Pas hapjes së dosjeve të Sigurimit, Veliaj me propozim të ri: Hapësira reflektimi dhe monumente përkujtimi për nder të dënuarve politik

11 Dhjetor 2019, 18:10Politika TEMA

Në detyrën e tij të mëparshme si Ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, Erion Veliaj do të ishte iniciatori i i hapjes së dosjeve të sigurimit, ndërkohë që do të rritej edhe buxheti për dëmshpërblimin e të gjithë ish të dënuarve politik që për vite të tëra gjatë tranzicionit kishin pritur të merrnin lekët.

Pesë vjet më pas, tashmë në detyrën si Kryetar Bashkie, Erion Veliaj bëri të ditur se për 100-vjetorin e Tiranës si kryeqytet do të zhvillohet një konkurs për të pasur në hapësira publike të qytetit monumente përkujtimi ose hapësira të reflektimit.

Duke folur në ceremoninë e hapjes së ekspozitës “E shkuara e pakryer” me profile të të zhdukurve në diktaturë, që përshkruan përpjekjet dhe arritjet individuale e institucionale për identifikimin e gjetjen e vendvarrimeve dhe dhënien e dinjitetit të zhdukurve e familjeve të tyre, Veliaj prezantoi disa nga nismat që do të ndërmarrë Bashkia e Tiranës.

“Siç bëmë kur ishim në Ministri dhe premtuam hapjen e dosjeve dhe pagesën e fondit, të paktën tek territori im që është qyteti i Tiranës të vazhdojmë projektin që kemi nisur në Mënik.

Ajo që i kam propozuar Gentës është se duke qenë se Tirana ka 100 vjetorin e të shpallurin kryeqytet vitin tjetër, ne do të duhet të shpallim një konkurs jo vetëm për këto vende por edhe për të pasur në hapësirat publike të qytetit ose monumentet e përkujtimit ose hapësira të reflektimit.

Edhe unë besoj që Tirana i ka mundësitë tani që është zgjeruar në pafund në infrastrukturës si tek Bulevardi i Ri apo edhe disa sheshe të tjera mezi pres që ne t’ia fillojmë punës dhe siç mbajtëm premtimet kur ishim në ministri dua që unë edhe Genta të mbajmë premtimet për 100 vjetorin e Tiranës jo vetëm për kthimin e Mënikut që duam të jetë pika jonë e parë ku ne ndërhymë por edhe për monumentet dhe pikat e reflektimit në qytet”, u shpreh Veliaj.

Ai nënvizoi se brezi i sotëm ka nevojë që të mësojë nga ajo që ka ndodhur.

“Ne kemi dy mundësi për një brez që është nga unë e poshtë që ka lindur nga 79-ta dhe që ishte 10 vjeç kur ra sistemi dhe që nuk ka asnjë faj dhe që nuk ishte pjesë e atyre punëve. Ne mund ti mbysim me ulërima dhe me klithma ose ne mund t’i tregojmë historitë. Unë besoj që kjo e dyta është më e dobishme, pra një brezi të ri që sot është në gjimnaz, që sot është në universitet që nuk ka pikë ideje dhe që komunizmi i duket sikur ka qenë një përrallë shumë e largët dhe jo diçka që ishte e gjeneratës tonë edhe që ishte një histori që nuk na e krijoi hasmi nga jashtë por ishin shqiptarë kundër shqiptarëve ky brez meriton ta dijë. Ndaj dhe ftesa ime të dashur miq është jo ti ulërasim njëri tjetrit, po ftesa ime është eja të ulemi kemi shumë punë për të bërë ashtu si duhet ti trajnojmë fëmijët si të sillen”, tha ai.

Veliaj nënvizoi se garancia për këtë janë edhe reformat e ndërmarra si ministër ku ai sëbashku me kryetaren e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Genta Sulaj do të fillonin procedurat për hapjen e dosjeve. “Unë me Gentën Kemi drejtuar një ministri e cila, shumë veta dyshonin, do të hapeshin apo jo dosjet. I provuam që po, kur ka vullnet ka një rrugëzgjidhje. Ne kishim vullnet dhe sot ka filluar një procedurë dhe ka një komision që merret me hapjen e dosjeve dhe jo pak dosje të atyre njerëzve që kanë shkaktuar shumë dëme e madje disa prej tyre janë penalizuar nga shumë procese të reja janë bërë prej këtij vullneti”, tha ai.

Kreu i Bashkisë u shpreh shumë prej atyre politikanëve që bënë për vite të tëra duke premtuar hapjen e dosjeve,  nuk denjuan as ta votonin projektligjin në Kuvend.

“Unë e kuptoj, ne mund të kemi emocione të ndryshme. Por unë besoj që duke bërtitur ne nuk zgjidhim gjë. Ajo që ne zgjidhim është duke marrë vendime dhe bashkë me Gentën ne morëm disa vendime shumë të drejta. Vendimi i parë dhe i fundit për mua kur isha në atë ministri, një punë që bëra me shumë pasion ishte vendimi i hapjes së dosjeve dhe më rezulton që shumë nga ata politikanë që e ushqejnë këtë kulturën e ndasisë, nuk erdhën ta votonin hapjen e dosjeve pavarësisht se 30 vite e përdorën kauzën e të përndjekurve. Gjetëm një buxhet komplet të papërfillshëm për të dëmshpërblyer gjithë personat që kishin bërë burg.

Ai nënvizoi se ajo që mbetet janë veprimet konkrete dhe jo fjalët ndaj kësaj kategorie. “Unë dhe Genta jemi krenarë sot, gjithë ditën e gjithë natën që bëmë atë që s’e bëri kush tjetër më para duke dhënë dëmshpërblimin dhe duke u siguruar që detyrimi i shtetit shqiptar për të paguar vitet e burgut shkonte deri në fund. Dhe shkoi nga ne të dy që s’i përkasim atij brezi, unë kam lindur në ’79-ën. As nuk i kam borxh njeriu, as nuk them që më ka borxh njeri. Në fund të ditës njerëzit do të duhet t’i vlerësojmë mbi veprat që kanë bërë, jo mbi ide që kemi, jo mbi thashetheme, por mbi frytet e punës”, u shpreh Veliaj.

2 komente në “Pas hapjes së dosjeve të Sigurimit, Veliaj me propozim të ri: Hapësira reflektimi dhe monumente përkujtimi për nder të dënuarve politik”

  1. V.F.L.P says:

    NGRI BUDSTIN E HYSNI KAPOS DHE SALI BERISHES KU ISH BUSTI I ENVER HOXHES.

  2. Kasem gahinji says:

    Hapja e dosjeve nuk jep pafajesi
    .as bashkia nik jep pafajesi,aq me teper kryetari.as kuvendi nuk jep pafajesi.ate e jep gjukata.sic jane denuar individualisht me vendim fjukate ,ashtu duhet te fitojne pafajesine me vendim gjukate pastaj ,per ata qe jane te pafajshem mendoni per monumente.ishallah ja u beni me te madhe se nena shqiperi te varrezat e deshmoreve.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje