Ndërsa “Besëlidhja Kuq e Zi” e 2 marsit, thirrur nga lir Meta, po afron, presidenti në largim është hedhur në një ofensivë takimesh me ndërkombëtarët.
Gazetari i Top Channel Muhamed Veliu raporton se paraditen e të enjtes presidenti ka zhvilluar një takim me tre ambasadorë.
Burime nga presidenca i thanë Top Channel se në këtë takim ishin ambasadorët e Holandës, Suedisë dhe Spanjës.
Vetë presidenti u ka bërë një prezantim në gjuhën angleze të atyre që i cilëson si fakte se një grusht shteti është konsumuar nga maxhoranca, për kapjen e Gjykatës Kushtetuese.
Takimi ka zgjatur 90 minuta.
Gazetari Muhamed Veliu thotë se përmes këtij turi takimesh me ndërkombëtarët presidenti synon t’i bindë ata se “Besëlidhja” e 2 marsit është një akt legjitim dhe i domosdoshëm për Shqipërinë.
Në ditët në vijim presidenti Meta do të takohet edhe me diplomatë të tjerë.
Ndërkohë Top Channel ka mësuar se përballë kësaj situate të re ku kreu i shtetit merr në dorë flamurin e opozitarizmit, pritet që në delagacionin e BE në Tiranë gjatë ditëve të ardhshme, të organizohet një takim urgjent me të gjithë ambasadorët e vendeve të BE, nga ku do të dilet me një qëndrim të unifikuar për 2 marsin presidencial.
Ndërkombëtarët për momentin nuk e kanë komentuar këtë iniciativë të presidentit.
Megjithatë pas takimit me presidentin Ilir Meta javën e shkuar, ambasadorja amerikane në Tiranë Yuri Kim tha se “presim që udhëheqësit shqiptarë të sillen në mënyrë të tillë që të jetë e përgjegjshme dhe për të mirën e popullit shqiptar. Ne e sigurojmë popullin shqiptar se ne do të jemi aty për të vëzhguar dhe kontribuar”.