Të gjithë mëkatarët që zbuloi tërmeti

7 Dhjetor 2019, 18:29Blog TEMA

Nga Lorenc Vangjeli

Ende pa u zbuluar emri i kryeprokurorit të ri, tërmeti i nëntorit i kishte diktuar atij udhërrëfyesin e parë të politikës penale të nesërme.

Shpërdorimi i detyrës, ndërtimi i paligjshëm dhe dhënia e ndihmës për ndërtim të paligjshëm, është trinomi aspak i shenjtë i akuzave që prokuroria do të duhet të ngrejë në emër të interesit publik. Zbulimi dhe ndëshkimi i fajtorëve për to është shansi domethënës për të gjetur një përgjigje shterruese për marrëzinë totale në të cilën Shqipëria ka përfunduar në tre dekada pothuaj demokraci, në të cilën ka ngatërruar lirinë me anarkinë.

Tre akuzat do të mund të zbulojnë identikitin fatal te politikanit që ka drejtuar në këtë vend, por nuk ka qeverisur.

Tre akuzat do të mund të vizatojnë portretin e qytetarit shqiptar, që është i përbashkuar në një shoqëri, por nuk ka mundur ende të ndërtojë komunitet.

Tre akuzat do të mund të theksojnë hipokrizinë absolute, padijeninë e thellë dhe hilen reciproke të marëdhënies së ligë dhe me interes të lig, krijuar mes votuesit dhe të votuarit.

Tre akuzat do të mund të dëshmojnë se politika dhe qytetari, veç e veç dhe të dy së bashku, kanë dështuar të bëjnë minimumin e parashikimit për atë që sjell e nesërmja, por janë ngrysur nën peshën e faktit të kryer dhe janë gdhirë me peshën e faktit të ndodhur.

Emrat e njerëzve që janë fajtorë për këto tre akuza, janë shumë të njohur ndër shqiptarë. Duhet vetëm që atyre t’u lexohen gjeneralitetet në gjykatë.

Në bankën e akuzës duhet të ulen ata që nuk mundën të kontrollojnë dhe orientojnë fluksin e pashmangshëm të migracionit të brendshëm. Ata që e trajtuan këtë ardhje si rezervuar votash dhe shpikën me të pazarin e ndyrë: të legalizoj vjedhjen nëse më jep votën.

Të djathtët në fillim dhe më pas të majtët që e çuan në perfeksion këtë pazar, u sollën me grabitësit e tokës dhe ndërtuesit nga halli në fillim dhe makutërinë e maskarenjve në vijim, në mënyrën më të gabuar të mundshme. Pa ide, por me egoizëm, pa vizion, por me ligësi, në emër të pushtetit, ata kane vrarë se bashku idenë e shtetit të përbashkët.

Vala e parë e migrimit të brendshëm, në gjysmën e parë të viteve 90-të, u adresua në mënyrën më idiote të mundshme. Duke nisur nga atëherë, ajo që mund të groposë gjithë vendin në humnerë sot, atëherë mund të kontrollohej vetëm me dy gjeometra dhe një arkitekt; specialistët duhet vetëm të vizatonin katrorë që do të simbolizonin truallin e banesave private, të shkollës, të qendrës shëndetësore, të terrenit sportiv, të parkut, kurse vijat e hequra në vizatim do të tregonin ku do të kalonin rrugët e nesërme.

Nuk e bënë dhe në këmbim të kësaj thagme, në periferi të Tiranës, Durrësit dhe kudo tjetër gjetkë në Shqipëri, u ndërtua për lemeri të zotit, për atentat ndaj syrit, për poshtërim të etikës dhe marje nëpër këmbë të vetë nevojës, geto të shëmtuara dhe jo funksionale. U hodhën para, por pa mend.

Eshtë paguar një shifër e frikshme për fjetina të shëmtuara, të cilat janë përgjithësisht të kota. Me shumë gjasa, sidomos në Ultësirën Perëndimore, kushton më lirë shkatërrimi dhe më pas rindërtimi në fshatra normalë, të grupuar e të urbanizuar të atyre banesave, sesa lënia pezull e kësaj situate.

Pothuaj të gjitha ato ngrehina janë kliente për tërmetet e përmbytjet e rradhës. Janë lëngim e jo zgjidhje, janë problem për t’u zgjidhur dhe jo zgjidhja e problemit. Shpejt, me gjasë në harkun e një dekade, ky problem me shumë gjasë do të zgjidhet pikërisht kështu.

Kush ka hipur qoftë dhe njëherë në avion, e kupton katrahurën që i ka bërë shqiptari i marrë Shqipërisë. Në këtë kuptim, tërmeti ishte dëshmia fatkeqe se ligji  i legalizimeve ishte dështimi i një kompromisi të lig e të heshtur që kanë bërë të gjitha palët me njëra-tjetrën.

Jo më pak, e rëndësishme, por që vlen për të kuptuar ca emra të tjerë minorë fajtorësh. Ligji kontravers i legalizimeve specifikon se legalizimi kërkon edhe: “…akt-ekspertizë nga një ekspert ose ent i licencuar për qëndrueshmërinë konstruktive të objektit, për ndërtimet me lartësi mbi katër kate”.

Çfarë nga ndërtimet e legalizuara është shembur, është ekspertizë direkte për në gjyq: burg për atë që ka firmosur. Por cfarë është deri në tre kate… Zoti ju ruajtë kokën ndërtuesve popullorë, kësaj kategorie të gjerë shqiptarësh që duke dashur të ngrejnë një cati mbi kokë, kanë hapur një varr nën këmbë!

Batërdia tjetër është legale. Ajo lidhet me emrat e atyre që krijuan monstra urbane në Tiranë e rrethinat e saj, në Farkë, Kashar, Yzberisht, Dajt, ata që përdhunuan Golemin e Velipojën, Vlorën e Sarandën, ata që denatyruan gjithë Ultësirën Perëndimore.

Mjaft të shihet si është rikthyer në llahtar real Komuna e Parisit apo Farka. Nuk ka folur njeri për to edhe pse është luajtur me faktin e kryer, edhe pse aty ata që duhet të flisnin, kanë pasur interesa direkte. Sepse në kafshimin e përbindshëm që i është bërë kodrave të Tiranës dhe tokës së gjithë Shqipërisë, secili ka futur dhembin e tij.

Në këtë zhvatje të të vetmes pasuri reale që ka ky vend, tokës, janë të gjithë fajtorë. Janë të gjithë ata që janë sjellë me Shqipërinë si pushtuesi më i lig i të gjitha kohërave. Sepse ata që kanë ardhur këtu me armë, kanë vrarë e kanë prerë, kanë djegur dhe përdhunuar, por në fund janë larguar. Kurse vetë shqiptarët, kjo kategori banditësh më pushtet e shpërdorues pushteti, të armatosur me votë dhe në emër të votës, e ka bërë Shqipërinë më të vogël.

Tek marrëzia e ndërtimit janë të gjithë brenda. Kryeministrat, kryetarët e partive, shefat e bashkive, ministrat, deputetët, drejtësia, urbanistët, mediat. E gjithë shoqëria shqiptare, emër për emër, një grumbull njerëzish që nuk janë bërë dot ende komunitet.

Vetëm ndëshkimi do të lehtësojë ikjen pa shkak të viktimave të fundme të tërmetit dhe do t’u qetësojë shpirtrat atyre vetë dhe të afërmve të tyre të traumatizuar. Sa më shumë ngjeshet dheu mbi varret e tyre të reja, sa më shumë nisin të shërrohen plagët e trupit e më pas edhe të shpirtit të të mbijetuarve, sa më shumë shoqëria tenton të kalojë traumën që ka vetëshkaktuar, aq më shumë do të kuptohet se tërmeti vetëm sa i tërhoqi veshin marrëzisë së përbashkët kolektive dhe aq më shumë do të ndjehet nevoja për drejtësi.

Nga e enjtja e javës se parë të dhjetorit, zyra e prokurorit të përgjithshëm ka një emër të përveçëm.

Ai është Olsian Çela, zyrtari i lartë i akuzës publike që i duhet të ndjekë detyrat që i dha fatkeqësia.

Sikur dhe një grusht njerëzish nga gjithë mëkatarët që shënjon akuza e trefishtë, të ndëshkohen, atëherë do të mund të thuhet se ka një revolucion të së mirës në Shqipëri. Por dhe vetë e mira është një koncept relativ: gjendet gjithmonë e më rrallë në këtë botë, e cila mbas tërmetit të së martës, ngjan edhe më e zymtë. Jo për shkak të natyrës, por për shkak të njerëzve që ju dorëzuan gjithë veseve më të liga të natyrës njerëzore.

6 komente në “Të gjithë mëkatarët që zbuloi tërmeti”

  1. Konica USA says:

    Anarshija urbane ka vetem nje emer, dhe ai eshte Sali Ram Berisha. Kujtoni se shemtija urbane nisi me ardhjen e PD-es ne pushtet ne Mars 1992,kujtoni Tiranen, Fierin, Durresin etj,u kthyen ne Kandahar. Shembullin e pare per zhdukjen e kesaj shemtije e dha kryebashkiaku i Tiranes Edi Rama, sot qendra e kryeqytetit shqiptar eshte kthyer ne nje nga me terheqset ne Ballkan. Me rilindjen urbane shume qytete ne Shqiperi kane ndryshuar teresisht, Korca, Elbasani, Fieri, Vlora, Lushnja, por dhe qytezat e vogla si Belshi, Puka etj. Perqeshesit e sotem nga media kazan, do perqeshen neser, kur Shqiperia me sa mundet do ta fshije shemtiren urbane te Saliut

    1. Greta says:

      Lorenc mos luaj rolin e lolos se oborrit!
      Me pedonalet e qyteteve nuk ndryshuan rrenjesisht pamjet e qyteteve,por u mashtrua opinioni publik dhe te huajt se qeveria po e lulezon Shqiperine!
      Shembulli me sinjifikativ i ketij mashtrimi te madh eshte qyteti i Tiranes ku shumica e buxhetit per investimet eshte perdorur per imazhin mashtrues e jo per te zbutur problemet me te nevojshme te qytetareve!
      Aksi Rinas-Tirane-liqeni artificial eshte prezantuar si mrekulli,kurse ne lagjet perfiferike te qytetit,ku banojne 200-300 mije banore u mungojne elementet me te demosdoshem jetike qe nga cerdhet,kopshtet,lulishtet,kendet e lojrave,shtrimi i rrugeve brenda lagjeve,ndricimi i tyre,pastrimi gjate 24 oreve etj,sepse bashkia ka investuar kryesisht ne zonat e banuara afer ketij aksi mashtrues,se aty bie me shume ne sy te huajve dhe ne drejtim te TEG-ut!
      Kjo ndodh,sepse bashkia nuk ka nje strategji afatgjate te miratuar me konsensus nga te gjitha palet,mundesisht me referendum lokal,por edhe se qeveria nuk e ka nje strategji per te gjithe vendin!
      Ndaj kryeministri,ne vazhden e qellimeve te tij te lustrimit te imazhit personal,i eshte mbushur mendja qe te hedhe 1 miliard euro per 100 fshatrat turistike,kur shumica e tyre jane te braktisur,por edhe se kane mbetur zona te tera edhe ne Tirane me pallate 10-12 kate qe vetem ne njerin prej tyre banojne me shume njerez se ne te 100 fshatrat e Rames!
      Kjo eshte nje politike aventureske,ku sundimtari vendos se cfare do behet per cdo gje!
      Ky eshte edhe fundi i shtetit ligjor!

  2. Americano says:

    Lexoj disa statute aspak optimiste ne rrjetet sociale
    Jo kaq pesimist shqiptare – te jemi sa me optimiste!
    Sinqerisht..po iu them dicka:
    Para disa viteve ekonomia amerikane ra ne nje krize ekonomike si rezultat i politikave qe kishin ndjekur demokratet ne ekonomi- kur erdhi Bush Jr. ne fuqi ato plasen si flluska sapuni dhe filloi kriza ekonomike biles disa shtete kaluan ne recension..!
    Te gjithe republikane e demokrate po debatonin se si te dilnin nga kriza se ekonomia po njihte vetem renje te forta.. dhe papunesi varferi etj.
    Lufta gjithmone shpeton ekonomine dhe e ngre ate…per Ameriken- dhe
    Bush sulmoi Irakun – dhe qe ne muajt e pare u vu re ngritja ekonomike …
    Me pas ndodhi ajo qe nuk pritej “ termeti” – Goditja e kullave ku dhimbshem e fatkeqesisht humben jeten njerezore – por pas kesaj ndertimi i vendit pati nje ngritje te ndjeshme ekonomia po ngrihej vende pune po hapeshin kostoja e jetes po permiresohej….
    Duke bere nje krahasim me termetin tragjik ne jete njerezore ne Shqiperi: U prehshin ne Paqe ! – dhe qindra ndertesa banesa etj te rrezuara e te demtuara – shqiptaret e mencur me dhimbjen e shpirtin optimist t’i pervishen punes ne ndertimin e tyre pra do te hapen mijra vende pune dhe do te kete boom ekonomik aq me teper qe kontributet financiare ndihmat per Shqiperine jane te jashrezakoneshme dhe kjo fuqi punetore do te paguhet mire prej tyre dhe kjo do te sjelle edhe ate boomin ekonomik mendoj une..!
    Po qe se shqiptaret duan te rrijne kafeneve e te bejne politike e sehir nga larg e afer – atehere eshte problemi i tyre qe nuk sedren e punes..! Shqiptare mos ikni por pervishuni punes mjekoni dhimbjen, plaget psikollogjine njerezore dhe ndertoni vendin per te ardhmen e femijeve tane …
    Respekte pafund per ju e bashkeatdhetaret tane ????????????????

  3. Feniks says:

    Lorens,leri mekataret se nuk i gjen dot as ti e asnjeri,perderisa deri sot ata kane bere kerdine me ndertime kriminale pa i hyre gjembi ne kembe!
    Kush e ka patur per detyre te pergjigjet per organizimin,drejtimin dhe kontrollin e ndertimeve ne Shqiperi?
    Kemi sot ministri Mjedisi,te Rinise,te sporteve,te punes, te Diaspores ,te Kultures,te Infrastruktures etj,por nuk kemi MINISTRI NDERTIMI!
    Pse nuk kemi ministri Ndertimi?
    Nuk kemi sepse qeveritaret tane ndertimin e kane lene ne dore te MAFIES SE NDERTIMIT sipas parimit “UJKU MJEGULL DO”!
    Cfare duhet bere?
    Gjykoj se kryeministri Rama duhet te shndrerroje ministrine e Infrastruktures ne ministri Ndertimi dhe te beje nje revolucion teresor jo vetem ne kompletimin e saj me profesioniste te zote,te ndergjegjshem dhe sherbetore te shtetit e ligjit e jo te shefit e “maliqit”!
    Minister i ndertimit duhet te emerohet nje nga personalitetet me te spikatura te kesaj fushe,qe ka vizionin e duhur jo vetem per te perballuar demet nga termeti,por edhe per ta vene ndertimin ne Shqiperi mbi baza ligjore duke krijuar edhe infrastruktruren administrative te nevojshme!
    Mund edhe te thirren personalitete te huaja ne poste te ndryshme,qe te kene guximin t’i thone “JO” titullarit e jo si sot,qe kryeministri Rama shtyn me harbutllik zv.kryeministrin Brace vetem se i doli pak me shume nga rrezja e medieve televizive!
    Dhe ky zv.kryeminister tere pakenaqesine e tij e shfaqi me ate shikimin e vengerr te tij,por qe nuk gjen dot forca te vere ne vend dinjitetin e tij para opinionit publik qe e shihte live!
    Nje kryeminister i tille harbut,arrogant dhe i pa afte kurre nuk mund te zgjidhe ngercin katastrofik ku eshte ngujuar ndertimi keto 30 vjet!

  4. drini ibardhe says:

    PO CFARE te bente Edi rama qofte ne bashki ,apo atje ku eshte ?te ndertonte ne getot rruget ,ujesjellsat, ujrat ezeza dhe ajo pjese epopullates qe nuk ka lene asnje takse pa paguar te mds marre sherbime ?Aikeni pare si kerkojne sherbime ,sikur paguajne te gjitha taksat apo sikur jane pa buke kur kane bere vila 4kateshe ,ndersa ne banojme ne apartamentet ekohes se ENVERIT TE MADH. Lete behen me pak investime neper geto ne menyre qe te behen qytetare, te me respektojne ne rruge se po na thone ne qytetareve qe jemi neqe kemi ardhur dje ne TIRANE.Edhe Edi Rama do te kish vend per te ndertuar gratacielat ne periferi.Per keto te fundit duhet ti themi MJAAAAAAFT SE NA MORE FRYMEN.

  5. Duleja says:

    Kisha degjuar se ky injorant kishte mbetur nen rrenoja

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje