Libri i gazetarëve serbë në 1981: Në Shqipërinë e Enver Hoxhës ka vetëm parrulla dhe propagandë, u zhduk edhe vetë zoti

1 Nëntor 2019, 21:35Dossier TEMA

Memorie.al publikon disa pjesë nga libri i panjohur për lexuesit shqiptar, të titulluar “Shqipëria e Enver Hoxhës” i cili është botuar në vitin 1981 në Beograd, nga një grup gazetarësh të agjensisë së shtetërore të lajmeve “TANJUG”, të ish-Jugosllavisë së Titos dhe të përkthyer më pas dhe botuar në gjuhën shqipe në Prishtinë. Çfarë thuhet në atë libër për regjimin komunist të Tiranës dhe personalisht për diktatorin Enver Hoxha?

Nga Dashnor Kaloçi

(Vijon nga dje)

Në faqet e “Zërit të Popullit” më së shpeshti botohen informata për terrorin, kriminalitetin, papunësinë, aferat dhe situatat e shumta ekscesive në vëndet kapitaliste e “revizioniste”. Sipas këtyre kronikave të “zeza” del se bota gjendet buzë konfliktit, se revolucionit botëror vetëm që nuk ka filluar, se të gjitha sistemet ekzistuese shoqërore janë në shkatërrim e sipër, pa marrë parasysh a është fjala për kapitalizmin apo për vëndet “revizioniste” socialiste. I vetmi vend në të cilin gjërat rrjedhin ashtu siç duhet, është Shqipëria, madje para së gjithash në sajë të “udhëheqësit të saj të madh trim dhe të mençur” Enver Hoxhës, i cili përsëri i vetmi vend në botë që i mbeti konsekuent “marksizëm-leninizmit”.

Kur ndokujt prej zyrtarëve shqipëtarë i thonë se Shqipëria është vend i “izoluar”, gati zemërohet. Një gazetari anglez që si turist kaloi “kontrabandë” deri në Tiranë, iu përgjigjën: “Kush mendon aq gabim për ne, le të vijë dhe do të bindet lehtë se nuk jemi të izoluar”. Përgjigja do të ishte e pranueshme sikur i huaji të shkonte në Shqipëri. Të marrësh vizën shqiptare është gati e pamundshme. Sidomos kur është fjala për gazetarin. Turistët në Shqipëri arrijnë në grupe të rralla dhe të vogla. Ky vend që ka pejsazhe të mrekullueshme dhe bregdet edhe më të bukur, nuk mban gati asgjë nga turizmi.

“Ne nuk dëshirojmë t’ua shesim vendin tonë turistëve ashtu si e bëjnë këtë vëndet kapitaliste dhe revizioniste-thonë shqiptarët duke shpjeguar pse në vend ka aq pak hotele dhe vetëm 5-6 mijë turistë në vit nga bota e jashtme. E edhe nëse nisen për në Shqipëri, turistët e huaj i presin befasi shumë të mëdha. E para nuk mund të arrijnë në këtë vend me automobilin e vet, e pastaj nuk mund të zgjedhin hotelin në të cilin do të banojnë, as të shkojnë në plazhin që u pëlqen më së shumti dhe as të udhëtojnë kah dëshirojnë. Në Shqipëri mbretëron “disiplina proletare” dhe çdo gjë e për çdo kënd është e përcaktuar. Përdoren shumë më tepër fjalët “ndalohet” ose “nuk lejohet” se sa “qytetari ka të drejtë” ose “lejohet”. Në Shqipëri thonë, nuk ekziston Ministria e Drejtësisë. Nuk ka më avoketë. Zyrtarët shqiptarë si pohojnë disa gazetarë të huaj thonë: “Sistemi ynë nuk ka nevojë për avoketë. Qytetarët tanë nuk u nevojiten personi i tretë, që do t’i mbrojë. Gjyqtarët e gjyqeve popullore të cilët i ka zgjedhur populli, shqyrtojnë të drejtat e qytetarëve”.

Qytetarëve shqiptarë nuk u lejohet të shkojnë pa leje prej një vendi në tjetrin, e as të mund të udhëtojnë nëpër vend. Për shkuarje në botën e jashtëme as që mund të flitet, përveçse për anëtarët e delegacioneve zyrtare dhe grupet mjaft të rralla kulturoro-artistike e sportive. Turistë shqiptarë nuk mund të takohen në botë. Shqiptarët, kryesisht nuk dinë ç’ngjet në botë. As vetë udhëtojnë, as u vjen kush. Kur u arrijnë kushërinjtë nga bota e jashtëme, nuk mund t’i vizitojnë në shtëpi. Takimet e bisedat e farefisninsë, zakonisht i zhvillojnë në hotelet e caktuara për këtë punë. Por, që popullit t’i tregojë të paktënm deri diku, se vëndi nuk është vetem, se Shqipëria ka miq, regjimi i Enver Hoxhës sjellë shpesh në Tiranë delegacionet e partive marksiste-leniniste nga vëndet e Europës Perenmdimore dhe disa shtetet të tjera. Këto janë ato parti të vogla dhe të dopta, aventuiriste politike, të cilat, ashtu si ngjau kjo shumë shpesh në historinë e dekadave të kaluara, veprojnë si “filiale” të tyre të huaja, të ashtuquajtuarave “parti amë”.

Në disa raste kemi të bëjmë me parti të cilat kanë nga vetëm disa dhjetra antarë, edhe në rastin më të mirë nga disa qindra. Ngënjëherë vetem një! Këto parti “marksiste-leniniste” betohen për besnikëri ndaj Stalinit dhe “trashëgimtarit” të tij, Enver Hoxhës, shumë shpesh botojnë edhe gazetë të vetën, mbajnë kongrese, aprovojnë rezoluta, i dërgojnë Tiranës telegrame dhe urime, shpërndajnë proklamata. Natyrisht me ndihmën financiare të “padronit” të vet, në këtë rast, Tiranës. “Delegacionet” e tilla, të përbëra prej njërëzve të hurit dhe të konopit, paraqiten shpesh edhe në Tiranë, çojnë zërin nëpërmjet faqeve të shtypit shqiptar dhe kështu ndihmojnë Hoxhën t’u tregojë shqiptarëve se nuk janë vetëm, se leninist-marksistët e vërtetë janë me ta, se Meka e marksizëm-leninizmit të sotëm, gjendet pikërisht në Tiranë. Enver Hoxha sillet ndaj popullit të vet, si ndaj të miturit. Kujdesin për të e mori përsipër ai. Çdo gjë është e rregulluar me dekretet dhe “direktivat” e udhëheqësit.

Shqipëria është “vend parrullash”. Të këtillë e panë ata që arritën për vizitë në Shqipëri nga bota e jashtme. Parrullat duken në çdo hap. Ato bombardojnë qytetarin, nga fasadat e ndërtesave në rrugë, prej pullazeve të shtëpive, nga transparentët e tërhequr në gjerësitë e rrugëve, prej gazetave, prej radios, e madje prej shpateve të bjeshkëve. Shqipëria është kombi i ri dhe shumica e banorëve të saj mësojnë dhe shkollohen. Në shkolla, sigurisht, mësohet edhe për “rrethimin revizionist” të Shqipërisë, se Partia e Punës së Shqipërisë është e vetmja parti e vërtetë marksiste-leniniste në botë. Shqipëria është e vetmja që ka të drejtë, të gjithë të tjerët janë në rrugë të gabuar, të gjithë të tjetërt që kanë ndryshuar rrugët, janë të mashtruar, gjenden në binarin e tradhëtisë dhe revizionizmit. Dhe shumë prej tyre janë “armiq të Shqipërisë”. Dhe në çdo çast mund ta gëlltisin.

“Në Shqipëri, askush nuk paguan tatim, e qeveria jonë komuniste ka mjaft para”. Si funksionon kjo formulë, që është e shkruar në një dokument zyrtar shqiptar, nuk shpjegohet askund, por nuk është aspak e vështirë të kuptohet e vërteta se shteti ka marrë mbi vete “tërë kujdesin për njerëzit”, kështu që ata s’kanë nevojë të vendosin gati për asgjë. Në vend pra, çdo gjë funksionon ashtu siç është caktuar.

Sipas shënimeve të KQ të PPSH-së, i shpallur me rastin e zgjedhjeve të përgjithëshme të fundit në vend, del se prej 1.436.289 zgjedhësëve në vend votimi nuk doli vetëm një. Vërtet, është vështirë të gjendet në këtë rruzull botëror shtet në të cilin disiplina elektorale e qytetarëve arriti shkallë të tillë përsosmërie!? Ndërkohë, prej revolucionit e deri më sot, Shqipëria përparoi bukur shumë, edhe pse gjendet edhe më tutje, mu në fundin e listës evropiane të gati të gjithë treguesëve të zhvillimit ekonomik, dhe të standardit jetësor të qytetarëve. Analfabetizmi është çrrënjosur plotësisht, të gjithë qytetarët janë të siguruar nga pikëpamja shëndetësore dhe sociale, prodhimtaria industriale e cila startoi gati nga zero, u shtua rreth 80 herë.

Por, shqiptarët, jetojnë edhe sot në varfëri. Rrugët dhe qytetet e Shqipërisë janë ende të rezervuara për këmbësorët dhe biçiklistët. Automobila privat s’ka aspak. Ekzistojnë disa automobila shtetërorë, madje në rend të parë, asi me të cilët voziten (udhëtojnë) udhëheqsit shtetërorë dhe partiak. Anëtarët e byrosë Politike të Partisë së Punës së Shqipërisë, vozisin me mercedesa. Kurse ministrat dhe zyrtarët më të ulët, shfrytëzojnë automobilat të markës “Pezho” dhe “Fiat” polak. Shqiptari i rëndomtë, pra, nuk vozit me automobil, nuk ka ende televizor me ngjyra, ende nuk mund të shoh disa filma të njohur evropian e as të blejë shtypin e huaj nëpër kioska. Kur është fjala për të ardhurat, barazimi është parim zotërues. Të ardhurat më të vogla sillen rreth 500, e ato maksimale rreth 1.250 lekë.

Raporti i lekut ndaj dinarit tonë është 1:4.5 që do të thotë se rrogat sillen prej 2.250 deri në 5.625 dinarë. Çmimet e bukës, qumshtit dhe perimeve janë të ulta, por çdo gjë tjetër është bukur e shtrenjtë. Kilogrami i sheqerit, kushton 8 lekë, litri i vajit 17. kilogrami i mishit rreth 35. e televizorit bardhe e zi 4.OOO lekë. Qyetarët, ndryshe, kanë mjaft para të kursyera, por me ato mund të blejnë pak gjë. Mu për këtë arsye ata kanë kursime të mëdha. Gati tërë toka është në duart e shtetit. Afër 80 % gjenden në kooperativat fshatare të punës, e 20 % në prona shtetërore, kurse vetëm 0.25 % në duar private. Këto të fundit janë parcelat rreth shtëpive. Deri tani çdo familje mund të ketë një parcelë prej 10 dynym, një lopë dhe dhjetë dele. Lajmet nga Tirana thonë se shumë njerëz gjatë vitit 1981 “vullnetarisht” ja dhanë shtetit për grumbullim këto dele. Sipas lajmeve më të reja nga Tirana ekzistojnë “perspektiva” që këto parcela të zvogëlohen dhe një ditë të zhduken krejtësisht.

Ndërkohë, po vazhdon sindroma shqiptare e shtetrrethimit. Këtë vend të vogël, Enver Hoxha po e kthen kundër tërë botës. Në këtë “ujdhesë” që sot është, në se jo e fundit, atëhere kështjella më e qëndrueshme e stalinizmit, sundon një njeri i vetëm-Enver Hoxha, i cili këtë sindromë të këmbëngultë të shtetrrethimit, në këtë krijim paranojak të armiqve të Shqipërisë, ndërton, mban dhe zgjat pushtetin e vetvetes.

Në librin “Shqipëria e Enver Hoxhës” të shkruar në vitin 1981 nga disa gazetarë të agjensisë shtetërore të lajmeve të Beogradit, “TANJUG”, në “radiografinë” që i bëhet regjimit komunist në Shqipëri, autorët janë ndalur edhe në vendimin e Tiranës zyrtare për ndalimin e besimeve fetare dhe mbylljen e objekteve të kultit në të gjithë vendin. Lidhur me këtë, në mes të tjerash në libër thuhet: “Para 14 vjetësh Enver Hoxha zhduku edhe vetë zotin. Thjesht u tha se zoti nuk ekzistonte më, se në xhami dhe kisha askush s’guxon të shkojë më. Më se 2 mijë kisha dhe xhami u rrëzuan. Mbetën në këmbë vetëm ato që u shpallën përmëndore historike dhe në të cilat kryqi dhe gjysëm-hëna, u zvëndësua me yllin pesëcepësh dhe me parrulla marksiste. Krahas me ndalimin e religjionit u nxorr dhe dekreti që të unifikohen përmendoret mbi varret e të gjitha religjioneve dhe të gjithë qytetarëve. Në atë dekret u përcaktua ç’ka kush mund të veje mbi varrin e të afërmit të vet. Shenjat e vjetra mbi varre, me karakter fetar, shënuan kronikët nga Tirana, u zëvëndësuan me shenja të reja?

Pas këtëij vendimi, 2169 xhami, kisha e manastire, dhe qëndra të tjera “të errësirës dhe misticizmit”-u mbyllën, u bënë rrafsh me tokën, ose u shëndrruan në qëndra rekreative, depo e vende mjekimi. Priftërinjtë dhe hoxhallarët u shpërndanë dhe shumë prej tyre u dërguan në kampe pune, “punë përmirësimi dhe riedukim”. Kur nxorrën këtë dekret, me të cilin zhdukën zotin, shqiptarët thanë: “Shqipëria është vendi i parë ateist në botë”. Regjimi këtu bëri dhe një hap më tutje, prandaj njerëzve me emra të “papërshtatshëm” nga pikëpamja ideologjike, morale, ose fetare, iu urdhërua t’i ndërrojnë këto. Në Shqipëri, gjithashtu, ceremonia funerale është e përcaktuar me dekret”.

Në mes të tjerash në librin e tyre të titulluar” Shqipëria e Enver Hoxhës” gazetarët jugosllavë të “TANJUG”-ut, janë ndalur edhe në rëndësinë e madhe që i kushtonte Tirana zyrtare mjeteve të propagandës së saj. Lidhur me këtë, aty thuhet: “Nëpërmjet burimeve të informimit për Shqipërinë mund të dëgjohet vetëm ajo e vërtetë të cilën e lançon, zgjedh dhe çensuron makineria e fuqishme propagandistike e Enver Hoxhës. Me ndihmën e shënimeve krahasuese, disa gazetarë të huaj llogaritën se propaganda shqiptare ndaj botës, për nga vëllimi është e shtata në botë, megjithëse Shqipëria hyn ndër vëndet më të vogla në planet. Radio Tirana ka emisione për botën çdo ditë në dymbëdhjetë gjuhë. Shqiptarit iu ofrohet vetëm ajo që e zgjedh regjimi, vetëm atë qytetari mund ta dijë. Dhe azgjë më shumë. Sipas Enverit, nuk ka të vërtetë tjetër përveç asaj që ofron Radio Tirana, stacioni me forcë prej 2000 kilovatësh, dhe “Zëri i Popullit” që që shitet në 110.000 ekzemplarë. Në radio-aparate mund të dëgjohet Radio Tirana, kjo është rregulluar kështu teknikisht, kurse pranimi i programeve të huaja televizive pengohet. Kështu që shqiptarët të mos mund të shohin çka ngjet në botën fqinje. Vetëm në Tiranë rrëfejnë njerëzit që jetuan atje, janë vendosur 16 aparate pengues (zhurmuesë. Shënimi ynë) për pranimin e programeve të huaja televizive, në rend të parë atyre nga Jugosllavia. Anëtarët e partisë si dhe punëtorët në ndërrmarje duhet të “informojnë” dhe ngrhen “ideologjikisht”, ndërsa “agjitatorët” profesionistë të cilët përgatiten në qendër, sipas nevojës dërgohen në terren. Në hallkat e fabrikave gjatë orarit të punës nëpërmjet radios më së shpeshti emitohen pjesë të fjalimeve të Enver Hoxhës, konkluzione të K.Q. të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe materiale të ngjashme. Për botën, shqiptarit i tregohet pak, shumë pak. Në faqet e “Zërit të Popullit” më së shpeshti botohen informata, për terrorin, kriminalitetin, papunësinë, aferat dhe situatat e shumta ekscesive në vëndet kapitaliste e “rivizioniste”.

Memorie.al

 

 

5 komente në “Libri i gazetarëve serbë në 1981: Në Shqipërinë e Enver Hoxhës ka vetëm parrulla dhe propagandë, u zhduk edhe vetë zoti”

  1. Mario says:

    Ne vend qe te hulumtosh o Nori, rri e ben copy/paste. Alamet pune ke, per t’u pasur zili. Shqiperia me te vertete ishte e varfer, por te pakten shqiptaret nuk jane mjeshtra genoncidesh dhe spastrimesh etnike si druzhet e tu, qe per 8 vjet bene 3 luftra dhe i vune flaken Ballkanit. Qenke indinjuar ti nga nje palo libri? Po ty o Nori te takon te nxjerresh ksi pacavure se te vjen ceku nga Beogradi me duket!

  2. Baliu says:

    Te gjitha “te metat” e regjimit mund te arsyetohen deri diku, por nje gje eshte e pafalshme pa diskutim. Ne ate kohe nuk eshte shfrytezuar rasti historik qe te gjitha emertimet e vendbanimeve me fjale te huaja, te shnderroheshin ne emertime shqipe.

    1. Sh. Gurra says:

      JO, BALI, se kjo është ide NACIONALISTËSH, ndërsa Anvari kultivonte internacionalizmin stalinist dhe Shqipëria u mbush me Svetlana, Vladimira, Marengela,
      Radio Tirana i quante serbët deri në vitet 70 e ca VËLLEZËR,
      ndërsa Nexhmija i kishte ende të freskëta netët idilike – trekëndet me person asistence seksuale Miladinin…
      Reflekset e atij mentaliteti “internacionalist” gjallojnë sot e kësa dite dhe drejtuesit e mediave tona herë-herë këshillojnë dhe parapëlqejnë bashkëshorti të shqiptarëve me sllavët e Veriores së Shkupit si mjet për të flakur nacionalizmat, por me rezultat fëmijët nga këto DYZIME të flasin e të kultivohen në frymën “internacionaliste”me tipare sllave.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje