Bobo Vieri "skanon" "Derbin e Italisë": Juve më lart, por Interi po rritet. Ronaldo është përbindësh, Higuain një kafshë

4 Tetor 2019, 11:27Sport TEMA

Inter-Juventus, konsiderohet si derbi i Italisë. Ky ballafaqim ngërthen interesimin e kujtdo, jo më të Christian Vieri. Ish-sulmuesi i njohur ka shënuar 123 gola në 190 ndeshje me fanellën zikaltër. Në karrierën e tij ka veshur edhe fanellën bardhezi. Ai dha një intervistë për “Gazzetta dello Sport”, ku bëri prognozën e supersfidës së të dielës në “San Siro”.

Vieri, po i afrohemi përballjes së dy vendeve të para të Serie A. Çfarë prisni nga Inter-Juve?

Një derbi emocionues për futbollin tonë. Do të jetë shfaqje e vërtetë në “San Siro”. E gjithë bota na shikon. Skena do të jetë plot ngjyra të mrekullueshme, atmosferë unike, siç mund ta prodhojë vetëm një stadium si “San Siro”. Në fushë do të luajë Juventusi, me nivel europian, kundër Interit, që po arrin shpejt në betejat ndërkombëtare.

Le t’i peshojmë të dyja sulmet. Të fillojmë me atë të Juves…

Epo, Cristiano Ronaldo është një përbindësh, një njeri që ka shënuar mbi 600 gola. Askush nuk ka fituar sa ai. Është mbresëlënës për dëshirën, mentalitetin dhe përgatitjen e çdo ndeshjeje të vetme.

Higuain është për mua një nga pesë sulmuesit më të fortë të botës në dhjetë vitet e fundit. Më emocionon, e kupton futbollin, është në dispozicion të skuadrës, aspak egoist. Me të vërtetë nuk e di se si mund të heqë dorë një klub nga një “kafshë” si ai”.

Le të kalojmë tek Interi. Lukaku?

Sulmuesi i parë i Interit, tepër i rëndësishëm. Ndoshta do të shënojë pak më pak se Higuain, por ne po flasim për një njeri që luan me dhe për shokët e skuadrës. Ai di ta tërheqë skuadrën lart, kjo i jep frymëmarrje Interit në momentet më të ndërlikuara. Trajnerët e duan atë. Është unik në llojin e tij, kështu që i duhej Interit.

Lautaro?

Unë dëgjoj shumë të flasin për këtë djalë. Kushdo që e hedh poshtë, nuk kupton asgjë nga futbolli. Lufton, nuk ka frikë nga askush. Ai krijon shanse për gol nga asgjëja, është gjithmonë i gjallë në fushë. Mos harroni se është vetëm 22 vjeç. Goli që shënoi ndaj Barcelonës do ta ndihmojë më tej.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje