Gjonaj paralajmëron reformë në fushën e birësimeve dhe Kodit të Familjes: E thellë dhe transformuese, ja disa nga detajet

9 Tetor 2019, 12:16Politika TEMA

Në seancën plenare të ditës së sotme, ministrja e Drejtësisë Etilda Gjonaj ka folur lidhur me punën që po bëhet përmes Komitetit Shqiptar të Birësimeve, si një nga institucionet në varësi.

Teksa ka ndarë disa nga historitë e suksesit të cilat janë shënuar gjatë harkut të fundit kohor, ajo ka kërkuar një angazhim edhe më të madh nga të gjithë aktorët.

Nisur nga kjo, Gjonaj ka paralajmëruar një reformë transformuese sa i përket fushës së birësimeve dhe ndryshimeve në Kodin e Familjes.

“ Dua t’ju bëj me dije se jemi angazhuar për të filluar një reformë të thellë në fushën e birësimit dhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, duke studiuar dhe planifikuar ndryshimet e nevojshme në Kodin e Familjes lidhur me kujdestarinë, procedurat e birësimit dhe duke u bazuar në rekomandimet e organizatave vendase apo ndërkombëtare që kanë në fokus të veprimtarisë së tyre mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve si edhe në përputhje me konventat ndërkombëtare të aderuara tashmë nga vendi ynë”, -u shpreh Gjonaj.

Më tej ajo shtoi se: “ Nevoja për përditësim të legjislacionit në fushën e familjes, diktohet edhe nga fakti se prej miratimit të Kodit të Familjes dhe deri më sot, Shqipëria ka ratifikuar një sërë konventash në mbrojtje të të drejtave të fëmijëve dhe praktika e përditshme ka nxjerrë në pah problematika që nuk adresohen në respekt të parimit “të interesit më të lartë të fëmijës” dhe që e bëjnë të domosdoshme përmirësimet në Kodin e Familjes”, -nënvizoi ministrja e Drejtësisë.

Ndërkohë ajo ndau edhe disa bilance pozitive:

“ Më lejoni të ndaj me ju disa shifra të këtyre historive të suksesit ku në harkun kohor 2018-2019, janë nëntë raste birësimi ndërvendase, nga të cilat katër fëmijë kanë pasur problematika shëndëtësore. Për këta të fundit, ka nisur një trajtim mjekësor i kujdesshëm ku po monitorohet së afërmi çdo ecuri e tyre. Nga ana tjetër, janë kryer rregullisht të gjitha procedurat e birësimit vendas, duke arritur që vetëm për periudhën janar – dhjetor 2018 të kryhen në total 30 birësime, ku nga të cilat njëzet e tre janë birësime nga insitucioni dhe shtatë birësime me pëlqim nga brenda familjes”, tha Gjonaj.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje