Nga Ylli Pata
Hapja e një debati të ndezur brenda Partisë Socialiste për rastin e Shkodrës, ka nxjerrë në dritë në fakt një problem që duket nuk është vetëm në Shkodër, por që aty ka shpërthyer si pasojë e një lëvizje spektakolare, siç ishte dorëheqja e një kryebashkiaku pas zgjedhjes së tij.
Drejtuesi politik i socialistëve të Shkodrës deri vetëm 3 javë më parë, Ditmir Bushati, i cili që nga viti 2016 është njeriu që ka marrë vendimet për çdo lëvizje të madhe dhe të vogël në qarkun e madh, që përfshin edhe Maqësinë e Madhe dhe Pukën, ka marrë një qëndrim distancues nga kupola e partisë së tij, përkatësisht nga kryeministri Edi Rama, në lidhje me përgjegjësinë e përzgjedhjes së Valdrin Pjetrit si krye-kandidat në 30 qershor në Shkodër.
Pas kësaj deklarate, kupola e PS-së ka shkrirë strukturën socialiste në Bashkinë Shkodër, duke kthyer në pikën zero një realitet politik, veprim që ndodh thuajse sa herë ka zgjedhje, ku natyrisht PS është penalizuar, duke mos arritur të rrisë kuotat e saj.
Por si qëndron situata historikisht në PS-në e Shkodrës, çfarë ka ndodhur në këto 30 vite?
Në vitin 1991, pas ngjarjeve të 2 prillit, kur katër mbështetës të Partisë Demokratike u vranë në një demonstratë përpara Komitetit të PPSH-së në Shkodër, Ramiz Alia, atëherë president dhe kreu i partisë në pushtet, shkriu partinë e Shkodrës, duke komanduar një inxhinier, Shaqir Vukajn, si drejtues politik. I cili pas Kongresit të qershorit 1991, kur u themelua PS, vijoi në drejtimin e degës së tronditur të socialistëve, që mbanin në shpinë barrën e rëndë të krimeve të PPSH-së në gjithë zonën e Shkodrës.
Zoti Vukaj pastroi thuajse fare degën nga përfaqësuesit e vjetër, duke afruar rreth vetes kryesisht intelektualë me bindje të majta. Madje në zgjedhjet e 22 marsit 1992, ai propozoi për deputetë poetin e talentuar të burgosur politik nga komunizmi, Frederik Reshpja dhe futbollistin e njohur, më pas edhe trajner i Kombëtares shqiptare, Medin Zhega. Emra që ju ofruan publikut si një mesazh i qartë politik për ndryshimin e partisë, që shikohej nga shumica e shkodranëve si vijuesja e partisë që i kishte persekutuar për 50 vjet.
Ky mesazh nuk u prit keq. Padyshim që në 22 marsin 1992, PS-ja në Shkodër pësoi disfatë, ashtu si në të gjithë vendin. Por në zgjedhjet e 26 korrikut, PS-ja fitoi një bashki dhe disa komuna, që dalëngadalë u kthyen edhe bastionet e majta të socialistëve në Shkodër. Si bashkia Koplik, komunat e Anës së Malit, Bërdicës, Velipojës, por edhe një komunë në Dukagjin, u bënë një realitet i majtë në “oqeanin” e djathtë e antikomunist të Shkodrës.
Në zgjedhjet e 26 majit 1996, ku dominoi dhuna dhe represioni i pushtetit, natyrisht që nuk pati histori konkurrence, ata dështuan pa nisur. Por në zgjedhjet vendore të vitit 1996, përkatësisht më 20 tetor të atij viti, Shkodra dha sinjalin e vetëm në të gjithë vendin kundër pushtetit të Sali Berishës.
Ç’ndodhi më 20 tetor 1996? Kur PD në kulmin e pushtetit, së bashku me firmat piramidale fitoi zgjedhjet në të gjithë vendin, në Shkodër nuk arrin do të zgjedhë në raundin e parë kandidatin e saj Artur Luka. Në atë kohë ligji detyronte një kandidat që nëse fitonte, të merrte në raundin e parë 50%+1 të votave. I dyti në radhë ishte një mësues, Bahri Boriçi, kandidat nga një aleancë e krijuar prej Ballit Kombëtar, Legalitetit dhe Partisë Republikane, aleancë që u quajt E Djathta e Bashkueme Shkodrane”. I treti doli Sadetin Stankaj, kandidati i Partisë Socialiste, i cili ishte edhe shef i degës lokale të partisë.
Në raundin e parë, partia fituese ishte ajo e “Abstenimit”, pasi më pak se 50% e zgjedhësve kishin votuar. Për PS-në votuan 26%, afërsisht shuma që kjo forcë politike kishte marrë në qytet në zgjedhjet e 22 marsit. Ndërkohë, përkrahësit e së djathtës ishin ndarë në dysh, njëra palë duke votuar kandidatin e PD-së dhe tjetra atë të së djathtës.
Megjithatë, nëse rezultati i pjesëmarrësve në votim do të ishte i njëjtë edhe në raundin e dytë, atëherë kandidati i PD-së mund të fitonte, sikur të majtët të votonin ideologjikisht, duke mos përkrahur dy partitë e vjetra të paraluftës, si dhe PD-në që ishte kundërshtare.
Në radhët e PS-së së Shkodrës pati një dyzim, që u rrëzua nga elektorati i së majtës, që masivisht përkrahte mbështetjen pa rezerva të kandidatit të Ballit dhe Legalitetit, me një dëshirë për të mundur qoftë me kontribut, PD-në e Berishës.
Në fund, PS lokale, edhe me izmën e qendrës, u bëri thirrje mbështetësve të saj që në raundin e dytë të votojnë kandidatin e DBSH-së, Bahri Boriçi.
Klima e krijuar në raundin e dytë çoi përpara kutive të votimit një numër të paparë zgjedhësish, duke arritur rekordin historik të pjesëmarrjes. I propozuari nga Balli dhe Legaliteti triumfoi me një rezultat plebishitar.
Kryetari i Ballit Kombëtar për Shkodrën, i ndjeri Mentor Quku, një intelektual i sërës së parë, falenderoi publikisht Partinë Socialiste e të gjithë partitë e opozitës në atë kohë, si Aleanca Demokratike, PSD etj, që kishin kontribuar për dhënien e një mesazhi shumë të fuqishëm politik, që nuk ishte thjesht lokal.
Dërrmoi politikisht PD-në e Berishës në kulmin e pushtetit, por edhe dha një mesazh pajtues dhe jo polarizues për t’u ndarë nga armiqësitë ideologjike të para Luftës së Dytë Botërore, që vazhduan edhe më pas e lagu se lagu, jo data e jo dita, ku njerëz pa vizion marrin qëndrime ideologjike për të fituar simpatitë e fanatikëve politikë.
Në zgjedhjet politike të vitit 1997, Partia Socialiste arriti të fitojë për herë të parë një deputet, pikërisht në zonën antikomuniste të Dukagjinit, duke zgjedhur Lekë Çukajn, një drejtues lokal, i cili mundi një nga peshat e rënda të PD-së, numrin dy të saj, Ali Spahinë.
Në vendoret e vitit 2000, Esmeralda Uruçi pati një rritje rezultati, por pa shpresuar që t’i marrë bashkinë PD-së, që e riktheu bastionin e saj.
Gjatë mandatit 8 vjeçar në pushtet, PS-ja nuk avancoi në Shkodër, edhe si pasojë e mospërfaqësimit të saj në pushtetin qëndror me figura që vinin nga qyteti më i madh i veriut.
Edhe Shaqir Vukajn që ishte një kohë të shkurtër ministër, Fatos Nano e largoi që në vitin 1998, duke e lënë qeverinë pa asnjë përfaqësues nga Shkodra.
Në zgjedhjet e 2001-shit, PS humbi të gjitha zonat zgjedhore dhe i vetmi deputet i saj doli nga Malësia e Madhe.
Me votat që PS merrte historikisht në Shkodër, llogaritej që të paktën një deputet ose dy të merrte, por që në fund gjithçka dështonte edhe si pasojë e ofertave jo cilësore që kjo forcë politike nxirrte para zgjedhësve.
Në vend që të reflektonte, lidershipi socialist përdori rrugën më të shkurtër, duke vendosur të ashtuquajturit të fortë, që ishin edhe biznesmenë.
Në vitin 2005, Fatos Nano arriti të marrë 2 deputetë në zonën e Shkodrës: Tom Doshin dhe Paulin Sterkajn.
Doshi fitoi në zonën e Nënshkodrës, nga është edhe vetë. Zona e tij përfshinte Velipojën, të cilën PS e fitonte përgjithësisht, dhe Bushatin, që ishte bastion i PD-së.
Sterkaj fitoi mbi Pjetër Arbnorin në Malësinë e Madhe: Kopliku dhe zona liqenore ishte përgjithësisht votues i PS, ndërsa pjesa e Alpeve, votonte rregullisht për PD-në.
Gjatë pushtetit të PD-së 2005-2013, PS mori sërish rezultatet e vjetra, duke u rikthyer në pikën zero sa herë që zhvilloheshin zgjedhje.
Tom Doshi si drejtues politik i Shkodrës nuk arriti të sigurojë rezultat pozitiv në qytet, ndërkohë që arriti të sigurojë vota në rrethinat e Shkodrës, në Dukagjin e në Nënshkodër.
Përveç Velipojës, PS mori edhe Bërdicën në zgjedhjet lokale të vitit 2011. Në zgjedhjet e 2013-s, për herë të parë PS me aleatët e saj LSI e Mark Frrokun, sot i dënuar, arriti të mundë PD-në në Shkodër, por që më pas doli se ishte fitore si e Pirros.
LSI dhe PS që drejtoheshin në qark nga ata që quheshin të fortë, ishin thuajse në luftë permanente me njëra- tjetrën.
Në 2014, Tom Doshi akuzoi madje për atentat Ilir Metën, çka soli dhe përjashtimin e tij nga PS.
Në zgjedhjet vendore të 2015-s, Doshi propozon për kryebashkiake Megi Aytyresën, ish- drejtuesen e FRESH, ndërkohë që Rama përkrahi Keti Bazhdarin, një sipërmarrëse e re, që vinte nga shtresa e të përndjekurve politikë.
Bazhdari edhe pse arrin një rezultat jo të keq, nuk mundi të marrë përkrahjen e pjesës së PS-së që mbështetej nga Doshi, por edhe atë të LSI-së, e cila bëri aleancë të fshehtë me PD-në.
Situata në Shkodër rikthehet në pikën zero dhe Rama dërgon në vitin 2017 Ditmir Bushatin si drejtues qarku.
I zgjedhur në dy mandate në Tiranë, ministri i Jashtëm kthehej në qytetin e lindjes me pak sekëlldi, që përmbante simbolikë politike. Ky rikthim ishte një dejavu politike, që ju pëdor ashpër nga kundërshtari. Për arsye se babai i zotit Bushatit, ka qenë drejtues politik në Shkodër në kohën e komunizmit, apo sekretar i Parë i PPSH-së, siç quhej atëherë.
Edhe pse pinjoll i një familje shumë të rëndësishme në Shkodër, siç janë Bushatllinjtë, por edhe i ati, Sulejmani, gjatë kohës së drejtimit nuk kishte lënë reputacion të keq, metafora politike e rikthimit në Shkodër ishte e pakta e “guximshme”.
Por në dy vjet Bushati, edhe pse pati izmën nga lart për të qenë i plotfuqishëm, nuk arriti të bashkojë socialistët në Shkodër, madje kjo situatë përçarjeje e përplasjeje mbretëronte edhe në mes të grupit të deputetëve.
Arsyeja? Natyrisht emërimet që shikoheshin si produkt i një grupi të ngushtë.
Tom Doshi, që u zgjodh deputet nga PSD-ja, arriti tëmarrë gjithashtu një pjesë të PS-së, që i solli rizgjedhjen në Kuvend.
Në këtë atmosferë përçarjeje, Edi Rama sjell një outsider siç ishte Valdrin Pjetri, që megjithatë gëzonte mbështetje nga qarqe pranë Tom Doshit. Por ai nuk u kundërshtua nga deputetët, të paktën nga qëndrimet publike.
Vetë dega lokale ka qenë peng i zgjedhjeve të sforcuara që vijnë nga para politika apo grupe interesi jo thelbësisht të majtë, ndërkohë që një pjesë e rëndësishme e militantëve socialistë mbetet përhershmërisht e pakënaqur nga pushteti i partisë së tyre.
Si pasojë, edhe dalja më 30 qershor, megjithëse në Shkodër kishte tension më të lartë, gjithsesi është rrjedhë edhe e gjendjes brenda PS-së.
Deri tani asnjë drejtues politik socialist në Shkodër nuk ka arritur të paktën të marrë të gjitha votat e socialistëve dhe përkrahësve të tyre, pasi janë përplasur deri në antagonizëm.
Caktimi i Astrit Becit, mjek i njohur, ish-deputet si drejtues politik në qark, duket si zgjidhje e përkohshme dhe jo si një lëvizje e fortë, që edhe nëse sjell kundërshti, prodhon risi politike…
Historiku i Partise Socialiste ne Shkoder,ashtu si dhe vete krijimi i saj kane shume vecanti nga historia dhe veprimtaria e PS ne teresi.
Edhe artikull shkruesi,i cili i ka jetuar keto momente e di fare mire se cilat ishin veshtiresite e PS ne Shkoder,ku lufta politike shkonte deri ne kercenime fizike.
Ne Shkoder u ndalua me dhune fizike dhe shteterore hyrja e liderit Fatos Nano dhe per Shkodren beri deklaraten me te paturpeshme te kohes ish presidenti Sali Berisha se “Shkodra nuk i do socialistet”….
Duhet te flasin aktoret dhe deshmitaret e atyre koheve te veshtira kur ishte e “rrezikeshme” te deklaroheshe socialist…
Sot eshte kollaj te shkruash dhe te thuash cdo gje e shumcka !
Kush e njeh Dr Astrit Beci mendon se zgjedhja e tije i ben mire jo vetem PS-se ne Shkoder por te gjithe qytetareve shkodrane.Kjo eshte zgjedhja e duhur por nuk e di sa eshte i interesuar doktori per ketezgjedhje?!.