SHËNIM: "Rrugëtim për Shqipërinë apo partinë?", refleksione nga estrada e fundit e Bashës në hotele me 5 yje, lokale dasmash dhe restorante luksoze për të dëgjuar hallet

6 Nëntor 2019, 12:24Blog TEMA

Partia Demokratike dikur mbushte sheshet kryesore të Shqipërisë, frymëzonte njerëz, dhuronte shpresë dhe shkaktonte entuziazëm të gjatë.

Duhet pranuar se ishte për t’u admiruar raporti i kësaj force politike me qytetarin, ku lidhja e tyre ishte aq biologjike sa shkonte përtej një vendi pune, një interesi personal apo më banalja, një pije falas që mund të merrte në një takim.

Atëherë PD-ja ishte vërtet PD, dhe posedonte aq shumë oksigjen brenda strukturave të saj sa kushdo pavarësisht mëkateve të shumta që kjo forcë politike kishte, gjente frymëmarrje në çdo seli.

Duke parë këtë humbje filli, kryedemokrati Lulzim Basha ka menduar që të ndërmarrë një fushatë nëpër rrethe për të ringjallur PD-në e dikurshme e cila në kujtimet e shumëkujt ka nisur të venitet duke lënë pas veç një nostalgji që herë pas here ushqehet nga videot e hershme në You Tube.

Por ta nisim që në krye: “Rrugëtim për Shqipërinë” është slogani i prezantuar nga Basha për fushatën e re ku në postet e përcjella më shumë vëmendje i është kushtuar adresës se sa sloganit. Siç mund të shihet hapësirën më të madhe e ka vendtakimi se sa mesazhi kryesor që duhet përcjellë.

Për të mos u marrë pastaj me faktin që në banderolat e përcjella, janë zhdukur simbolet historike të Partisë Demokratike dhe janë vendosur ngjyrat e FRD-së së Bamir Topit.

Nëse do ta shohim gotën gjysmë plot, është mjaft pozitive që lideri i opozitës lë karrigen e zyrës për të takuar qytetarët e vendit të tij, për të dëgjuar problemet, për të qenë pranë nevojave të tyre dhe për të ofruar zgjidhjen e tij. Kjo do të ishte gjëja më minimalja që do ta bënte kushdo që drejton një forcë opozitare dhe e ka të qartë projektin e tij politik për t’i shërbyer qytetarëve dhe për të ardhur në pushtet. Padiskutim, më mirë takime sesa molotovë, kapsolla dhe tymnaja në mes të Tiranës.

Por nëse do ta shohim gotën gjysmë bosh, pretendenti kryesor për kryeministër këtë fushatë duket se e ka nisur në kushte shpejtësie si një peshqesh i pamenduar nga “këshilltarët mizerabël”.

Mënyra se si ka menduar ta konceptojë, dështon që në vend përzgjedhjen e takimeve ku deri më tani ka pasur veç hotele, lokale dasmash dhe restorante në qytetet kryesore për të dëgjuar qytetarin e zakonshëm, thua se ata do të shkojnë aty për gosti dhe jo për të qarë hallet dhe marrë zgjidhjet.

Do të ishte mëse normale ky ambjent nëse do të ishin takime veç me militantët e Partisë Demokratike, por cili do të ishte motive që një bujk nga Bradashesi i Elbasanit të shkonte të dëgjonte kryedemokratin në një hotel në Elbasan?

Cili do të ishte inkurajimi që një fermer nga Devolli të shkonte në një lokal në Korçë dhe të priste të dëgjonte fjalën e liderit të opozitës?

Cilat do të ishin arsyet që një qytetar nga Malësia e Madhe do të shkonte në Shkodër në një hotel për të takuar Bashën?

Deri më tani, të gjitha takimet janë organizuar në lokale, hotele, restorante apo salla dasmash duke u shkëputur plotësisht nga terreni ku janë pjesa dërrmuese e qytetarëve që ankohen për realitetin e tyre.

PD-ja që mbushte sheshet me qytetarë, nuk mund të mbyllet në restorante luksoze, nuk mund të burgoset në salla hotelesh dhe nuk mund të izolohet në lokale dasmash.

PD-ja që dhuronte shpresë duhet të shkojë aty ku është qytetari dhe jo qytetari të shkojë aty ku është ajo apo lideri i saj. Jo, në “qymeze pulash” mund të mblidhen veç ata që synimi nuk i shkon përtej një vendi pune në administratë duke ricikluar flamurin në çdo fushatë zgjedhore.

Nëse Basha nuk i mbush dot sheshet si dikur natyrisht është çështje tjetër, por ama sot kjo forcë politike ka nevojë për frymëmarrje dhe oksigjeni i vërtetë janë qytetarët tek të cilët duhet të dish të shkosh. Ky do të ishte rrugëtimi për Shqipërinë dhe jo për partinë. (TemA)

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje