Ministri japonez: Ujin e kontaminuar të Fukushimës do ta derdhim në Paqësor

10 Shtator 2019, 16:00Bota TEMA

Ministri japonez i Mjedisit, Yoshaki Harada, ka deklaruar se i vetmi opsion për Tepco-n është për të hequr ujin radioaktiv të trajtuar në termocentralin Fukushima Nr.1 është lëshimi i tij në Oqeanin Paqësor. Lajmin e bëjnë të ditur mediat japoneze.

“Ne nuk kemi zgjidhje tjetër përveç që ta lëshojmë në det, ku do të hollohet “, shtoi Harada në një konferencë për shtyp duke deklaruar se po fliste në emrin personal, por që qeveria do të merret me këtë çështje.

Centrali bërthamor i Fukushimës u dëmtua nga një tërmet dhe një cunami në vitin 2011. Që prej atëherë, Tepco ka mbledhur më shumë se 1 milion ton ujë të kontaminuar nga tubat ftohës të përdorur për të parandaluar shkrirjen e materialit nuklear.

Uji aktualisht ruhet në cisterna në termocentral, por kompania thotë se do t’i mbarojë hapësira deri në vitin 2022.

Çdo dritë jeshile për të lëshuar ujin e kontaminuar në det, mund të zemërojë fqinjët e Japonisë si Koreja e Jugut, e cila thirri një zyrtar të lartë të Ambasadës Japoneze muajin e kaluar për të shpjeguar sesi vendi do ta zgjidhte këtë çështje.

Lidhjet midis vendeve të Azisë Lindore janë në një pikë të ulët pas mosmarrëveshjeve për kompensimin e punës së detyruar gjatë kohës së luftës.

Centralet bërthamore bregdetare zakonisht i derdhin në oqean ujërat që përmbajnë tritium, një izotop i hidrogjenit që është vështirë të ndahet dhe që konsiderohet relativisht i padëmshëm.

Tepco, i cili gjithashtu përballet me kundërshtime nga peshkatarët vendas, pranoi vitin e kaluar se uji në rezervuarët e tij ende përmban ndotës të ndryshëm nga tritiumi. (TemA TV)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje