Inkubatorët e krijimit të prototipit të "njeriut te ri" revolucionar

8 Gusht 2019, 16:34Kulturë TEMA

Nga Mystehak Xhemali

Duke shfletuar faqet e romanit “Statuja” të autorit Myslim Pasha, si në një kaleidoskop marramendës , të pështjellohet në parafytërimin tend ajo lukuni militantësh fanatikë të periudhës më shtazarake, që kaloi kombi ynë nga mesi deri në fundin e shekullit të XX.

Personazhet e romanit u ngjajnë hijenave, që dalin nga skutat e errta për t’u përpunuar në laboratorët e inkubatorëve, nga dilnin prototipët e llojit të Lej Fenit si Fuat Çela, Çaçi Rama, Hekuran Zenuni e deri tek shpërfytyrimi që iu bë asaj vajzës së varfër të Thethit të mesmaleve e cila ra në aksionin e hekurudhës Rogozhinë Fier, Shkurte Pal Vata. Këta tipa të quajtur “njerzit e rinj të revolucionit”, përpunoheshin në një ritual të përshkruar nga një fill i kuq me motivin “ i shërbejmë revolucionit deri në vdekje”.

E si të tillë ata ishin të zhveshur nga çdo loj ndjesie njerzore, aq sa edhe dashuria shndërohej në makth. Por Sejkomët nuk ishin të kënaqur me këto arritje. Ata kërkonin që mekanizmi i krijimit të “Njeriut të Ri” të përsosej edhe më tej. Ata, duke kërcitur dhëmbët, jepnin porosinë: “Lej Feni ynë nuk mund të jetë një lloj si Lej Feni kinez…Ne jemi mekanizma të gjalla…” Ishte ky lejtmotivi rrevolucionar nëpër kudhrën e së cilës do të kalonin gjithë brezat. Në të kundërt ata që i shmangeshin këtij përpunimi ideologjik do të përfundonin me akuzën e “Armikut të Klasës”.

Ja, në këtë labirinth ishte përfshirë edhe personazhi kryesor i romanit, Erson Pirgu, i cili që në fillim prezantohet si kandidat për të qenë “Njeriu i ri” sipas modelit të Revolucionit Kulturor Kinez. Edhe pse i ardhur nga një familje e varfër fshatare, “tamam truall i Njeriut të Ri”, ai si një i sëmurë somnabul e ndjen për detyrë që të bëjë autokritikë, pasi “ nuk e kam ditur se si vjen armiku tinëz, se si ta vë syrin, të shehë nga larg dhe nga afër, pastaj të futë brenda vetes e të shndërron në shejtan”. E ky kandidat i Njeriut të Ri futet në inkubator për të qenë pjesë e revolucionit.

Në përpunimin e tij një rol të veçantë luajnë personazhe të tillë si Sekomët, Antiduringët, tipat e shoqes Xh., të cilët mbajnë në duart e tyre edhe kulaçin, edhe kërbaçin. E në këtë vorbull e katrahurë. aq sa edhe vetë xhelatët kthehen në viktima, asgjë nuk është e sigurt. As jeta e as vdekja. Kudo mbizotëron pasiguria.

Sot mund të të shpallin hero e të nesërmen mund të përfundosh në gijotinë i akuzuar si armik i rrezikshëm i Rrevolucionit Proletar. Askush nuk e ndjen veten të sigurtë. Kudo sundon “Orbita e Molekulës Ideologjike”. Ja, një bisedë në kupolën  e kuqe:

Shoqja Xh: “Të them të drejtën ankthet më janë shtuar… se nuk kemi qenë në gjendje të kontrollojmë se ç’bëhet deri në ind të pushtetit popullor … si ka shkuar Përmbysja, domethënë varret që janë hapur dhe mbyllur nga ky pushtet, por edhe për humbjen e varreve”. Ramis Alia: “Revolucioni i ka këto pasoja. Si do të bëhej Shqipëria e Re pa hapur varre?!”E më poshtë:“ Partia nuk pret pa mëshirë vetëm gjymtyrët e sëmura, por ka marrë fshesën e hekurt… se ata që ia kanë dhënë shpirtin djallit, në djall do të venë”. Një linjë tjetër që përshkon romani i autorit Myslim Pasha “Statuja”, është ajo e dashurisë ndërmjet Erson Pirgut dhe mësueses së re Hera Muzaka. Eshtë një

dashuri me shikim të parë. Ishte një dashuri shokuese. Autori e përshkon atë me një lirizëm të hollë. E duke e krahasuar e paralelizuar me shigjetimin e emblemës të dinastisë të Muzakajve, Erson Pirgu, ky oficer i ri i sapo ardhur, “shigjetohet” nga vështrimi i mësueses së re e intuita e tij e kishte rrokur e pikasur në kërkim të një shpirti binjak e shetitës.Autori e përshkruan këtë dashuri si “një dridhmë e dritës në retinë….një mahnitje në shpirt…”. Ai nuk guxon t’i shkruajë asaj letrën e parë. I mungon inisjativa t’i shprehë asaj admirimin. Dhe e gjithë kjo sepse ai është shpallur kandidat për titullin “Njeriu i Ri i Revolucionit”. Kudhra ideologjike ua kishte errësuar ndjeshmërinë. Dashuria ishte një nocion i huaj. Një i ri kandidat për titullin nuk mund të pajtohej me shfaqjet e huaja, ku futej edhe ndjenja e dashurisë.

Kjo dilemë përshkruhet me mjaft mjeshtëri artistike nga autori i romanit. Kjo “pengesë” bëhet edhe më e pakapërxyeshme kur Erson Pirgu mëson se ajo rrjedh nga fisi i njohur i Muzakajve. Megjithëatë ai merr guximin dhe i shkruan një letër.

Ajo nuk i ngjan një letre dashurie. Eshtë e mbushur me fraza partiake, aq sa Hera mbetet disi e çuditur, ndërkohë që shoqja e saj, Aramera, i thotë jo pa shpoti: “…hidhja në surrat”. E megjithëatë ndjenja e të rinjëve sa vjen e rritet. Ajo i ngjan një ujvare që rrjedh me vrullin e saj të papërmbajtur. Rrjedh e vërshon, ndonse në shumë momente edhe trazohet e dallgëzohet nga grehina propagandistike e një dashurie sipas skemës partiake, aq sa edhe dhëndërri do të shkonte tek nusja me uniformë ushtarake, apo edhe këngët duhet të ishin me temën e revolucionit, ku të mbizotëronte fjala parti, sipas modelit tipik “Vashëzo, moj vullnetare, ja parti, ja hiç fare”. Apo “Kjo dasma me të pabëra/ E mbërthyer me gjilpëra/ Me partinë është e tëra”.

Autori sjell në faqet e romanit edhe skenarin më ogurzi: Njerzit hije të sigurimit të shtetit ndjekin me vëmëndje repertorin e këngëve të dasmës. Kjo është gracka që po ngrihej për të zënë në lak çiftin e ri. Gracka përfshin disa këngë që edhe u kënduan edhe nuk u kënduan në dasmë, duke përcjellë “informacionin top sekret” në sigurimin e ushtrisë si: “ Atje u kënduan këngë të dyshimta. Ja, disa fraza: “Farë e saj të mos mbesë\ Partia na preu në besë\ Krushqit i futi në thes.” Dhe i gjithë ky skenar i pergatitur me kujdes nga tipa të tillë si Sigmi, Greblleshi, apo Maksuti arrijnë të krijojnë opinionin se figura e Njeriut të Ri kishte marrë krisje, ndaj edhe duhej arrestuar. E kjo ndodhi tre ditë pas dasmës. Por ashtu si çdo gjë që ishe fallco edhe ky arrestim ishte fallco, sepse në fakt eksistonte një shtet fallco, që ndryshe propagandonte e ndryshe vepronte.

Erson Pirgut i hodhën prangat. Por kjo ishte një lloj alibie, spse ai po përgatitej për një mision të ri si agjent zbulimi në një shtet të huaj. Partia kishte krijuar besim të plotë tek ky revolucionar i ri. Dhe u sajua një aksident me raketat, ku shërbente Njeriu i Ri, oficeri Erson Pirgu. Nis kështu një dramë e re: Arkivoli mbushet me lëndë inerte e sipër mbulohet me flamurin kombëtar. Nis një ceremoni mortore, e cila është sa emocionuese, aq dhe komike. Të vërtetën e di edhe nusja e re, Hera , e cila është e detyruar të ndërrojë fustanin e bardhë të nusërisë, me fustanin e zi e të luajë rolin e gruas heroinë, e cila përsërit të njëjtin refren “Të rrojë Partia”.

Por kjo komedi shëndrohet në situate dramatike pas rënijes së sistemit komnunist në vendin tonë. Pas këti misioni sekret Erson Pirgu kthehet në Shqipëri, tashmë i shndërruar në kufomë. Atë e njeh vetëm Hera, ndërkohë që për të tjerët është një fantazmë. Ai nuk ka as identitetin e tij, pasi figuron i vdekur. Por ajo që  e bën gati të fandaksur Ersonin, është fakti që ish sigurimsat e tipit Greblleshi , tashmë ishin kthyer në SHIKA-s  ish drejtues të partisë komuniste ishin bërë drejtues të partisë demokratike, bile tashmë edhe më fanatikë e më pamëshirshëm ndaj njerzëve të thjeshtë. Kështu Sigmi i dikurshëm tashmë, shkruan autori, “Në njërën dorë mbante flamurin blu dhe supin mbështetur tek statuja e dikurshme ku shkruhej “Enver Hitler, Enver Hitler”.

Në mjaft raste autori nuk nguron të përmëndë edhe emra të vërtetë të kësaj katrahure, përfshi dy epokat. Kështu në faqet e romanit përmëndet Enver Hoxha dhe e shoqja, Vita Kapo, Ramis Alia, Mehmet Shehu, Kadri Azbiu, apo edhe personazhe të tjerë si sekretari i rinisë, Koçua, i cili tashmë është kthyer nga një militant komunist në militant demokrat. Ai shkruan: “Koçua dhe Sigmi ia bën me sy njëri-tjetrit duke rrokullisur statujën në ujrat e zeza të qytetit me thirrjen “E hodhëm, e hodhëm, e hodhëm Qelbësirën”.

Kjo befasi e trondit Erson Pirgun. Ai tashmë është pa identitet, pa shtëpi, pa mbrojtje e mbi të gjitha i shgënjyer e i tradhëtuar nga realiteti shqiptar. Legjenda e Njeriut të Ri ishte thërrmuar. Tashmë dashuria dhe ngushëllimi i tij i vetëm mbetet Hera, e cila, duke i qendruar në krah i jep kurajo për të nisur një jetë të re. Dashuria e tyre ripërtërihet e u jep shpresë, duke lënë pas eksistencën e Njeriut të Ri të revolucionit. “Ata”, shkruan autori, “po dilnin nga një ëndërr e keqe për të përjetuar një realitet të ri. Hera qendronte në hullinë e këndjelljes të dashurisë së saj që nuk iu thye dhe nuk iu rropos prej gropes së varrit që pushtoi Statujën e Diktatorit”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje