Qeveria greke ka huazuar një nga politikat e Italisë për të ftuar individë të pasur që të zhvendosin asetet e tyre në Greqi, ku u nënshtrohen politikave tatimore vendase.
Një klauzolë e tillë do të përfshihet në ligjin e ri të taksave, i cili synon individë dhe korporata me depozita të mëdha dhe ofron stimuj të rëndësishëm në rast se ata regjistrohen në sistemin tatimor grek.
Siç raporton sot grekja “Kathimerini”, zyrtarët e Ministrisë së Financave e shohin këtë si momentin e përshtatshëm për këto ndryshime ligjore, pasi siç argumentojnë ata, kërcënimi i një Brexit-i pa marrëveshje mund të çojë në një rritje të interesit për zhvendosjen e aseteve jashtë Britanisë së Madhe.
Ata shtojnë se Greqia, deri tani të paktën, është parë zakonisht si një vend që investitorët e huaj duhet ta shmangin. Përveç faktit se nuk ka stimuj për ata që zhvendosin në Greqi detyrimin për të paguar tatimet, nivelet e larta të taksave veprojnë si një faktor pengues edhe për korporatat dhe individët aktivë në vend. Për më tepër, disa kompani të mëdha e kanë zhvendosur vendpagimin e taksave nga Greqia vitet e fundit, për t’u shpëtuar taksave të larta dhe kontributeve gjithashtu të larta të sigurimeve shoqërore.
Ministria greke e Financave ka ekzaminuar modelet e aplikuara në vende të tjera, të tilla si Maltë, Qipro dhe Portugali, përpara se të zgjidhte atë që zbatohet në Itali. Modeli italian që po adopton Greqia parashikon për këtë kategori një pagesë fikse të taksës vjetore prej 100 000 euro mbi të ardhurat e përgjithshme të tatimpaguesve, plus 25 000 euro për çdo pjesëtar të familjes për të ardhurat e fituara jashtë vendit.
Ligji italian parashikon që statusi i kësaj kategorie taksapaguesish të mëdhenj të skadojë pas 15 vjetësh, pa mundësi rinovimi. Mund të revokohet gjithashtu nëse pala e interesuar e kërkon një gjë të tillë, por pa mundësinë e rinovimit të saj më vonë. Autoritetet tatimore në Itali kanë 120 ditë për të aprovuar ose refuzuar një kërkesë. (TemA TV)
Kujt i rruhet te investoj ne ate bordello parazitesh….turma paranoidesh qe jetojn akoma me perralla….