Vazhdojnë përplasjet midis Pierre-Emerick Aubameyang dhe administratorit të deleguar të ish-klubit të tij, Borussia Dortmund.
Sulmuesi i është përgjigjur provokimit të bërë nga Hans-Joachim Watzke (“ai po bën gjëra shumë të mira tek Arsenal dhe është i lumtur kur shikon llogarinë e tij bankare”).
“Mirë për ju që kurrë nuk kam folur për arsyet e vërteta që më bënë të largohem nga Borussia Dortmund, Z. Watzke, ju jeni një klloun”, ka shkruar në Twitter lojtari i Topçinjve.
Rrugët e Aubameyang dhe Borussia Dortmund u ndanë në Janar 2018, një divorc që nuk është “kapërdirë” ende nga drejtuesit verdhezinj. “Ai është i lumtur kur shikon në llogarinë e tij bankare, por të martën dhe të mërkurën duhet të shikojë Ligën e Kampionëve në televizion dhe kjo gjë me siguri nuk i pëlqen”, është kunja e Watzke.
Brenda 24 orëve ka ardhur edhe përgjigjja flakë për flakë e gabonezit:
“Mirë për ju që kurrë nuk kam folur për arsyet e vërteta që më bënë të largohem nga Borussia Dortmund. Z. Watzke ju jeni një klloun. E kujtoj ende kohën kur thoshe që nuk do ta shisje kurrë Dembélé, por pastaj pe më shumë se 100 milionë në pjatë dhe ishe i pari që mblodhe paratë. Mos më fol mua për para të lutem. Më lini të qetë”.