Jemi gati për të shkuar në bisedime me Britaninë e Madhe më 2 mars, shkroi në rrjetin social Twitter presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen.
‘’Jemi të gatshëm të krijojmë një partneritet të ngushtë dhe ambicioz me Britaninë e Madhe. Kjo është e mirë për njerëzit, është e mirë për biznesin’’, shtoi ajo.
Ministrat e BE-së për Çështjet Europiane kishin paralajmëruar më parë se negociatat e ardhshme tregtare me Britaninë e Madhe do të ishin sfiduese.
“Lamë pas negociata shumë të vështira”, kishte deklaruar ministri gjerman i Shtetit për Europën, Michael Roth, lidhur me bisedimet për Brexit-in.
“Por, tani do të jetë përsëri e vështirë”, paralajmëroi ai duke shtuar se dispozitat për ruajtjen e standardeve të barabarta janë kryesore për Gjermaninë.
“Negociatori i BE-së për Brexit, Michel Barnier, do të përballet me një detyrë të vështirë. Së pari, është më e rëndësishme të gjejmë një marrëveshje të mirë sesa t’i dorëzohemi presioneve kalendarike”, kishte theksuar ministrja franceze e Çështjeve Europiane, Amelie de Montchalin.