Nga Eduard Zaloshnja
Studimet epidemiologjike botërore të plagosjeve (fatale e jofatale) nga tërmetet tregojnë se 99.9% e plagosjeve fatale ndodhin prej godistjes kryesore të tërmetit, ose në ndërtesa të dëmtuara strukturalisht nga goditja kryesore. Në tri dekadat e fundit, kanë vdekur mesatarisht në vit 20 mijë njerëz nga tërmetet, por vetëm 20 (0,1%) nga pasgoditjet në ndërtesa të padëmtuara strukturalisht prej goditjes kryesore.
Këto të dhëna të literaturës shkencore botërore duhet ta inkurajojnë Ministrinë e Arsimit që të rihapë shkollat në të gjithë vendin – jo vetëm në 9 qarqet e paprekura nga tërmeti i 26 nëntorit.
Kuptohet që në qarqet Durrës, Tiranë e Lezhë, të cilat janë goditur rëndë materialisht e psikologjikisht nga ai tërmet tragjik, nuk mund të bëhet fjalë për një proces të rregullt mësimor. Fëmijët, madje edhe mësuesit e tyre, janë shumë të tronditur për të vazhduar procesin mësimor sikur asgjë s’ka ndodhur.
Sidoqoftë, vetë vajtja e fëmijëve në shkolla, ku mund të zhvillojnë aktivitete të ndryshme në ditët e para, i rikthen fëmijët në rutinën e shkollës, ndërkohë që i lejon edhe prindërit të shkojnë në punë (në vend që të rrijnë me fëmijët në shtëpi). Dhe kthimi i normalitetit të vajtjes në shkollë mund të sjellë edhe normalizimin e familjeve të traumatizuara të tri qarqeve të godituara rëndë nga tërmeti. Programi mësimor në këto tre qarqe mund të rikuperohet më vonë – normalizimi psikologjik i fëmijëve dhe i prindërve të tyre ka shumë, shumë më tepër rëndësi në këtë javë pas tërmetit.
Po me shkollat e dëmtuara strukturalisht ç’mund të bëhet?
Ndërkohë që ministritë e tjera janë të tejngarkuara me përballimin e situatës emergjente që krijoi tërmeti i 26 nëntorit, Ministria e Arsimit mund ta japë kontributin e vet më të çmuar, duke i shpërndarë fëmijët dhe mësuesit e shkollave të dëmtuara në shkollat fqinje të padëmtuara.
Siç u theksua më sipër, këtë javë mësimi nuk është parësor – parësore është vajtja e fëmijëve në shkolla!
Zaloshnje..nuk je ne rregull me duket,si mund te shvillosh mesim me 100 vete ne klase,per cfar duhet te shkojne femijet per te bere gallat, sic shprehesh zotrote,” nuk ka rendesi mesimi ,rendesi ka vajtja ne shkolle” mesa di une ne shkolle vihet per te mesuar, dhe jo te shohesh dy syte e bukur te mesueses.lol