Përjashtimet (qëndrimet në stol) e fundit të Matthijs De Ligt, si në Serie A, në Superkupën e Italisë dhe Ligën e Kampionëve, me siguri kanë krijuar një zhurmë mediatike. Nuk është gjë e zakonshme që një lojtar, i blerë për 85 milionë euro, të ngrohë stolin e rezervave kaq gjatë (5 ndeshje radhazi), veçanërisht nëse “pronari” i rolit të tij, Giorgio Chiellini, është i dëmtuar prej fillimit të sezonit.
Megjithatë, sipas “Tuttosport”, nuk ka asnjë konspiracion në këtë histori, përveçse një arsyeje shumë specifike. Bisedimet e gjata me Maurizio Sarri patën një efekt terapeutik për mbrojtësin hollandez, i cili po kalon një periudhë mjegullnaje, siç e ka përkufizuar vetë trajneri bardhezi. Kjo situatë lidhet si me problemet fizike që pësoi (dalja e shpatullës dhe telashet e induktorit), ashtu edhe me gjendjen mentale, pas shpenzimit të shumë energjive nervore.
Në fakt, De Ligt ende po kryen trajnime specifike për t’u rikuperuar si nga problemet me shpatullën, ashtu edhe ato me aduktorin. Në të gjitha këto duhet të shtojmë, gjithashtu, se Juventusi kishte në mendje aktivizimin më gradual të hollandezit në Serie A, por starti i menjëhershëm dhe pa ndërprerje i De Ligt u diktua nga dëmtimi i Chiellini.
Hollandezi, që është vetëm 20 vjeç, gjithashtu po paguan pasojat e një stresi nervor për shkak të ritmeve të “tërbuara” dhe mjedisit të ri, në të cilin duhej të përshtatej nga gushti deri më tani. Për fat të mirë për Juventusin, në kohën e rënies së De Ligt shpërtheu Merih Demiral, i cili i bindi të gjithë. Kjo bëri që trajneri Sarri dhe drejtuesit e klubit t’i mbyllin dyert për të gjitha skuadrat që kërkonin shërbimet e turkut.