Zbardhet dosja hetimore e vrasjes së Kastriot Reçit.
Në dinamikën e ngjarjes të siguruar nga prokuroria duket se qitësi që vrau me një plumb në zemër Kastriot Reçin dy ditë më parë ka patur të gjithë kohën e nevojshme për përgatitjen e vrasjes duke u futur qetësisht në ambientet e pallatit 9-katësh, të kryente porosinë dhe të largohet sërish pa rënë në sy.
Siç shkruhet në dosjen hetimore, personi i dyshuar si qitësi që vrau Kastriot Reçin ka hyrë në pallatin 9 katësh në orën 06:35 minuta.
Kamerat kane fiksuar momentin kur personi në fjalë ka zbritur nga një makinë tip “Mercedes Benz” ngjyre gri.
Pasi ndalon, ai ka hapur derën e djathtë të pasme të makinës dhe ka nxjerrë dy çanta. Njëra është çantë e thjesht, kurse tjetrën prokuroria e cilëson si “çantë për mbajtjen e armëve të gjata”. Kamerat e kanë fiksuar personin mashkull të veshur me një xhup me vija horizontale.
Më pas, kamerat kanë fiksuar gjithashtu se në orën 12:07 ka dalë një person i gjatë, me flokë të gjata të kapura bisht nga mbrapa dhe me fustan duke u larguar me shpejtësi në drejtim të tregut.
Për të ekzekutuar 47-vjeçarin Kastriot Reçi, vrasësi ishte fshehur në një banesë në katin e fundit të një pallati. Qitja u krye nga dritarja e banjës së apartamentit.
Gjatë kësaj periudhe ka pirë ujë dhe ka ngrënë disa kikirikë, të cilat më pas i ka lënë aty dhe janë sekuestruar nga prokuroria.
Kur Reçi mbërriti në rrezën e armës, qitësi ka marrë shenjë dhe me një të shtënë ka kryer porosinë duke e lënë objektivin të vdekur.
Në orën 12:07 minuta kamerat e sigurisë kanë fiksuar të dalë nga hyrja e pallatit një person të gjatë, me flokët e gjata bisht që largohet me shpejtësi nga zona, sërish në drejtim të tregut.
Sipas përshkrimit të prokurorisë, personi ka të veshur një fustan të zi dhe poshtë tij ka të veshura tuta me viza të errëta poshtë fustanit.
Pas këqyrjes së rrugës nga ku mendohej se mund të ketë kaluar autori, policia ka gjetur një paruke, një kanatiere dhe një palë këpucë që mendohet se i përkasin qitësit.
Prokuroria ka marrë 8 monstra nga shtëpia prej të cilës mendohet se u qëllua Kastriot Reçi. Të gjitha ato po verifikohen nëse mund të nxjerrin ndonjë provë që të çojë në zbulimin e autorit.
Një hapësirë e vogël, por e mjaftueshme, mes murit dhe dritares, i ofronte snajperistit fushëpamjen e plotë të qendrës së Rrëshenit, pikërisht aty ku po kalonte 47-vjeçari Reçi për të shkuar në lokal. Goditja ka qenë precize dhe e saktë. Kastriot Reçi u qëllua me një plumb në zemër dhe mbeti i vrarë menjëherë.
Në këtë moment, qitësi qëlloi duke e lënë të vdekur në vend.
Një ndër pistat e hetimit për këtë krim është ajo e hakmarrjes.