Gramoz Ruçi: Grupi i partive të djathta pushon së ekzistuari

5 Dhjetor 2019, 10:23Politika TEMA

Kryeparlamentari Gramoz Ruçi ka njoftuar se grupi i deputetëve të djathtë ka pushuar së ekzistuari.

Kjo sipas tij vjen pas dorëheqjes së katër ligjvënësve nga ky grup.

Fjalimin e tij ndërkohë, Ruçi ia kushtoi tërmetit të 26 nëntorit.

Fjala e plotë 

Të dashur qytetarë të Shqipërisë,

Zonja dhe zotërinj deputetë,

Kjo seancë është e para pas tërmetit shkatërrimtar të 26 nëntorit.

Në kujtim e nderim të 51 viktimave të tërmetit të 26 nëntorit, ju ftoj të gjithëve të mbajmë një minutë heshtje.

U prehshin në paqe!

Të nderuar deputetë,

Para se të fillojmë me rendin e ditës, dëshiroj të ndaj me ju disa refleksione të miat, pas dhimbjes prej goditjes që na dha natyra.

Refleksioni i parë është mësimi prej humanizmit, solidaritetit dhe sakrificave të shqiptarëve kudo ku ndodhen, në Shqipëri, Kosovë, trevat e tjera shqiptare dhe në diasporë.

Ne, ligjvënësit, duhet ta lexojmë sjelljen e qytetarëve e bashkëkombasve tanë.

Falenderoj të gjithë deputetët që në këto ditë u gjenden dhe janë pranë qytetarëve.

Vlerësoj përgjegjësinë, masat e impenjimin e Qeverisë për masat emergjente dhe përgatitjet për zgjidhjet afatgjata.

Falenderoj të gjitha palët politike, përfshirë opozitën, që dhanë shenja mirëkuptimi e vënie të jetës së qytetarëve mbi interesat politike dhe elektorale.

Por motrat dhe vëllezërit tanë të goditur nga tërmeti, të gjithë shqiptarët kudo ku janë, presin që relaksimi i betejave të stërzgjatura politike, të pasohet nga bashkëpunimi politik.

U bëj thirrje të gjitha palëve që si një lutje për shpirtin e 51 viktimave, të ndjejmë apelin e familjarëve të tyre, të njëmijë të lënduarve, të mijra familjeve që mbetën të pastreha, të nxënësve që u janë rrënuar shkollat dhe të bashkëpunojmë për tua lehtësuar dhimbjen.

Refleksioni i dytë lidhet direkt me punën tonë si ligjvënës të Republikës.

Gjatë viteve të fundit, por edhe gjatë këtyre tri dekadave, kemi kemi bërë reforma, kemi miratuar kode e korpuse të tërë ligjesh, të cilët kanë ndihmuar zhvillimin e Shqipërisë dhe përmirësuar mirëqenien e qytetarëve.

Por 26 nëntori na zgjoi dhe na kujtoi se diçka nuk e kemi bërë si duhet.

Unë do t’i ndaja ligjet që janë miratuar në dy grupe të mëdha: ligje që rregullojnë punët e shoqërisë dhe ligje që rregullojnë marrëdhëniet e bashkëjetesën tonë me natyrën.

Është e pamundur që në pak ditë të formosh një gjykim mbi papërsosmërinë e ligjeve tona. Por në këtë grup të dytë, mendoj se ka diçka që nuk shkon.

Prandaj mendoj se legjislacioni mbi tokën, mjedisin, ndërtimet, ujrat, parandalimin e fatkeqësive natyrore e çështje të tjera që lidhen me natyrën, burimet, pasuritë, por edhe kapriçiot e saj, nuk është thjesht i papërsosur.

Dyshoj se në mjaft çështje nevralgjike të kompetencave tona mbi natyrën dhe menaxhimin e marrëdhenieve me mjedisin, kemi probleme.

Ne, të nderuar kolegë, mund të merremi vesh shumë mirë me njeri-tjetrin. Mund të hartojmë ligje që na përshtaten ne dhe duket sikur i përshtaten edhe Shqipërisë. Por a mbështeten të gjitha ligjet tona në mirëkuptimin me natyrën dhe ligjësitë e saj?

Natyra mund të jetë e pabesë. Por pabesia e saj rritet në proporcion gjeometrik me paditurinë, abuzivizmin dhe pabesinë tonë ndaj natyrës.

Nuk rikthehem në pozitat e të Drejtës Natyrore nëse mendoj dhe kërkoj që ligjet që miratojmë nuk mund dhe nuk duhet tu kundërvihen ligjësive të natyrës, të cilat janë universale, të pandryshueshme e të përjetshme.

Refleksioni i tretë lidhet me instrumentat që përdorim për të zbatuar ligjet që kemi miratuar. Sidomos korpusin e ligjeve të bashkëpunimit e bashkëjetesës me natyrën.

Nga ky korpus po veçoj bllokun e ligjeve për ndërtimet. Tërmeti i 26 nëntorit na kujtoi se kemi nevojë për një veting të thellë, për të verifikuar kualifikimet, aftësitë, agjencitë, procedurat, rregulloret, liçencimet dhe lejet për të ndërtuar.

Jo vetëm që ligjet nuk i kemi të përsosura, por edhe të tilla po të ishin, ato mund të kompromentohen e helmatisen nëse në këto instrumenta e mekanizma mbizotërojnë abuzivizmi dhe korruptimi.

Natyrisht, të verifikojmë sa përmenda më sipër, nuk është një punë e lehtë dhe kërkon vision, kohë, energji e vullnet.

Por unë mendoj se duhet të nisim të mendojmë për këto gjëra, që të mund të marrim masa afatgjata.

Mendoj se Kuvendi, krahas ekzekutivit, duhet të marrë pjesën e vet të detyrës në këto rishikime ligjore. Për të cilat duhet të thërrasim e bashkëpunojmë me ekspertët më të mirë që ka vendi e bota.

Natyrisht, ne nuk mund të ndalojmë dhe as ndryshojmë ligjësitë e natyrës.

Por mund të rrisim shkallën dhe kapacitetet mbrojtëse ndaj tyre. Mund t’i minimizojmë pasojat, në vend që t’i shumëfishojmë ato. Për ndryshe, një fatkeqësi natyrore si tërmeti, nuk mbetet vetëm natyrore.

Së fundi, dëshiroj tju informoj se unë si Kryetar i Kuvendit u kam shkruajtur të gjithë Kryetarëve të Parlamenteve të vendeve të BE-së, Presidentes së  Dhomës së Përfaqësuesve dhe Presidentit të Senatit të Shteteve të Bashkuara, kryeparlamentarëve të vendeve fqinje, si edhe të gjitha vendeve tona partnere e mike, nga Kanadaja në Japoni, për t’i falenderuar për ndihmën bujare emergjente ndaj vendit tonë si edhe për të kërkuar mbështetje financiare për zgjidhjen e qëndrueshme e afatgjatë të problemit të strehimit dhe nevojave të tjera të banorëve të zonave të prekura nga tërmeti.

Jam i bindur se mbështetja e vendeve mike e partnere nuk do të na mungojë.

Ju faleminderit.

7 komente në “Gramoz Ruçi: Grupi i partive të djathta pushon së ekzistuari”

  1. Monopoli says:

    Bravo Gramoz ..
    Ja arritët kësaj dite.
    Mirë keshtu vetëm
    Se mos deri sot keni qenë shumë parti.
    Përsëri një pemë ishte me ca degë..
    Tani ja arritët kësaj dite..
    Ngeli vetëm trungu..
    Ehhhh sa do me ardh demokracia e vërtetë në AL..
    Seicili për vete..
    Aftësi shumë te vogla dhe të cekta shtet-formuese..
    E ardhmja në ???

  2. Kiri says:

    Asnje reforme nuk eshte bere per tri dekada,pa toke pa gjykate pa ushtri vjedhje te medha,falje toke,deti,zevendesimin e heronjve me hajdute,shkrirje institucionesh, populli i lene ne meshire te fatit po me shprese te ju.

  3. TA says:

    kujdes tema ne titujt qe vendos,une nuk lexova aty per partite e djathta???

  4. cipini says:

    Gramozi komunist e vjeter, per cudi mbas 30 vjet kryetar Parlamenti ne “demokraci”. Po, kjo eshte e vertete. Po ku jane te djathtet qe u persekutuan per pesedhjet vjet, ku jane bijte e nacionalisteve e te ballisteve? Po vertetojne qe nuk kane force te marrin pushtetin, ashtu sic ndodhi me baballaret e tyre ne luften e kaluar qe nuk qene ne gjendje te mposhtenin komunizmin e Enver Hoxhes. Me kete duhet te kuptojne qe duhet mbyllur goja e mos ankohen, se pushteti nuk dhurohet por merret.

  5. Peço says:

    Rrofsh shoku Gramoz për sihariqin që na dhe!
    Ja, tani ne vazhduesit e veprës së “ndritur të Partisë dhe shokut Enver” ndihemi të lumur dhe na zë gjumi rehat. Porosia e shokut Ramiz, “të bëjmë sikur do vendosim demokracinë, por të ruajmë si sytë e ballit pushtetin që kemi fituar me gjak” më në fund u realizua. Përsëri jemi vetëm në drejtim. Për këtë meritë kanë bijtë e lavdishëm të Partisë, Sali Berisha, Gramoz Ruçi, Ilir Meta dhe Edushka. Partia nuk ka për tua harruar kurrë inteligjencën (sidomos ajo e Edit; sill një palë eshtra armiku dhe shporr qindramijra nga vëndi ) që treguan për ruajtjen dhe mbrojtjen e pushtetit tonë. Ata, në mënyrë gjeniale, ditën si të shporrnin masivisht kundërshtarët. Berisha, Ruçi,Meta dbe Edushka ja kaluan edhe vetë Shokut Enver, ai na la vetëm “partinë të pastër si kristali” nga armiqtë, këta e shtynë akoma më tutje, po na lënë çdo ditë e më të pastër Shqipërinë.

  6. ***** says:

    Shaq komentet.

  7. Miku says:

    Gramoz, ku ka patur ndonjehere te djathte.Nje here e merte pushtetin, komunisti Sali, nje here komunisti Gramoz, me soj sorrollop te komitetit qendror te PPSH.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje