Nuk ka më dyshime. Edi Reja do të drejtojë kombëtaren shqiptare edhe gjatë 4 viteve të ardhshme. RTSH Sport paralajmëroi disa javë më parë se trajneri italian do të rikthehej në Shqipëri në fillim të Dhjetorit për të hedhur të zezën mbi të bardhë dhe saktësisht në datën 9, ai zbriti në tokën shqiptare për të vazhduar projektin e nisur gjatë këtij viti.
Në intervistën ekskluzive dhënë për mikrofonin tonë, trajneri 74-vjeçar u ndal fillimisht te tragjedia e 26 Nëntorit duke dhënë një mesazh të qartë dhe të fortë për popullin që tashmë e ndjen edhe pjese të qenies së tij.
“Një tragjedi e vërtetë. Unë u qëndroj afër atyre që kanë humbur njerëzit e tyre të dashur por duhet të shikojnë përpara. Duhet të bëhen të fortë sepse populli shqiptar është i tillë. Tani me kurajo dhe vullnet duhet rindërtuar gjithçka, mundësisht duhen ribërë ndërtesa më të forta se ato përpara tërmetit. Në të tilla situata, përjetohen momente të trishta. Unë jam prekur shumë.
Kam kontaktuar vazhdimisht presidentin e federatës Duka për ta pyetur dhe më ka konfirmuar vazhdimisht se ajo ishte një katastrofë pasi njerëzit kanë përjetuar një frikë të madhe për net të tëra. Janë momente vërtet tragjike. Shpresoj që lëkundjet të ndalojnë për të rinisur jetën dhe për të rindërtuar atë çfarë u shkatërrua pasi ky është problemi dhe sfida më e madhe në këto momente”, tha Reja, trajneri i Kombëtares.
Reja nuk ka asnjë dyshim në lidhje me kontratën e re që ende nuk e ka firmosur. Në Shqipëri ai nuk ka zbarkuar për firmën por për të nisur menjëherë punën.
“I kemi dhënë fjalën njëri tjetrit bashkë me presidentin Duka dhe nuk besoj se forma është një problem në këto momente. Më pëlqen shumë projekti. Pas pak do të mbërrijnë dhe bashkëpunëtorët e mi dhe shumë shpejt do të flasim për të nisur një rrugë të re”, tha ai.
Gjatë javëve të fundit, emri i tij është lakuar shpesh herë në mediat italiane si pasardhës i mundshëm i Carlo Ancelottit në stolin e Napolit, por në këtë pikë Reja është i qartë.
“Në Itali kur ndryshojnë pankinat dalin përherë emra dhe kjo ka ndodhur prej shumë vitesh. Duhet pyetur ndonjëherë edhe vetë personi i përfshirë në këto zëra mediatikë dhe unë personalisht mund të konfirmoj se kam një marrëdhënie shumë të mirë me presidentin e FSHF , Duka por mbi të gjitha me popullin shqiptar sepse kanë treguar se më duan. Kur punon në një ambjent ku besimin maksimal është e qartë që ndihesh mire”, u shpreh Reja.
Nuk e ndien ende peshën e viteve mbi supe por Reja është i ndërgjegjshëm se me kalimin e kohës ky mund të jetë një problem. Gjithsesi, për timonierin e skuadrës kuqezi, kjo punë nuk kërkon vetëm freski fizike por edhe pasion që ai e ka me shumicë.
“Shpresoj ta çoj deri në fund projektin 4-vjeçar edhe pse jam disi i vjetër në moshë. Derisa fiziku të ma lejojë unë do të vazhdoj por është shumë e rëndësishme që t’i bëjmë gjërat me dashuri dhe pasion prandaj në këtë këndvështrim ndihem shumë i lidhur me këtë projekt”, tregon Reja.