FOTOT: Viti 1902, atëherë kur besohej se mbret i shqiptarëve do të ishte një pinjoll i derës së Kastrioteve

7 Shkurt 2020, 10:33Dossier TEMA
FOTOT: Viti 1902, atëherë kur besohej se mbret i shqiptarëve do

Gazetari Armand Plaka ka publikuar në faqen e tij të facebook fotot nga viti 1902, atëherë kur besohej se Mbret i Shqiptarëve do të ishte një pinjoll i Derës së Kastrioteve.

 “1902. Atëherë kur besohej se Mbret i Shqiptarëve do të ishte një pinjoll i Derës së Kastrioteve, për të cilin më shume se 10 vite me radhë nga 1900-1912 ishte folur e shkruar aq shumë, saqë ky fakt merrej thuajse i mirëqenë.

Fotot dhe kartolinat me imazhin e tij, të shoqëruar nga flamuri i Skënderbeut, linin të kuptonin se ai ishte kandidati i padiskutueshëm për fronin shqiptar.

Rrugës gara solli me vete edhe kandidatë të tjerë; francezë, italianë, turq, shqiptaro-egjiptianë, madje Ismail Bej Vlora pati propozuar edhe vetë Presidentin e SHBA-së ( nëse ky i fundit do të dëshironte – thoshte Plaku i Vlorës), por Aladro Kastriota ishte padyshim më i lakuari, më i raportuari në mediat e huaja dhe fletoret shqiptare në diasporë e në Shqipëri, e nga tjeter në fund edhe më i abandonuari, duke vjelë edhe talljet e Faik Konicës, pasi ky i fundit e kishte mbështetur fillimisht ndërsa drejtonte Revistën ALBANIA nga Brukseli.

Kjo kishte bërë që të rritej papritur edhe interesimi i Spanjës ( normalisht një nga fuqitë më të painteresuara dhe më neutrale për fatin e Shqipërisë) dhe shtypit spanjoll, i cili po e ndiqte fatin e tij me kërshëri, duke sjellë shpesh artikuj, intervista, reportazhe dhe analiza rreth “çështjes shqiptare”, sikurse na shfaqet në këtë artikull të 2 prillit 1902 në “Nuevo Mundo”.

Fotoja tjetër është marrë nga arkivat spanjolle dhe na shfaq shtëpinë apo Pallatin e Princit Aladro Kastriota, në Jerez De la Frontera, një qytet i vogël spanjoll në Provincën e Cadiz-it, në rajonin autonom të Andaluzisë në jugperëndim të Spanjës.”- shkruan Plaka në facebook teksa poston fotot. (TemA)

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje