Opozita dhe njerëzit pranë saj, janë zbutur në mënyrë të pabesueshme dhe e kanë lënë mënjanë retorikën agresive.
Një prej tyre është edhe Nikoll Lesi, që ka një dy-tri vete e hap gazetën përditë më thirrje për revolucion dhe luftë.
Tani edhe ai ka dalë pro uljes në tryezë me mazhorancën, por porosit opozitën që të ketë kujdes, mos ua hedh prapë Edi Rama.
Ja çfarë shkruan ai:
“Ulja në tavolinë e opozitës me qeverinë, pas një viti të ashpër politik dhe kur çdo institucion legjitim ka rënë ka sjellë dje reagime kontradiktore brenda një pjese të opinionit publik. Për shumë prej kritikëve të këtij pakti të ri, takimi i Frontit Opozitar me ish-ministrin Damian Gjiknuri shihet si një rënie e kauzave të opozitës dhe gjithë aksionit të saj. Pavarësisht argumenteve, më të shqetësuarit janë të ashtuquajturit “opozita e re” dhe pjesa më e madhe e kritikëve të PD dhe LSI-së.
Një pjesë e tyre janë të njëjtët që kur opozita protestonte, thoshin pushteti nuk merret asnjëherë me protesta dhe duhet të ulen në bisedime. Tani që u ulën në bisedime janë gati të thonë pse nuk rrëzojnë Ramën me protesta. E sigurt është që çfarëdo veprimi që të bëjë opozita, sërish do ta gjenin një arsye për të sulmuar opozitën dhe për të harruar se problemi është gjithmonë qeveria.
Me uljen në bisedime për reformën zgjedhore, opozita nuk i ka bërë ndonjë nder qeverisë dhe aq më pak ka hequr dorë nga kauzat e saj. Opozita ka marrë rolin e saj natyral për të vendosur në çështjet e rëndësishme dhe kjo lëvizje nxjerr jashtë loje gjithë pseudo opozitat e krijuara në këto 12 muaj dhe gjithë idhtarët e asgjësimit të opozitës. Më situatën ku ndodhemi më komode nga të gjithë të tjerët ishte qeveria. Edi Rama u provua se edhe më ndihmën e ndërkombëtarëve, nuk e ka problem të qeverisë pa opozitën.
U provua se bojkotin e zgjedhjeve dhe dhunën ndaj kundërshtarit nuk e sheh si një tragjedi të demokracisë, por si një mundësi për të marrë më shumë pushtet. U provua, se duke shfrytëzuar median, biznesin, blerjet e politikanëve dhe apatinë e një elite shoqërore që shqetësohet interesat personale dhe jo parimet, sot opinioni publik nuk i kërkon llogari qeverisë për korrupsionin, rënien e sistemit dhe keqqeverisjen, por opozitës. Ulja e djeshme e opozitës në bisedime me qeverinë është shumë e thjeshtë se çdo teori konspirative. Reforma zgjedhore është një kërkesë e hershme e ndërkombëtarëve dhe vetë opozitës.
Në 9 kushtet e Bundestagut gjerman për zgjidhjen e krizës politike në vend, ndryshimi i Kodit Zgjedhor renditet tek të parat. Me pranimin e negociatave për këtë çështje, opozita ka dhënë sinjalin te partnerët se nuk ka bojkot të zgjedhjeve dhe se nëse ka garanci që vota nuk do të vidhet opozita është gati të përballet me votë me qeverinë.
Takimi i palëve dje nuk erdhi si një dëshirë e Oerd Bylykbashit dhe Damian Gjiknurit, por edhe si pjesë e një ndikimi të fortë ndërkombëtar, të cilët duket se janë dhe garantët e zbatimit të saj. Pavarësisht debateve mbi qëndrimet politike, marrëveshja e publikuar dje ka të paktën dy elementë që do të përcaktojnë zhvillimet e mëvonshme politike, me apo pa dëshirën e qeverisë dhe Edi Rama.
E para, në dokument saktësohet se nuk është Parlamentit që dominohet nga PS dhe deputetët satelitë të saj, ata që do marrin vendimet për Kodin Zgjedhor, por tryeza politike PS-PD-LSI. Pra, edhe zyrtarisht parlamenti monist i PS-së nuk ka rol në zgjidhjen e krizës, por është thjesht noterizues formal i vendimeve të tryezës politike.
E dyta, që është dhe më e rëndësishmja, dokumenti politik ka një afat kohor. Çështja e Kodit Zgjedhor duhet të këtë përfunduar jo më vonë se data 15 mars.
Më pas mbetet hapur udha për votim dhe ndryshim të qeverisjes. Kështu të paktën lihet të kuptohet nga ndërkombëtarët, por prapë mbetet frika se mos kryeministri Rama e përdor këtë marifet sa për të marrë hapjen e negociatave në maj dhe më pas kërcet prapë dajaku mbi opozitën, si vitin e kaluar ku gazi kimik ishte “frymëmarrja” e opozitës.”
(TemA)
Nuk o zbut Kol Leshi por ashtu i kan then