Ish-deputeti dhe një nga njerëzit më të rëndësishëm të Partisë Demokratike deri në momentin që u largua nga politika, sipas tij për në projekt profesional me disa institucione ndërkombëtare, Eduard Halimi, ka bërë një kthesë të fortë.
Pas heshtjes për disa kohë ai është rikthyer në publik, këtë herë me qëndrime krejt të hapura pro Lulzim Bashës, edhe pse kur dha dorëheqje u aludua se largimi i tij nga skena aktive e politikës erdhi si pasojë e një konflikti me liderin demokrat.
Vetëm një javë më parë, Halimi u pa në ekran teksa mbronte si avokat në Gjykatë Lulzim Bashën për akuzat ndaj tij, si i përfshirë në lobim të paligjshëm, duke bashkëpunuar me rrjetin e Nik Muzin.
Megjithatë, Eduart Halimi tashmë ndodhet në pikën e tij më të lartë. Si ish-ministër i Drejtësisë dhe njohës i ligjit dhe në funksionin e avokatit ka zgjedhur për “klientë” shumë gjyqtarë dhe prokurorë të shkarkuar nga shkalla e parë dhe e dytë e vettingut.
Një prej rasteve të konfirmuar dhe për të cilin është avokat Eduart Halimi është ai i prokurorit Besnik Cani, që u zgjodh edhe anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, por për shkak të vendimit ankimues të Komisionerit Publik që kërkon shkarkimin, nuk mundi të shkojë më tej.
Përmes avokatit të tij, Eduard Halimi, Cani vuri në dyshim legjitimitetin e dy anëtarëve të trupës gjykuese, Luan Daci dhe Ardian Hajdari, ky i fundit në cilësinë e relatorit të çështjes, dhe kërkoi përjashtimin e tyre.
Halimi thotë se klienti i tij ka kallëzuar penalisht anëtarin e KPA-së, Luan Daci për veprën e falsifikimit të formularit të deklarimit në Prokurorinë e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, SPAK.
“Klienti im, Besnik Cani, gjatë këtyre ditëve është vënë në dijeni se anëtarët e trupës gjykuese, Luan Daci dhe Ardian Hajdari janë në kushtet e mbarimit të mandatit për shkak të pavlefshmërisë së emërimit të tyre dhe për këtë arsye kërkon përjashtimin e tyre,” tha Halimi.
Halimi argumentoi se për zhvillimin e një procesi të rregullt duhej që formimi i gjykatës të ishte kryer bazuar në legjislacionin përkatës, duke shtuar se edhe anëtarët duhej të ishin zgjedhur po në mënyrë të ligjshme. Halimi evidentoi edhe nevojën e paanshmërisë së anëtarëve të trupës gjykuese dhe kërkoi pezullimin e procesit deri në përfundimin e mandatit të Canit si anëtar i KLP-së dhe mospranimin e ankimit të Komisionerit Publik.
Halimi shtoi se subjekti i rivlerësimit ishte vënë në dijeni gjatë këtyre ditëve për pavlefshmërinë e emërimit të tyre dhe përveç kërkesës për përjashtim, ka dorëzuar edhe një kallëzim penal në SPAK.
Sipas Halimit, relatori Ardian Hajdari është emëruar në kundërshtim me legjislacionin pasi e ka pasur mesataren 6.4 ndërkohë që për t’u kualifikuar i duhej mesatarja mbi 8. Kolegji i Posaçëm i Apelit vendosi ta shtyjë seancën për në datën 11 shkurt, ora 10.00.
Besnik Cani e kaloi fazën e parë të vetingut më 27 nëntor 2018, ndonëse 3 çështje që lidheshin me etikën dhe profesionalizmin u dërguan për inspektim. Operacioni Ndërkombëtar i Monitorimit kërkoi ankimin e vendimit përmes një rekomandimi, ndërsa Komisioneri Publik kërkon në Kolegj shkarkimin e tij.