Përse Tirana e presidentit Halili po guxon më shumë se çdo herë tjetër për ta luajtur Derbin pa trajner në stol..?
Sepse tek Tirana duke patur trajnerë e kanë provuar shumë herë fundin pa lavdi në Derbi, puna është ta provosh fatin edhe me stolin bosh…!
Përse bëri kaq shumë bujë lajmi se presidenti Duka është zemëruar kaq shumë me drejtuesit e ekipeve Kombëtare, sa i kishte thënë edhe fjalën e fundit..gjeni vend ku të futeni?
Sepse ata e gjetën përsëri vendin ku të futeshin, të gjithë mbetën në detyrë, gati për të thyer rekordin e zi të sapovendosur , kur thithën me sukses 26 gola në rrjetat kuqezi së bashku për pak ditë…
Përse shkarkimi i trajnerit Ahmataj nga Tirana u pagëzua si një tradhëti e klasit të lartë, një shkarkim që nuk duhet harruar edhe pse priten të tjerë ?
Sepse, sikur ta dinit se sa i janë lutur si krishti Ahmatajt që të kthehej pas dorëheqjes , vetëm e vetëm që ta hiqnin si “burrat” e jo të ikte vetë..
Përse stadiumi ku do të luhet ndeshja Derbi midis Partizanit dhe Tiranës u vendos në minutat e fundit, madje më parë mësuam çmimet e biletave se sa emrin e stadiumit?
Sepse , me thënë atë që s’thuhet , edhe pse mburremi se po jetojmë kohën e stadiumeve të reja, loja me topin e betonit ka më fantazi se loja me topin e fushës…
Përse trajneri i Kombëtares, Edi Reja, sapo paska nënshkruar kontratën i ka thënë punëdhënësit të tij,zotit Duka, se bashkë do të ngjitemi më lart se me De Biazin?
Sepse nuk e dinte që po fliste me “bomberin” e Kombëtares, ndaj meritoi këtë pyetje : profesor, cili të ka thënë që na ngjiti lart De Biazi? (Sfidanti.al)