Sulmuesi i Kombëtares shqiptare, Myrto Uzuni, ia dedikon golin e djeshem Shqipërisë dhe njerezve te prekur nga tragjedia qe shkaktoi termeti.
Futbollistët shqiptar që luajnë me Lokomotivën e Zagrebit dolën në fushë me fanela speciale.
“Ti Shqipëri më jep nder, më jep emrin shqiptar! Gjatë këtyre ditëve të vështira që po kalon vendi jonë, kuptojmë sa të pafuqishëm jemi përballë nënës natyrë.
Kuptojmë sa e rëndësishme është jeta, dashuria që i falim njëri- tjetrit, sa shumë shpresë që kemi brenda vetes në momentet kur gjithçka tenton të përmbyset në vetëm pak sekonda.
Nuk jemi të përjetshëm, por kurrsesi nuk mund të jemi dhe kaq të përkohshëm. Dhimbje e madhe për gjithë shqiptarët për jetët e humbura, trishtim për situatën e vështirë që po kalon ky vend.
Rikuperimi është i vështirë por jo i pamundur. Solidarizimi i pakufi nga të gjithë bashkëkombësit tanë na mbushi zemrën plot, duke na treguar që nuk kemi qenë e nuk do jemi kurrë vetëm.
Nëse ka diçka të rëndësishme që të gjithë duhet të kuptojmë nga ngjarje të tilla është të BESOJMË fort, të MBËSHTESIM këdo, t’i japim VLERË e kuptim çdo momenti të jetës! Jemi të gjithë bashkë për 1 qëllim, për Shqipërinë tonë! Goli për ty Shqipëria ime, që po vuan në këto ditë festash!”, shkruan Uzuni.