Haznedarët që lindi kjo tokë

7 Gusht 2019, 13:31Blog TEMA

Nga Pëllumb Kulla

Më poshtë vijon një fragment nga libri im “Jo gjithë të vdekurit prehen në paqë” që kam publikuar në vitin 2012.
Shkak për risjelljen e kësaj cope në faqet e fejsbukut, u bë një video prekëse, ngjethëse, revoltuese…
I qe kushtuar martires Musine Kokalari. Mbeta i ngurosur, krahëprerë, pa dëshirë që të ngrihem në këmbë… Edhepse videoja kish përfunduar dhe ekrani qe shuar…
* * *
Nga libri im

“Diku lexoja se i ndjeri avokat Ali Selenica, i ndryrë në burgun e Burrelit, tregonte se kur pati rast të ushtronte avokatinë në Korçën e viteve të para, Nevzati, beu i rënë i Leskovikut, tani me bustinën me yll dhe në uniformën e kapitenit të parë, dërgonte shpesh në pushkatim dhjetë deri pesëmbëdhjetë vetë në ditë. Dhe këta që lanin hesapet me këtë jetë ishin intelektualë, tregëtarë, juristë, shkrimtarë, fshatarë analfabetë që i kish tërhequr pranë Balli Kombëtar me iluzionet për një shoqëri të ardhshme të drejtë dhe të ndershme.
Nuk është vështirë t’i gjesh nëpër arkiva bëmat e këtij njeriu.
Si një reporter i përpiktë, prokurori i raportonte eprorëve çastet dhe fjalët e fundit të atyre që vriste. Janë raporte si ai që pat dërguar dikur për ekzekutimin e Rrapo Kullës, gjyshit tim. Ja, një raport i mëvonshëm:

Sot më datën 3 Korrik 1946, në orën 5 të mëngjesit, u ekzekutuan të dënuarit me vdekje: Qenan Dibra, Hivzi Golja, Sami Qeribashi, Telat Drini, Tut Mëniku, Xhait Koka, Mehmet Ali Beshiri, Shaban Balla dhe Ali Kavaja.
Fjala e fundit e secilit në çastin e ekzekutimit ishte: 1) Telat Drini: Rroftë Shqipëria me Kosovën! 2) Hivzi Golia: Rroftë Shqipëria me Kosovën! 3) Tut Mëniku: Rroftë Shqipëria me Kosovën! 4) Qenan Dibra: Rroftë Shqipëria me Kosovën! 5) Xhait Koka: Rroftë Shqipëria me Kosovën! 6) Mehmet Ali Beshiri: Rroftë Shqipëria me Kosovën! 7) Shaban Balla: Ju lë kujdes fëmijën. 8) Ali Kavaja: Rroftë Zogu i Parë, Mbret i Shqiptarëve! Rroftë Shqipëria me Kosovën! Vdekjen e kemi hak. 9) Sami Qeribashi: Më në fund t’u plotësua dëshira, o Prokuror! Edhe ti një ditë do ta paguash si unë. Rroftë Shqipëria me Kosovën! 10)Qenan Dibra nuk foli, po dorëzoi një letër drejtuar familjes.
Prokurori i Gjykatës së Lartë Ushtarake. Kapiten i Parë, Nevzat Haznedari.

Janë dokumenta origjinalë. Përshkruan prokurori, me besnikëri, fjalë të thëna që ai nuk do të desh që ata t’i thoshin. Nuk janë trille letrare! Nuk jam unë që dua që ata të kenë thirrur ashtu. Nuk jam unë që dëshiroj që gjyshi im, para se të kositej nga plumbat të ketë brohoritur “të rrojë Shqipëria!” Është tregimi i Haznedarit, ky!

Nuk janë skena teatrale të përgatitura nga një regjisor! Nuk janë aktorët këta që po thërrasin rroftë Shqipëria! Janë njerëz nën tensionin më të madh jetësor, njerëz që ndahen nga jeta dhe u kanë mbetur ende dy tri sekonda të jetëve të tyre. Thërrasin të rrojë ai vend që ka nxjerrë një mostër të tillë, që po mbush anë e kënd Shqipërinë me varre njerëzish që urojnë që Shqipëria të rrojë!

Me kalimin e viteve këtij njeriu i qe bëre tashmë e zakonshme të dërgonte reportazhe nga goja e varreve që hanin shqiptarë.

Ja, edhe një raportim tjetër:

Procesverbal

Në Tiranë, më 5/XI/1975
Në bazë të urdhërit të ministrit të Punëve të Brendshme Nr.850 datë 5/XI/1975, ora 16:00, në vendin e caktuar, në prani të prokurorit Murat Kanani dhe të mjekut Nevzat Vigani, nga unë Nevzat Haznedari, i ngarkuari i Drejtorisë së Hetuesisë, u ekzekutua vendimi me vdekje për armiqtë komplotistë Beqir Ali Balluku, Petrit Taulla Dume dhe Hito Shaqo Çako.

Para ekzekutimit secili nga këta armiq u njoftua nga prokurori se Presidiumi i Kuvendit Popullor refuzoi kërkesën e tyre për faljen e jetës. Mbas kësaj ata thanë:
1. Beqir Ali Balluku. Nuk foli fare.
2. Petrit Taulla Dume: “Të rrojë populli, të rrojë partia!”
3. Hito Shaqo Çako: “Mirë”
Në përfundim u krye ekzekutimi i tyre nga unë, Nevzat Haznedari dhe pasi u kontrolluan nga mjeku Nevzat Vigani, u konfirmua vdekja e tyre
Firmat:
Nevzat Haznedari, Murat Kanani, Nevzat Vigani

Këta që morën në kokë plumbin përmbyllës të prokurorit, këta që rreshtohen në raportin që i vete për kënaqësi Enver Hoxhës, ishin ushtarakët më të lartë të Republikës, ish-udhëheqës të reparteve partizane!

Të tillë raporte ndihmojnë mjaft që të kuptohet përse Hoxha dhe Haznedari me shokë, dolën lakuriq përpara shoqërisë njerëzore, mallkuan Zotin, mbyllën kryeqendrat e edukimit moral. I kyçën dhe, më se shumti, i shembën tempujt fetarë, tallën, poshtëruan dhe burgosën klerikët dhe pasi deklaruan që Zot nuk ka, atëherë vranë kryeveprën e Zotit, njeriun.

Feja e tyre leniniste që ndalonte qindra bëma të tjera, u la dorë të lirë Hoxhës dhe Haznedarit në shuarjen e të të afërmve të tyre: vëllezërve, motrave, baballarëve, fqinjëve, njerëzve që i patën strehuar në bodrume, teksa i kërkonte armiku, shokëve të luftës që i patën mbuluar me zjarr mbrojtës, mjekëve që u kishin shpëtuar jetën, gjeneralëve që u kishin ruajtur pushtetin. Kjo fe e re nuk i pengonte të përdhosnin çdo shenjtëri. Sa kohë që nuk do të kuptohet kjo në Shqipëri, sa herë që çdo zbulim krimesh do të shpjegohet sikur publikohet për nevoja politike, sa kohë ky libër që keni në dorë do të merret si avokatia që unë u bëj njerëzve të mi, feja që solli Enveri, Mehmeti dhe Nevzati nuk do të zhduket.

Ky libër nuk është për meritat të pushkatuarve, por për demeritat e Enver Hoxhës që pruri këtë bilanç.
Nuk psheretij vetëm për gjyshin tim, që më dhemb, por po klith edhe për Beqir Ballukun, që nuk më dhembte aspak.”

7 komente në “Haznedarët që lindi kjo tokë”

  1. naimi says:

    perfekt, vetem ma ndaj leninin vec, se edhe parimin e tij “I pari ne sakrifica dhe I fundit ne privilegje” e kthyen mbrapsht. katil mund te ishte, por mbetet fillestar karshi stalinit e enverit.

  2. h says:

    Haznedarin ja lemë në dorë zotit.
    Shqiptarët janë të gjithë haznedarë,po ti jepet mundësia.
    Poshtë haznedarët,rroftë kultura dhe humanezimi.

  3. On says:

    Po ky gjithollogu e la estraden?

  4. spartak says:

    Çfarë të ndash mër që të ndaftë uku zorrët . Babai nuk mund të ndahet nga fëmijët . por ka diçka . Ndoshta ideja Leniniste ka qenë për mirë , por u zbatua keq dhe rezultati i eksperimentit doli për dreq .
    Do thuash ti , që kapitalizmi është më m… . Po mor po , por të paktën forcat prodhuese i zhvillon , jo si ay socializmi që i thau deri sa
    i mbyti fare .
    Rregullo shpërndarjen si në vendet nordike dhe je mbret .
    Pullumb Kulla . Dritë o zot , mos vdeksh kurrë .

  5. Deda says:

    Musine kokalari ishte eksponente e kolaboracionizmit o mut , martir ishin ata bij e bija qe u vran per lirin e atdheut o pler. Spo te fhjet njeri ne amerik dhe i çan zalloten SHQIPTARVE ik o matuf se nuk te dhjet me njeri ty , apo mer noj 100 dollaresh per te honger buk me kta artikuj legen , bet rahat me ate sistem si pak te tjer tashme i thur lavdi atyre qe ke ber zezil ne at koh si tradhtar te kti vendi , burr pa byth qe ha ne xhdo sistem njeri me njeqin fytyra , na mbyten mashtrusit dhe legenat.

  6. Deda says:

    Musine kokalari ishte eksponente e kolaboracionizmit o mut , martir ishin ata bij e bija qe u vran per lirin e atdheut o pler. Spo te dhjet njeri ne amerik dhe i çan zalloten SHQIPTARVE ktej , ik o matuf se nuk te dhjet me njeri ty , apo mer noj 100 dollaresh per te honger buk me kta artikuj legen , bet rahat me ate sistem si pak te tjer , tashme i thur lavdi atyre qe ke ber rezil ne at koh si tradhtar te kti vendi , burr pa byth qe ha ne xhdo sistem , njeri me njeqin fytyra , na mbyten mashtrusit dhe legenat.

    1. Xhorxhi says:

      O Ded, je koqe. Nuk harxhon njeri fjale me shume. Injoranca yte eshte pusi i thelle. Nuk mbushet dot

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje