Mes disa mungesave, lëndimeve, por edhe kushtëzimeve të tjera, jo vetëm teknike e taktike, trajneri Edy Reja ka ende dilema për formacionin, me të cilin do të startojë sonte ndaj Andorrës në “Elbasan Arena”.
74-vjeçari italian e ka thënë se në këtë ndeshje do të dëshironte t’iu jepte hapësirë dy debutuesve, Taulant Seferi dhe Florian Kamberi, por edhe të shihte në veprim emra të tjerë, që kanë pasur pak hapësira aktivizimi në këtë fushatë eliminatoresh.
Meqe jemi te debutuesit, do të ishte mëkat që Seferi, pasi bëri rolin e “spektatorit” në dy kualifikueset e muajit të kaluar, të kthehej sërish në klubin e tij pa e bërë “sefte” me kuqezinjtë.
Situata duket paksa ndryshe me Kamberin, sepse dje pësoi një lëndim në kavilje, gjatë stërvitjes, dhe duhet parë gjendja e tij në momentet e fundit.
Po për momentet e fundit ka mbetur edhe përgjigjja e FIFA-s, leja e saj që ky sulmues të luajë me Shqipërinë, pasi ka qenë pjesë e Zvicrës U-21 më parë.
Mëdyshje duket se ka edhe për krahët e mesfushës, në modulin 3-5-2, që do të propozojë sërish trajneri kuqezi.
Hysaj sapo është rikthyer nga dëmtimi, ka luajtur vetëm një ndeshje me Napolin, para se të vinte në kombëtare, ndaj mbetet të shihet nëse do ta nisë nga fillimi, apo më vonë, duke hapur krahun për Roshin si startues.
Në krahun tjetër, në të majtë, Trashi ka hedhur “themele” të forta me paraqitjen që bëri në Moldavi, por trajneri Reja do të donte të kuptonte edhe potencialin e Memollës në këtë rol.
E ku më mirë se në një ndeshje të tillë si ndaj Andorrës mund të eksperimentojë në emra dhe modul Reja, ndaj mbetet të shihet se cili nga këto dy emra do ta nisë mbrëmjen e sotme. Treshja e mbrojtjes duket e konfirmuar; Veseli-Ismajli-Gjimshiti, ashtu si treshja e brendshme e mesfushës, me Selahi-Ramadani-Ndoj. Në sulm, nëse nuk bëhet gati Kamberi, pritet të startojë dyshja Balaj-Uzuni.
Kuptohet, me kalimin e minutave, në varësi të rezultatit dhe situatave të lojës, trajneri Reja do të bëjë edhe zëvendësimet e lejuara, për t’iu dhënë mundësinë emrave të tjerë ta shënojnë emrin në protokollin e kësaj ndeshjeje, që objektiv kryesor ka fitoren, jo për t’u kualifikuar në grup, por për të thyer rekordin e pikëve të grumbulluara në një fushatë eliminatoresh.
Për “Euro 2016”, kuqezinjtë e mbyllën në kuotën e 14 pikëve në total, ndërsa sonte, me triumfin ndaj Andorrës, mund të shkojmë te “tavani”, 15 pikë, si asnjëherë më parë.