Obeziteti i sotëm është çmimi që njerëzit po paguajnë për ndryshimet dietike që kanë ndodhur dekada më parë. Ky është rezultati i një studimi të Universitetit të Tennessee në Knoxville, i cili analizoi dietat e të rriturve në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Shumë studime shëndetësore kanë identifikuar sheqerin si një nga faktorët kryesorë në epideminë e mbipeshës. Por studiuesit, megjithatë, donin të analizonin këto të dhëna pasi konsumi i sheqerit në Shtetet e Bashkuara filloi të binte rreth fundit të viteve ‘90, ndërsa nivelet e mbipeshës vijuan të rriten deri në 2010.
“Rezultatet tona sugjerojnë që zakonet e të ngrënit që u janë mësuar fëmijëve 30 ose 40 vjet më parë mund të shpjegojnë krizën e mbipeshës së të rriturve që u shfaq vite më vonë“, tha bashkëautori i studimit Damian Ruck.
Pjesa më e madhe e rritjes së sheqerit para vitit 2000 vinte nga shurupi i misrit me fruktozë të lartë, i cili shpejt u bë ëmbëlsuesi kryesor në pije joalkoolike dhe një përbërës i zakonshëm në ushqimet e përpunuara pas vitit 1970. Në kulmin e konsumit të sheqerit, në vitin 1999, çdo person në Shtetet e Bashkuara konsumonte mesatarisht rreth 27 kilogram në vit dhe asimilonte më shumë se 400 kalori në ditë që vinin nga sheqernat e tepërt. Konsumi i sheqerit në Shtetet e Bashkuara ka filluar që të bjerë që nga viti 2000.