lirë": Pushuesit rimarrin 10 000 m2

Operacioni “Plazh i lirë” për lirimin  e hapësirave publike të zaptuara në mënyrë të paligjshme ka vijuar në Ksamil, Himarë , Vlorë e Divjakë.

Policia ka liruar dhe vënë në dispozicion të pushuesve 10 000 m2 plazh të zaptuar në mënyrë të paligjshme në Ksamil, ndërsa ka proceduar penalisht 6 pronarë subjektesh, 5 në Qarkun Vlorë dhe një në Divjakë, nga të cilët 5 për “Fshehja e të ardhurave” dhe 1 për “Zënia e hapësirave publike”.

Blutë kanë proceduar penalisht edhe n/kryetarin e Bashkisë së Sarandës shtetasi TH. M, sepse në kundërshtim me ligjin “Për vetëqeverisjen vendore” nuk ka ekzekutuar vendimin administrativ të kryetarit të Bashkisë Sarandë për lirimin e një sipërfaqeje plazhi publik prej 600 m2 në Ksamil i cili shfrytëzohej pa lejen e bashkisë nga shtetasi F. P., hapësirë që është liruar gjatë operacionit të policisë tre ditë më parë.

Gjatë operacionit në Ksamil, Policia ka liruar dhe kthyer në shërbim të qytetarëve rreth 10000 m2 hapësirë publike. Është  proceduar penalisht shtetasi K. I., 35 vjeç, banues në Ksamil, pasi gjatë kontrollit të ushtruar në subjektin e tij, tek zona bregdetare e quajtur “Pema” në Ksamil, janë bllokuar dhe sekuestruar në cilësinë e provave materiale 1185  shezlongë, 351 çadra dhe një tendë dielli për mbulimin e shezlongëve rreth 40 m e gjatë, të cilat shfrytëzoheshin pa kasë fiskale dhe pa lejen përkatëse nga Bashkia e Sarandës.

Në Himarë Policia gjatë kontrollit në Jalë, ka proceduar penalisht shtetasit G. S., 47 vjeç, banues në Fier (administrator subjekti) dhe Z. D., 34 vjeç, banues në Himarë (administrator subjekti), pasi gjatë kontrolleve të ushtruara në subjektet  “Plazh Privat” në Jal, nën administrimin e këtyre shtetasve, Policia konstatoi se në këto subjekte nuk lëshohej kupon tatimor, kishte mungesë dokumentacioni dhe ushtronin aktivitetin pa kontratë qiraje nga Bashkia Himarë.

Operacioni ka vijuar në Vlorë ku janë proceduar penalisht shtetasit L. M., 52 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti) dhe E. N., 38 vjeçe, banuese në Vlorë (administratore subjekti), pasi në subjektet e tyre  në  lagjen “Ujë i Ftohtë” kishte mungesë dokumentacioni dhe pa kasë fiskale.

Po gjatë operacionit që ka vijuar edhe në Divjakë, Policia ka proceduar penalisht  shtetasen  E. A., 38 vjeçe, banuese në Divjakë, (administratore) për fshehje të të ardhurave dhe mospagim të taksave dhe tatimeve. Gjatë kontrollit të ushtruar në plazhin e Divjakës, u gjetën mangësi në dokumentacion, në subjektin sezonal që ajo ka në këtë plazh, duke mos deklaruar të ardhurat e duke mos paguar sigurimet.

Policia thotë se operacioni do të vijojë në gjithë zonën bregdetare, për të kthyer në dispozicion të qytetarëve çdo hapësirë publike të zënë në mënyrë të kundërligjshme, me qëllim fitimin dhe për të ndëshkuar evazionin fiskal, në biznes, hidrokarbure, ndërtim etj.

3 komente në “Vazhdon operacioni “Plazh i lirë”: Pushuesit rimarrin 10 000 m2 plazh të zaptuar në Ksamil”

  1. ce says:

    Shteti nuk duhet te terhiqet por tu tregoje vendin pushtuesve te rinj te vijes bregdetare te shqiperise pas asaj te 1939 nga italianet. Nga viti 2000 e ketej ne menyre te heshtur nen hunden e policise se shtetit , nen heshtjen e bashkive dhe nen perdhuninim e policive bashkiake nga te fortet e lagjeve dhe qyteteve ka ndodhur pushtimi me i cuditshem ne historine e shqiperise i vijes bregdetare nga nja bande horrash , te fortesh qe kane nenshtruar shtetin dhe policine me vendosen nen kontroll te plote te vijes bregdetare te Shqiperise dhe ne gjoja kemi dhe mbrojtje bregdetare. As greket nuk do arrinin ta pushtonin aq shpejte kete hapesire dhe ta perdorin pastaj per te nxjerre fitime kolosale deri ne 200 milion lek per nje shesh me 200 shesllone per nje periudhe 3 mujaore dhe shteti te beje sehir dhe te mos vjele asnje qindarke dhe populli te torurohet per te bere plazh ne detin qe ja ka bere dhurate natyra. O Edi Rama po e vure vijen bregdetare nen kontroll te shtetit do jesh kryeministri legjendar i shqiperise dhe do mbahesh mend si Jul cezari dhe Napoleon Bonaparti ne jete te jeteve . Vazhdo plako se popullin e ke me vehte,,,,

  2. Lloji says:

    Ky aksion duhet te meret para sezonit ne fillim te muajit Qeshor, tani gati ne měs te gushtit nuk ka me efekt, parate i bene gjithsesi zaptuesit e reres….

  3. beso says:

    NE FUND TE SEZONIT U KUJTUAT….

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje