Sonte, prej orës 20:45, në “Stadionul Zimbru” të Chisinau, do të luhet ndeshja kualifikuese e Grupit H, Moldavi-Shqipëri. Pas 7 sfidash të këtij lloji, moldavët janë të fundit në renditje, me vetëm 3 pikë, ndërsa shqiptarët të katërtit me 9 pikë.
Referuar historikut të përballjeve mes këtyre dy skuadrave, kjo e kësaj të hëne do të jetë e pesta. Shqipëria është e pamposhtur kundrejt Moldavisë. Vendësit nuk dinë çfarë është faza finale e një Kampionati Europian, ndërsa miqtë kuqezinj e bënë “sefte” në këtë drejtim në “Francë 2016”.
Moldavia vjen nga humbja e fundit kundër Andorrës, ndërsa kuqezinjtë pas disfatës “in extremis” në Stamboll, ku gafa e Strakoshës hodhi në erë qëndresën gati heroike të tanëve ndaj Turqisë. Bilanci i përballjeve mes nesh është ky: 4 ndeshje, 3 fitore të kuqezinjve dhe 1 barazim. Golaverazhi është 8-2 për Shqipërinë. Në pesë ndeshjet e fundit, Moldavia ka regjistruar 4 humbje dhe 1 fitore. Kjo e fundit më 8 qershor të këtij viti, kundër Andorrës. Golaverazhi për ta është tepër negativ, 1-10. Nga ana tjetër, kuqezinjtë kanë grumbulluar tri humbje dhe dy fitore në pesë sfidat e fundit. Golaverazhi për kombëtaren e Edy Reja është 5-8.
Ndeshja e fundit mes dy kombëtareve është luiajtur më 11 qershor 2019, në “Elbasan Arena”, në kuadrin e kësaj fushate eliminatoresh, dhe është fituar 2-0 nga kuqezinjtë, falë golave të Cikalleshit (65′) dhe Ramadanit (90+2’). Ky ballafaqim do të gjykohet nga një treshe angleze, me kryesor Chris Kavanagh, i ndihmuar nga asistentët Daniel Richard dhe Constantine Hatzidakis.
Sa i përket formacionit startues, trajneri Reja do të ulë në stol Strakoshës, duke ia besuar portën Etrit Berishës. Një vend në prapavijë mund të ketë për Kumbullën, ndërsa në mesfushë pritet të jetë në fushë nga fillimi Abrashi. Në varësi të situatave dhe rezultatit, në pjesën e dytë mund të ketë vend edhe për dy debutues të tjerë, Seferi dhe Selahi.
Renditja, Grupi H