Aleksandër Çipa
Nuk e kisha ditur këtë fshehje të bukur, por të pafshehshme, këtë vlerë vetiake të tij. Tani që e mësova, nuk jam i vetëm në këtë mësim të vonuar, më duhet të pohoj për të, atë që ai e la si surprizë për këdo; për të njohurit dhe të panjohurit e tij. Paskësaj, Shpëtim Bajraktari, ka për të qenë emri me më shumë njohje pas largimit se sa gjatë gjalljes së tij. Në këtë mënyrë sfidojnë të talentuarit e heshtur.
“Sa ngadalë shembet koha në poezi”,-thotë Janis Ricos. Kjo e thënë do i shkonte në ditët e ardhme impresionit që ka për të lënë tek gjithë lexuesit libri i vetëm i tij “Vdekja e varrmihësit”. Një botim postmortum, një gjest nga ata që u shkojnë të talentuarve. Veprën numerike e lenë të paktë, si vdekja e cila është vetëm një dhe e njëcastshme, ndërsa veprën me jetë të pakohë, si ditët e pambarimta.
Libri “Vdekja e varrmihësit” është një antologji e vërtetë refleksioni dhe përsiatjeje. Eshtë një shpërthim i tekstuar, i njeriut që jetoi me cilësinë e të pabujshmit. Një antologji mendimesh poetike prej të talentuarit që kishte virtytin e modestisë, e të bindurit se dëgjueshmëria dhe pëlqimi në art nuk shkojnë vetëm dhe paralel me jetën fizike të tij. Pas leximit të këtij libri, unë si në një gjendje ëndërrkaluese, jam shprehur vetmevete: “Po ku u fshehe Njeri?! Ku e kishe fshehur këtë vete që s’ta njohëm kur frymoje ndër ne, kur t’i ishe i mishtë ? Këtë sfidë të humbur tani, si shumëkush prej miqve të tu, po e mbart në mendje, pa pasur mundësinë të bëj një korrigjim në marrëdhënien tonë të shkuar e të paplotë. Ku u fshehe Njeri? Shpëtim ku ike kaq thjeshtë?!” Do ta mbaj gjatë këtë retorikë në mendjen time për Shpëtimin.
Ajo s’ka lidhje me lotin klasik të jetëfikjes apo të fshehjes nën dhe, në arkën- akllaz të Shpëtimit. Kjo retorikë kërkuese ka lidhje me atë shpirt që na e mori sprovën dhe lojën e befasisë, duke na lënë, ta lexojmë pas mosqenies fizike të tij, këtë libër. Në këtë mënyrë, ai zgjodhi vetë shpalljen e vlerës së panjohur për të gjithë, të vetvetes. Kështu na la ne, të njohurit dhe të panjohurit e tij, në ndiesinë e pashqitshme dhe të pakapërcyeshme të uverturës së vet të heshtur. Këtë na e thotë vetë, pa qenë nevoja për shumë vramendje. Në poezinë e tij “Magjia që m’i mbyll sytë”, Sh.Bajraktari shkruan:” Mos më qortoni/S’më zuri gjumi/Unë Verdin symbyllur/E shijoj më ëmbël”.
Ne e kemi humbur mundësinë t’ia zhbëjmë rendin e tanishëm të mosshfaqjes fizike të tij. Ai na ka imponuar përmes librit të tij, rendin pa rend, të rikujtimit dhe përjetimit. Le të merremi me këtë libër, i cili në ciklet e tij ka kalenduar sipas vetëmendimit të poetit të larguar nën dhe, jo vetëm mendimet, por më së shumti vlrësimet, gjykimet dhe sidomos, principet e fisnikërisë reale dhe morale të qytetarit të shekullit XXI.
Poeti i autorësisë së këtyre cikleve, ishte individi i heshtur, që “cunamin” reargues apo refuzues e mbulonte me thellësinë e vetvetes. Ishte model tipikisht migjenian në heshtjen e vet, sikundër i tillë shfaqej edhe në fshehjen e së thënave që i la t’i shpallte pas mosqenies. Ai ishte poeti-artist, individi që mishëronte një valencë ta lartë dijenish dhe aftësish për shkrimin dhe artet vizive. Në këtë mënyrë ai kishte realizuar në vitet e jetës së vet, përmirësimin e
vlerave individuale, duke dominuar logjikisht vetveten, për të qenë sa më sqimatar në raportet me rrethuesit e aq më shumë, me publiken. Nuk rendi, por u njoh si “i thjeshti i palodhur”. Në të vërtetë, ai ishte fshikullanti i heshtur dhe refuzanti më i pamëshirë ndaj mediokritetit. E jetoi kohën e shoqërisë së sotme, siç e gjykon artisti real. Në mbrapshtësinë dhe tmerrin shtetrënës dhe anarkinë e vitit të zi ’97, Shpëtimi nuk mund ta linte jashtë shijimit uverturën për jetën. Në poezinë e tij “Shën Valentin ‘97” shkruan:” Në sfond- muzikë kallashnikovësh/ nëpër rrugë-hapa të shpejta/ Nëpër vendtakime-puthje të zbehta/ Nëpër zemra-ofshama të thella”. Vetëm një piktor dhe një zemërhollë si ai, mund ta nxjerrë tablon jetëdashëse, mbi atë gjendje ferri në të cilën ishte zhytur jeta dhe fryma e kombit në atë vit.
