Fletë nga ditari i burgut. Rileximi i vëllimit “Udhëtoj i menduar” të poetit të shquar në kushtet e izolimit total. Përse Dritëroi në Kuvend para deputetëve të “Ballit” i quajti ata “bandë”.
Pse deputetët ballistë, ish-të përndjekur dhe ish-të burgosur kërcënojnë të gjithë njerëzit e drejtësisë, sipas projektit të të çmendurit dhe të eturit për një post shtetëror, Abdi Baleta. Takimet me gazetarët e huaj dhe për çfarë interesoheshin ata më shumë.
E shtunë, 19 shtator 1992
Që në fillim, këtu në burg u fikën dritat. Ora mund të ishte rreth 20 dhe errësira zgjati nja një orë. Tani drita kemi ditë e natë, ndërprerjet janë më të rralla se ç’tregojnë për qytetin, pasi burgu ka edhe gjenerator më vete, por nuk kanë karburant. Në burg, errësira është e rrezikshme, jo vetëm se vlojnë fishkëllimat, por mund të ngjasin edhe gjëra të shëmtuara, rrahje e deri edhe vrasje të ndonjë të dënuari, në qeli, ose të policit që ndërhyn. Siç tregojnë, raste të tilla kanë ngjarë ditën e jo më në errësirë.
Llamba që kam unë në qeli bën goxha dritë, ndoshta, është 100 vatëshe, shumë e mirë për lexim, por jo e mirë për të fjetur. Ajo nuk mund të fiket, jo vetëm se komandimi i saj është jashtë qelisë, por edhe se rregullorja nuk e lejon errësirën, madje, nuk të lejon as të mbulosh kokën, pasi gardiania përgjigjet për jetën e të dënuarit dhe kontrollon shpesh nga syri i sportelit. Kur dyshon ose kur merr turnin në dorëzim, i bie aq fort derës, sa të bën të hidhesh përpjetë.
Te dera e qelisë sime nuk e bëjnë atë veprim, por e bëjnë në dyert e tjera dhe, për mua, është njëlloj, sepse zhurma që bëhet më zgjon. Por unë fle vonë.
Në spitalin e burgut, ku ndenja e shtruar rreth 10 ditë, nga një laringit i rëndë dhe nga bronkiti, kishte më shumë qetësi dhe ajër. Aty kishte edhe krevat. Por unë ika prej andej para se të shërohesha plotësisht, ngaqë drita elektrike ishte si kandil dhe s’mund të lexoja dot natën.
Arsyeja që më shtyu të mbaj këto shënime, të cilave u kam vënë edhe data, është se nuk kam ç’të bëj tjetër. Kaluan katër ditë që s’po më bie në dorë ndonjë gazetë. Mbi të gjitha, nuk kisha as edhe një libër për të lexuar, i kisha mbaruar të gjithë ata që më kishte sjellë Pranvera (gjithsej kam lexuar në këta 9-10 muaj mbi 40 libra, pjesa më e madhe në frëngjisht, libra me studime, analiza politike, por edhe romane). I fundit që lexova dhe e rilexova ishte libri me poezi, i Dritëro Agollit, “Udhëtoj i menduar”, megjithëse e kisha lexuar kur u botua për herë të parë. Këtë libër a ndonjë tjetër (që më ka mbetur në mend si një libër në format të vogël) e kam lexuar edhe në ato ditët e vështira pas vdekjes së Enverit. Më kishte dhënë kënaqësi dhe qetësi, sa thosha me vete: “Rrofsh, o Dritëro, të falemnderit!”. Edhe kësaj radhe e lexova atë libër në një gjendje shpirtërore mjaft të rënduar dhe sepse, siç thashë, nuk kisha libra të tjerë, as gazeta.
Në Kuvend, deputetët ballistë, ish-të përndjekur dhe ish-të burgosur po kërcënojnë të gjithë njerëzit e drejtësisë, domethënë, njërën nga shtyllat e shtetit juridik, dhe duan të vendosin njerëzit e tyre, të përgatitur në kurse 3-6-mujore, sipas projektit të të çmendurit dhe të eturit për një post shtetëror, Abdi Baleta.
Kështu, avokati im nuk e gjeti dot prokurorin e rrethit, që merret tani me çështjen time, ose kryeprokurorin e rrethit, për të vulosur lejen për të bërë takimin e zakonshëm me fëmijët e mi, të cilët, të veshur dhe të gatshëm, prisnin një telefonatë nga avokati. Pra, as fëmijët nuk i takova, por edhe shpresa për një gjyq të shpejtë u venit.
