Lufta e ashpër kundër koronavirusit, ekspertët shpjegojnë detajet: Qasje të veçantë për çdo lloj mikrobi, ja se si duhet të mbrohen qytetarët

17 Shkurt 2020, 18:01Shëndeti TEMA

Organizata Botërore e Shëndetit ende nuk po e quan pandemi përhapjen e koronavirusit, megjithëse disa ekspertë të sëmundjeve infektive thonë se sëmundja mund të shndërrohet në të tillë. Virusi është përhapur tashmë në disa dhjetëra vende, megjithëse shumica e rasteve dhe vdekjeve kanë ndodhur në Kinë.

Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) ndihmuan vendet e Afrikës Perëndimore që t’i

jepnin fund me sukses përhapjes së virusit Ebola disa vite më parë. CDC në atë kohë drejtohej nga Dr. Tom Frieden i cili aktualisht drejton organizatën jofitimprurëse “Resolve to Save Lives”. Në një intervistë për Zërin e Amerikës ai përshkroi se si mund të luftohet koronavirusi.

“Kemi qasje të veçantë për çdo lloj mikrobi. Për disa kemi vaksina. Për të tjera kemi masa të përmbajtjes, sukurse SARS, MERS apo Ebola, ku në të vërtetë mund ta ndalojmë. Për të tjera, si gripi, përpiqemi ta zbusim. Përpiqemi të zvogëlojmë dëmin.”

Në rastin e Ebolës ishte kritike gjetja e njerëzve që kanë patur kontakt me të infektuarin. Ebola përhapet përmes lëngjeve trupore. Kontakti duhet të jetë i afërt.

Koronavirusi përhapet përmes ajrit si fruthi, që do të thotë se përhapet lehtësisht përmes kollitjes. Kjo e vështirëson gjetjen e përsonave të prekur. Izolimi është i rëndësishëm, thotë zoti Frieden.

“Nëse je i sëmurë, mos dil përjashta.”

Por me një virus të përhapur gjerësisht që ka infektuar të paktën 20 mijë njerëz, vështirësia është e madhe, thotë Lauren Sauer në institutin mjekësor “Johns Hopkins Medicine”.

“Padyshim që është pikëpyetje e vështirë për shëndetin publik. Besoj se duhet të mbështetemi tek njerëzit që të bëjnë gjënë e duhur, të qëndrojnë në shtëpi dhe të izolohen.”

Qeveria kineze u ka bërë thirrje njerëzve të izolohen nëse nuk kanë nevojë për kujdes spitalor. Kina ka vënë qyete të tëra në karantinë, që do thotë se njerëzit atje nuk lejohet të largohen.

“Është një përpjekje e jashtëzakonshme nga qeveria kineze, që në shëndetin publik quhet distancim social. Me fjalë të tjera, reduktimi i kontaktit mes njerëzve”, thotë Dr. Frieden.

Ai thotë se ekspertët e shëndetit publik kanë edhe rekomandime të tjera.

“Lani duart dhe mbuloni gojën kur tështini.”

Lauren Sauer e institutit të njohur “Johns Hopkins Medicine”, thotë:

“Njerëzit duhet të lajnë duart shpesh. Kush ndjehet i sëmurë duhet të qëndrojë në shtëpi. Rastet duhen identifikuar me shpejtësi.”

“Nuk kemi vaksinë për këtë virus dhe ndoshta për një vit nuk do të kemi”, thotë Dr. Frieden.

Hulumtuesit po punojnë për krijimin e një vaksine. Por për këtë virus, ka gjasa që të mjaftojnë praktikat e shëndetit publik për t’i dhënë fund përhapjes, pavarësisht nëse arrin fazën e pandemisë apo jo. Këto masa i dhanë fund përhapjes së Ebolës në Afrikën Perëndimore si dhe disa pandemive të tjera.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje