Suedia, Italia dhe Luksemburgu, shprehen skeptikë për krijimin e një banke zhvillimi në BE

11 Tetor 2019, 13:10Bota TEMA

Italia, Luksemburgu dhe Suedia kanë vënë në dyshim nevojën e një institucioni të ri për të financuar projekte zhvillimi jashtë BE-së, raporton Luxemburg Times. Raporti i paraqitur ministrave të financave në mbledhjen e Këshillit të Çështjeve Ekonomike dhe Financiare (Ecofin) në Luksemburg të enjten paraqiti tre opsione të mundshme për ministrat e BE-së.

E para është shndërrimi i Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (EBRD) ose Bankën Europiane të Investimeve (EIB) në një Bankë të Zhvillimit të BE-së. Një tjetër është krijimi i një institucioni të ri, në pronësi të përbashkët të EBRD, EIB dhe institucioneve kombëtare. E treta është mundësia e funksionimit përmes institucioneve ekzistuese.

Ministri i financave i Italisë, Roberto Gualtieri tha se zgjedhja e një institucioni të ri “ndoshta duhet të përjashtohet”, ndërsa ministrja e financave e Suedisë, Magdalena Andersson e përkrahu zëshëm këtë pikëpamje duke thënë se ngritja e një institucioni të tillë do të merrte kohë për tu bërë funksional. Përveç tyre edhe Pierre Gramegna i Luksemburgut propozoi më shumë shpenzime në zhvillim sesa investime të reja në një institucion të ri.

Europa është ofruesi më i madh i ndihmës për zhvillim por Kina së fundmi është duke i bërë hije në disa rajone të caktuara, përfshirë këtu edhe Afrikën, duke shpërndarë kredi të buta për projekte infrastrukturore. (neweurope)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje