Kuvendi i Kosovës do të shpërbëhet më 22 gusht në rast se 80 deputetë votojnë pro për t’i dhënë fund kësaj legjislature. Njohës të çështjeve politike në vend theksojnë se nëse votimi për shpërndarjen e Kuvendit dështon atëherë duhet të thirret seanca e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një here.
Që nga refuzimi i koalicionit qeverisës PAN ndaj kërkesës së presidentit të vendit Hashim Thaçit për ta propozuar mandatarin e ri për kryeministër të Kosovës të gjitha grupet parlamentare në Kuvendin e Kosovës kanë kërkuar shpërndarjen sa më të shpejtë të Kuvendit dhe, siç dihet, në bazë të këtij disponimi politik është caktuar që më 22 gusht të mbahet seancë e jashtëzakonshme, ku pikë e rendit të ditës do të jetë shpërndarja e Kuvendit.
Sipas Kushtetutës së Republikës së Kosovës, shpërndarjen e Kuvendit duhet ta votojnë dy të tretat e të gjithë deputetëve. Por cilat janë hapat deri te shpërbërja e Kuvendit, shtrojnë pyetje mediat në Kosovë?
Për të nxitur seancën e jashtëzakonshme për shpërndarjen e Kuvendit janë nevojitur 40 nënshkrime të deputetëve. Që kjo seancë të jetë e suksesshme duhet së paku 80 deputetë të jenë në sallë dhe të votojnë pro.
Njohësi i çështjeve politike në vend, Ramush Tahiri, ka pohuar se në rast të dështimit të votimit për shpërbërjen e Kuvendit duhet të thirret seanca e re, pasi kjo pikë nuk mund të vihet në votim më shumë se një herë. “Në momentin që në rend të ditës shqyrtohet pika për shpërndarjen e Kuvendit, atëherë nga kryeparlamentari konstatohet kuorumi, i cili duhet të jetë 80 persona prezentë për të pasur mundësi që të vihet në rend të ditës ajo pikë. Kuvendi shpërndahet me së paku 80 vota. Nëse nuk janë 80 deputetë prezentë shtyhet pika e rendit të ditës për shpërndarje të Kuvendit. Kjo pikë në votim mund të dalë vetëm një herë dhe nëse dështon, atëherë shtyhet mbledhja dhe bëhet kërkesa tjetër për një seancë tjetër”, ka thënë analisti Tahiri.
Në rast të dështimit të votimit do të krijohej një situatë e re, duke qenë se Rregullorja e punës e Kuvendit të Kosovës nuk parasheh edhe një votim të dytë për shpërndarjen e Kuvendit. Me këtë rast këtu duhet të ndërhyj edhe interpretimi nga Gjykata Kushtetuese.