Në këtë gjendje shpirtërore të trazuar të këtyre ditëve më ndihmoi përsëri libri “Udhëtoj i menduar”, i Dritëroit. Ku e gjeta? Është për të qeshur e për të qarë.
Një ditë, nga dritarja e një dhome të hetuesisë, gjatë takimit me fëmijët, pashë që administrata e burgut kishte hedhur poshtë, në një qoshe të oborrit, librat e bibliotekës, që mund të ketë pasur, bashkë me veprat e Enver Hoxhës. Pashë aty mjaft romane, vëllime me tregime, poezi etj. Ndër to ishte edhe Dritëroi “i menduar”. Iu luta një polici që ta merrte dhe të ma jepte. Ai ma solli. Ishte mjaft i zhubrosur, gjë që tregonte se ishte lexuar nga shumë veta, dhe ca i pluhurosur, por, të paktën, jo i lagur, ngaqë ato ditë nuk kishte rënë shi. E pastrova dhe thashë “do ta ruaj si kujtim”.
Më pëlqejnë vjershat e Dritëroit. Po tani që ai është në Kuvend, ç’vjersha mund të shkruajë, vallë? Duke qeshur, mendova: sikur të dalë Dritëroi në foltore dhe t’u lexojë deputetëve të “Ballit” ato që ka shkruar për ballistët. Sa bukur! Ai, me guxim, i quajti ata “bandë”, që po përgatisnin grusht shteti në Kuvend.
Disa episode me gazetarët e huaj në Burg
Meqë fragmenti i Shënimeve të Burgut, që kam përfshirë në këtë libër, është i shkurtër, për mungesë vendi, dhe jep shumë pak gjëra nga ato që kam përjetuar në burg, mendova të sjell këtu dy-tri episode nga takimet me personalitete dhe gazetarë të huaj, që arrinin të merrnin leje nga drejtoria e institucionit dhe miratimin tim për t’u dhënë intervista.
Është fakt, që ashtu siç po më ndodh tani këtu në shtëpi, pas lirimit tim, edhe në burg nuk reshtnin së ardhuri gazetarë për të më intervistuar. Duke medituar, ulur në kolltuk, më kujtohen dhe më dalin para syve ato momente kur më njoftonin të bëhesha gati se një apo disa gazetarë të huaj do të vinin të më vizitonin në qeli dhe të më merrnin në intervistë. Në shumë raste, unë nuk pranoja, i refuzoja, ngaqë nuk doja as të jepja intervistë, as të takoja ndonjë prej tyre.
Por drejtuesit e burgjeve, insistonin, duke më thënë, se ishin të detyruar t’i pranonin, se ndryshe, do të akuzoheshin që pengonin kontaktet me të burgosurit, akt ky që do të cilësohej antidemokratik. Ndaj, shpesh, ata e bënin fakt të kryer sjelljen e gazetarëve te dera e qelisë sime. Duke u gjendur para tyre, nuk kisha si t’i ktheja mbrapsht, por pranoja, për të mos i vënë në vështirësi zyrtarët tanë, por edhe për të mos i lënë vend ndonjë keqinterpretimi nga të huajt, lidhur me personin tim.
Në takimet që kam patur me ta, vija re se fakti që unë, bashkëshortja e Enver Hoxhës kisha përfunduar në burg në momentet e ndërrimit të sistemit, ishte në qendër të interesimit të tyre. Ata gazetarë të shumtë, të mediave të vendeve të ndryshme të botës, sigurisht, vinin në Tiranë me synimin që të informonin dhe t’i bënin të ditur opinionit botëror se çfarë po ndodhte në Shqipëri, si vendi që po rrëzonte i fundit Murin e tij “të Berlinit”. Por nga vizitat që më bënë mua në qeli, shihej qartë që një nga temat pikante të tyre ishte burgimi im, ishte “e veja e “Diktatorit” Enver Hoxha”, siç më quanin në ato vite pothuajse të gjithë të huajt.
Unë nuk e kisha të vështirë që në bisedat që zhvillonin me mua, të konstatoja se ata para se të vinin tek unë, ishin kurdisur mirë e mirë nga kontaktet e tyre me elementë antikomunistë, me ish-të përndjekur, me politikanë etj., prej të cilëve ishin bombarduar me informacione për “gjithë ato krime që ishin bërë në Shqipëri, si askund në botë!”, patjetër dhe me akuza e shpifje kundër personit tim. Por, kur mësonin nga unë se, çuditërisht, isha dënuar për “shfrytëzim shtetëror” të kafeve (!), ata mbeteshin të habitur. Por vetëm kaq ishte reagimi i tyre. Asnjëri nuk më pyeti gjatë intervistës për këtë çështje, si e qysh ishte kjo puna e kafeve. Por unë e kisha të qartë se, megjithëse tundnin kartën dhe trumbetonin se i përkisnin shtypit të lirë, ata ose nuk guxonin të shkruanin për të vërtetat e mia, ose thjesht nuk donin ta bënin këtë. Dhe kur dëgjoja pyetjet e tyre, unë qeshja nën buzë, sepse ato ishin, përgjithësisht, në frymën e propagandës ekstremisht shpifëse, të gatuar në kuzhinën e politikës mjerane antikomuniste, të ashtuquajtur demokratike, duke u nisur nga paragjykimi sikur në të kaluarën, në vendin tonë kishte patur krime, shtypje, varfëri dhe asgjë tjetër (!)
