Pak pas mesnate, grupet e kërkim-shpëtimit kanë gjetur dy trupat e fundit të pajetë nga rrënojat e dy ndërtesave të shembura në Durrës:
Atë të Ilir Lalës në vilën 4 katëshe në Kënetë të Durrës, aty ku tragjedia goditi më fort me vdekjen e 8 anëtarëve të një familjeje.
Dhe të Xhuljeta Gjonajt në pallatin tek “2 Gjelat” po në qytetin bregdetar.
Pika e vetme ku po vijojnë kërkimet, janë rrënojat e hotel Mira Mare, ku dyshohet se ka ende persona nën to.
Këtë e ka konfirmuar edhe Ministria e Mbrojtjes.
Nga gërmadhat e kësaj ndërtese u nxor i pajetë pasditen e djeshme 41-vjeçari, Sotiraq Misha, por dyshimet janë se nën rrënojat e këtij hoteli janë edhe dy vajza që punonin aty si balerina.
Fillimisht grupi shqiptar i kërkim-shpëtimit tek hotel Mira Mare i ndërpreu gërmimet, por një grup shpëtuesish kroatë këmbëngulën të vijohej.
Ata thanë se qentë nuhatës kanë dhënë sinjal se nën rrënoja ka ende persona, kështu kërkimet do të vijojnë më tej.