Gjatë fjalimit të gjatë të mbajtur nga Andrea Agnelli në mbledhjen e aksionarëve të Juventusit, kishte hapësirë edhe për ndonjë thumbin të Antonio Conte. Edhe pse asnjëherë nuk u përmend drejtpërdrejt nga presidenti bardhezi, referenca për trajnerin aktual zikaltër ishte e qartë. Agnelli nuk e harron vitin 2012, kur Conte u skualifikua për gjashtë muaj nga pankina e Juventusit, pas historisë së “Calcioscommesse”:
“Në këto vite jemi përballur me kaq shumë vështirësi. Kanë qenë periudha shumë intensive dhe të rënda për ata që punonin në klub. Unë jam duke menduar për historinë e “Calcioscommesse”, e cila përfshiu Juventusin më 2012, ngjarje që ndodhën, sidoqoftë, edhe në klube të tjera. Megjithatë, sot ngre pyetjen: cili klub tjetër do të kishte qëndruar gjashtë muaj pa kryetrajnerin në stol?”
Në vitin 2012, në fakt, erdhi dënimi, që përfshiu edhe trajnerin e ardhur nga Lecce. Komiteti Disiplinor i Federatës Italiane të Futbollit e skualifikoi Antonio Conte për 10 muaj (më vonë u ul në 6 muaj nga CAS), sepse si trajner i Siena nuk kishte marrë masa kundër trukimeve të ndeshjeve të Serie B ndaj Novara (2-2, 30 prill 2011) dhe Albinoleffe (humbje 1-0, 29 maj 2011), duke pasur dijeni për to.
Fjalë falënderimi, përkundrazi, kishte Agnelli për një tjetër ish-trajner të Juves, Massimiliano Allegri: “Një mendim shkon edhe te Allegri, vendimtar për rritjen e Juves. Pjesëmarrja e vazhdueshme në fazat përfundimtare (dy finale) të Ligës së Kampionëve tregon se ne jemi tashmë në mesin e klubeve të mëdha të Europës”.