Megjithatë, pati dhe gazetarë apo ndonjë personalitet të huaj që u treguan më objektivë me mua. Në këtë libër, ku flas për jetën time politike unë nuk kam përfshirë asnjë prej intervistave që u kam dhënë në burg gazetarëve dhe personaliteteve të huaja, jo vetëm sepse ato janë shumë, por sepse, siç e përmenda, përgjithësisht, ato nuk janë as realiste, as objektive, por kanë frymën dhe janë mbushur me propagandë antikomuniste, antienveriste.
Prandaj, edhe për kuriozitetin e lexuesit, mendova të sjell vetëm disa mbresa nga takimet me të huajt që më kanë vizituar në burg. Këto mbresa kanë lidhje më shumë me mënyrën e komunikimit tim me ta dhe me atmosferën në të cilën janë zhvilluar ato takime.
Një ditë, në Burgun 313 të Tiranës më erdhi në qeli presidentja e Shoqatës së të drejtave të njeriut, Ë….., nga SHBA. Ishte një zonjë serioze, me trup të gjatë, pak e mbushur dhe impozante. E shoqëronin përkthyes a gazetarë shqiptarë. Unë u ngrita në këmbë, i dhashë dorën dhe u ula në atë çilten time, të ashtuquajtur dyshek, u mbulova me batanije, ngaqë ishte shumë ftohtë, dhe u mbështeta pas murit. Ndërsa zonja e ardhur po formulonte pyetjet, hyri në qeli, me një frymë, si furtunë, zëvendësdrejtori i burgut, të cilin unë e njihja, sepse ishte dhëndri i njërit prej ish-anëtarëve të Byrosë Politike.
Siç duket, e kishin lajmëruar për ardhjen tek unë të zonjës amerikane. Nuk e mbaj mend nëse e përshëndeti mysafiren apo jo, por ai m’u drejtua menjëherë mua:
“Pse je ulur?”.
E habitur nga kjo pyetje e pavend, ia ktheva: “Po pse duhet të rri në këmbë? Ti, do të bësh mirë t’i sjellësh zonjës një karrige, që ajo të ulet (në qeli nuk lejohej asgjë tjetër veç çiltes sime).
Zëvendësdrejtori, që nuk e priste këtë reagim timin, nuk foli dhe nuk bëri asgjë, duke e lënë zonjën e nderuar në këmbë. Atëherë, unë mora një xhupin tim, që nga ana e brendshme ishte me pellush të ngrohtë, të bukur e të shndritshëm, e ktheva nga prapa, e shtrova mbi batanijen time dhe, duke ia treguar zonjës, i thashë: “Uluni, është i pastër”.
Zonja nga Amerika nuk pranoi, duke më thënë: “Jo, falemnderit”, dhe filloi nga pyetjet. Kështu, zhvilluam bisedën.
Ajo m’u duk korrekte dhe një vëzhguese e kujdesshme. Këtë e pashë edhe në artikullin mjaft të gjatë që kishte botuar. Kishte shkruar, në përgjithësi, pozitivisht. Në fillim thoshte se unë e kisha pritur “sikur të isha në shtëpinë time”. Me sa duket, kishte parasysh, ndoshta, bisedën e shtruar që unë bëra me të dhe faktin që i ofrova xhupin tim për t’u ulur.
Nga artikulli, dukej se ajo kishte vënë re, gjithashtu, se isha “veshur dhe e krehur normal”, si dhe kisha dhëmbë të pastër, por këtë nuk e kishte me qëllim të keq. Në fakt, në burg unë nuk ndërrova zakonet e mia të jetës, kuptohet, brenda mundësive që ishin aty. Gjithashtu, shkruante se ajo kishte vënë re në qelinë time 3-4 libra mbi njëri-tjetrin. Vërtet, ashtu i mbaja. Unë gjithmonë kam lexuar, aq më shumë në burg.
Në fillim, nuk deshën të më linin libra për të lexuar, as letër e laps për të shkruar, por, më pas, kur më lejuan të merrja libra dhe gazeta, unë lexoja ditën e natën, libra të gjinive të ndryshme, si politikë, historikë, letrarë, humoristikë. Nuk mund të rrija pa lexuar. Me sa duket, prania e librave i kishte bërë përshtypje zonjës nga Amerika.
Mbaj mend që më intervistoi në burg edhe një gazetare gjermane, e gazetës “Algemaine Zaitung”. Ndër të tjera, ajo më pyeti se a ishte takuar Enver Hoxha me kryeministrin e Bavarisë, Franz Jozef Shtraus, kur ky erdhi për një vizitë “turistike” në Shqipëri, në gusht të vitit 1984. Mbaj mend që ai hyri nga Shkodra, ndaloi në Tiranë, pastaj duke, kaluar nga Pogradeci, do të shkonte në Greqi.
I tregova gazetares gjermane se Enver Hoxha nuk e takoi Shtrausin, pasi ishte i pamundur dhe se ne ndodheshim në Pogradec, me pushime. Por, i thashë që Enveri u kujdes për programin e vizitës së mysafirit, i telefonoi dhe i dha porosi zëvendëskryeministrit Manush Myftiu që ta priste mikun në takim dhe t’i jepte ndonjë drekë zyrtare. Gjithashtu, i tregova se zoti Shtraus, që kishte me vete edhe djalin e tij, mbeti shumë i kënaqur në Shqipëri, i pëlqeu vendi, njerëzit dhe u miqësua me ta. Dihet që në ato bisedime nuk u ra dakord për reparacionet e Luftës, që prisnim nga Gjermania, çështje kjo që do të diskutohej gjatë dhe Shqipëria nuk arriti të përfitonte ato që mendonte se i takonin. Megjithatë, midis dy vendeve u lidhën marrëdhëniet diplomatike dhe sot Gjermania mban një qëndrim dashamirës ndaj vendit tonë…
Sa isha në burg, më kanë kërkuar intervista edhe shumë gazeta italiane. Më kujtohet, një ndër ta qe një gazetar i “Corriere della Sera”. Drejtor i burgut në atë kohë ishte nipi i Qazim Mulletit, Tanush Mulleti, i cili e quante veten “Nënë Tereza”, ngaqë sillej korrekt, bënte të mira dhe në murin e zyrës së tij mbante fotografinë e Nënë Terezës. Ai e dinte italishten dhe nga kjo, si duket, e mbajti gazetarin në zyrën e vet. Dërgoi tek unë një person, që më tha të shkoja atje. Desha, s’desha, pranova dhe shkova në zyrën e tij. Aty u zhvillua dhe intervista, që kaloi mirë.
Më kujtohet që në fund të intervistës, gazetari italian më bëri pyetjen:
– A besoni në fe?
– Jo, – i thashë, – jam ateiste, e bindur shkencërisht… Marksi ka thënë që fenë e kanë krijuar njerëzit, ata që i kanë shkruar ungjijtë dhe kuranin. Ata që u besojnë atyre e bëjnë këtë, ngaqë në jetën a fatin e tyre kanë momente dhe situata të vështira, për kapërcimin e të cilave nuk dinë ku të mbështeten… Ja, unë sot pres dy djemtë e mi të vijnë për takim, por më dridhet zemra për ta (sepse situata në vendin tonë në atë kohë ishte e acaruar, krimi bënte ligjin, hidheshin në erë makina, dëgjoheshin krisma armësh gjithandej, bëheshin sulme dhe kërcënime ndaj komunistëve, veteranëve dhe ndaj pjesëtarëve të familjes sime). Prandaj, – i thashë gazetarit, – kur mendoj se mos u ngjasë gjë djemve të mi rrugës për këtu, them me vete: “Dio, salvi i miei figli…”.
Gazetari më dëgjoi i habitur dhe, me këto fjalë të mia, e mbylli intervistën.
Por debati për fenë vazhdoi edhe pak, sepse ndërhyri drejtori i burgut, i cili më tha: Nënë Tereza besonte te Zoti, por bënte veç të mira…
Për ndonjë episod tjetër, si dhe për rastin kur unë refuzova intervistën me gazetarët francezë, për shkak të mungesës së korrektësisë së drejtorit të burgut, por edhe të vetë gazetarëve, nuk po ndalem këtu, pasi për to kam shkruar te Shënimet e burgut, që i kam përfshirë në këtë libër.(DITA)
tallu bushter tallu se jena popull legen perderisa nuk shkut ti me plehrat e biros si ata ne Rumani…. nuk ja vlen te shkruash ma se ju jeni njerez te semure menderisht e nuk ndryshoni kurr fare e poshter komuniste ….