Por ai ishte poeti i pashpallur që kurrë nuk mund ta linte të pathënë te vetja, atë që mendonte dhe që e shihte si destinacion apo stacion vetiak në jetë. Nuk ishte fatalist, por me realizëm e peshonte ciklin natyral dhe fatal të jetës së njeriut në këtë kozmos.”…Vrapojmë të arrijmë/ një stacion të fisëm/ Por zbresim çuditërisht/ Aty, ku u nisëm” (Stacioni ku duam të mbërrijmë). Shpëtimi poet është ekzistencialist, por e dominon ekzistencën edhe kur ajo është e zhytur në pezm e trishtim social. Ai mbart një valencë të shkëlqyer filozofimi kur përvijon pa iluzione ciklin natyral të jetës njerëzore, Këtë kumptim social, ai nuk e neglizhon e nuk e shmang edhe kur gjendet në meditacionin e tij mistik për mënyrën se si do të “mbyllë rrethin”. Te poezia “Vajtimi i lypësit plak”, Shpëtimi është poeti-filozof mbërthyes: ”S’di si u linda/ Si u plaka s’di/ Që do vdes i vdekur/ natyrisht, e di…”. Nuk ka të thënë më të thjeshtë, por të thënë më të plotë, nuk mund të kërkosh. “Që do vdes i vdekur…” E bukur….si e thënë prej Pol Elyari….
Në librin “Vdekja e varrmihësit”, lexuesi fiton mundësinë të njohë aftësinë që autori i tij ka pasur për të njohur thellë shpirtin dhe kontrastin njerëzor. Ai ishte i heshtur si njeri në natyrën e vet psikologjike, por ai kishte aftësinë dhe natyrisht talentin, të shquante dhe deshifronte cdo gjendje asketike, çdo përvujtni izoluese. Në poezinë “Vajzat e manastirit” ai është realisht piktori i forcës dhe revoltës sociale, është poeti i rënë në reminishencë migjeniane: ”Brenda mureve të lagura/ Brenda dyerve të ndryshkura/ Gjalloni ju, rini të plakura/ frymoni ju, rini të vyshkura”.
Këtë aftësi të pabujë bashkëkohësit e tij nuk ia mësuan, lexuesit në kohë, kanë për t’ia njohur. Me këtë paradoks, do të udhëtojë në jetën e komunikimit përmes tekstit të vet, me lexuesit e panjohur në ditët e ardhme dhe në ditët tona poeti. Të tillë fatkeqësisht letërsia jonë ka shumë. Shpëtimi nuk do të përmendet në tekstet dhe pohimet e kritikës. Ndoshta ka për të qenë më pak i përmenduri, më pak i referuari. Por kjo është “çështje e të gjallëve”. Atij, atje në amëshim, nuk i vlen asgjë e thënë prej nesh. Ne, siç ndodh zakonisht me të mirët si ai, kemi nevojën dhe ndiejmë mungesën për t’u shprehur për mirësinë e tij të provuar dhe fjalëthënien poetike të panjohur. Me këtë absurd të bukur, ai përbën për ne dhe lexuesit e ardhmë, rastin e njeriut-poet befasues. Nuk mund të ndodhte ndryshe me të. Sepse ai në jetën tonë tamahqare, diti të lexonte drejt, krejt “tregun e jetës”. Për Shpëtim Bajraktarin, në këtë “treg”…”Nuk shiten e as blihen/vetëm dashuritë”.
Në këtë libër cdo lexues fiton dhe përballet me një mundësi fjale. Eshtë libri i një qytetari të “fshehur nën dhe”, i cili në të gjallë u shpreh: ”Vdekjen /e vdes/ duke dashuruar”.
Shpëtim Bajraktari është artisti i panjohur, me të cilin padallueshëm, mund të prezantohen të gjithë, nëse kanë në dorë këtë libër. Ai paskësaj bëhet poeti që ju vjen në ndihmë me të thënat që i kemi menduar,por nuk i kemi hedhur dot në letër në këtë mënyrë si ai. Poeti jetoi mes së bukurës dhe natyrisht universales, edhe kur ajo shfaqet dhe lihet pas, si e tillë në vesin dhe cilësitë e saj negative. E tillë është edhe “Sentenca e mërgimit”, sipas Shpëtimit, ku…”…të gjithë qentë e botës/ Kanë një gjuhë/ lehin e kafshojnë njëlloj”.
Me këtë gjurmësi të shumtë dhe komplekse të njeriut dhe njerëzve në përditshmëritë e jetës, me këtë kompleksitet ndërlidhjesh dhe përjetimesh, poeti ndërton konceptet e veta për gjendjet dhe përjetimet e tij si njeri. Në poezinë “Gjurmët”, Shpëtimi shkruan diçka të thjeshtë e cila formëson bukur mendimin e gjithkujt për gjurmët reale, qofshin ato edhe në formën e mallit:”../Ngulen thellë në zemra/ s’ka fshesë që i fshin/ vdesin aty brenda”.
Këtë vdekje të bukur, fisnikërisht për veten dhe dhembshurisht për familjen dhe miqtë e vet, zgjodhi Shpëtimi në ikjen e papritur dhe të parakohshme. Iku, duke na lënë të fshehur, në atë heshtje mbuluese të vetes, këto cikle poezish. Përmes tyre ne kemi sot dhe në të ardhmen, mundësinë të njohim më shumë e më mirë dhuruesin e tyre, Njeriun që na e la të shkruar uverturën e mendimeve të veta.
Madheshtor…I qofte dheu i bute! E kujtofshin ata qe e deshen dhe ata qe e lexojne!
Cipa,beje te njohur ne nje nga programet e shumta ,,politike,,refuzo diskutimet idiote ku dhe ti mjaft here behesh protagonist dhe fol per kete ze te fuqishem,te padegjuar ne shkretetiren shqiptare te artit dhe kultures ,,baftiar,, .