Lëkundjet sizmike kanë vendosur në lëvizje të gjitha strukturat e shtetit, të cilat kanë kaluar në gjendje gatishmërie për të t’ju gjendur pranë familjeve të dëmtuara.
Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, e shoqëruar nga deputetët Fatmir Xhafaj dhe Sadi Vorpsi, mblodhën Shtabin e Emergjencave në Bashkinë Vorë.
Pas njohjes me situatën, ata vizituan disa prej banesave ku panë nga afër situatën.
Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Xhafaj ka përcjellë një moment tejet emocional nga bashkëbisedimi me dy vogëlushë.
“Shtëpia e familjes “Dedei” në Vorë ka marrë goditjen e fundit nga tërmeti i fortë. Tashmë që është thuajse e pabanueshme, zbrazëtira e ftohtë është mbushur nga dhimbja, frika, lotët dhe pasiguria e familjarëve. E vetmja gjë e bukur në këtë moment trishtues, ishin sytë plot shkëlqim të dy fëmijëve të vegjël, Mirko dhe Pamela. Aty shihje frikën dhe ankthin nga e sotmja, por edhe shpresën për të nesërmen. Sy që u ndriçuan plotësisht kur ministrja Belinda Balluku u angazhua për ta ndërtuar krejtësisht të re shtëpinë e tyre. Kur solidariteti, puna dhe angazhimi bëhen bashkë, çdo ëndërr përkthehet në një realitet të bukur!”, shkruan Xhafaj teksa përcjell edhe disa fotografi nga këto momente emocionuese.
Fatmirësisht nga kjo ngjarje nuk pati viktima, ndërsa ministrja Balluku garantoi se do të merren të gjitha masat për strehimin e banorëve në nevojë.
Për familjet të cilat nuk pranuan të evakuoheshin do të bëhet e mundur sistemimi i tyre në çadra afër banesës së tyre por pa rrezikuar ndërsa për familjet e tjera është ngritur qendra e strehimit.
Gjatë bisedës me anëtareve të familjeve të prekur nga tërmeti, Balluku tha se e rëndësishme është fakti që nuk pati probleme për asnjë sa i takon shëndetit ndërsa siguroi se do të nis menjëherë puna për riparimin e dëmeve ku prioritet do të jenë familjet që ndodhen më në vështirësi.
“Disa nga shtëpitë ne i kemi prioritet. Kështu që do nisni punën për të bërë aktin e konstatimit dhe më pas dhe vlerësimin. E kemi shumë të rëndësishme që të bëhen që të dyja që dhe ne të nisim nga puna. Bëhet akti i konstatimit, vlerësojmë sigurinë e ndërtesës dhe më pas dhe vlerësimin që ne të nisim nga puna për ta rikuperuar”, theksoi ministrja Balluku.