Irani ka paralajmëruar sot ushtarët europianë që gjenden në Lindjen e Mesme, se “mund të jenë në rrezik”, pasi Britania, Franca dhe Gjermania aktivizuan mekanizmin e zgjidhjes së mosmarrëveshjeve të marrëveshjes bërthamore të 2015-s.
Kjo është hera e parë që presidenti i Iranit, Hasan Rouhani, kërcënon Europën që nga rritja e tensioneve me SHBA-të, të cilat u tërhoqën në mënyrë të njëanshme nga marrëveshja në vitin 2018, nën Presidentin Donald Trump.
Të tre vendet e BE të martën filluan një proces duke akuzuar Iranin me mosrespektimin e kushteve të marrëveshjes së 2015-s, që zvogëlonte programin e saj bërthamor, një veprim që ndezi zemërimin e Teheranit. Rusia gjithashtu e ka dënuar këtë masë të marrë nga Europa, duke paralajmëruar se rrezikon të shkaktojë një “përshkallëzim të ri”.
Mekanizmi i zgjidhjes së mosmarrëveshjeve
Britania, Franca dhe Gjermania kanë thënë se mbeten të përkushtuara ndaj marrëveshjes, e cila tashmë është cenuar nga dalja e SHBA-ve prej saj. Kryeministri britanik Boris Johnson ka thënë se ai preferon një marrëveshje gjithëpërfshirëse të negociuar me Presidentin e SHBA-ve, Donald Trump, në vend të marrëveshjes së 2015s-.
Vendimi për të futur në lojë të ashtuquajturin mekanizmi i mosmarrëveshjes vjen pasi tensionet janë rritur mes Perëndimit dhe Iranit pas vrasjes së komandantit të lartë, Qassem Soleimani, në një sulm të SHBA-ve, dhe pranimi nga Teherani ditë më vonë se ishte ai që goditi gabimisht një avion tregtar të Ukrainës. Ministrat e jashtëm të tre vendeve evropiane thanë që Irani i ka neglizhuar progresivisht angazhimet bazë të marrëveshjes që nga maji i vitit të kaluar.
“Ne nuk kemi zgjidhje, duke marrë parasysh veprimet e Iranit”, për të filluar procesin e mosmarrëveshjeve, thuhet në deklaratën e tyre.
Në Moskë, ministria e Jashtme tha se nuk kishte arsye për një veprim të tillë.
“Ne nuk e përjashtojmë se veprimet e pamenduara të evropianëve mund të çojnë në një përshkallëzim të ri rreth marrëveshjes bërthamore iraniane”, tha ajo në një deklaratë.