Karolina e Jugut, provë kritike për ish-Nënpresidentin Biden

29 Shkurt 2020, 15:37Bota TEMA

Votuesit në Karolinën e Jugut votojnë të shtunën në zgjedhjet paraprake të Partisë Demokrate, një hap dramatik para zgjedhjeve paraprake të së martës së ardhshme në 14 shtete, që njihet si “Super e Marta”.

Gara në Karolinën e Jugut ofron një mundësi tjetër për kandidatët që duan të ndalin hovin e senatorit të Vermontit, Bernie Sanders, në përpjekjen e tyre për ta mposhtur Presidentin Donald Trump në zgjedhjet e përgjithshme të nëntorit.

Ish-nënpresidentit Joe Biden, dikur pretedenti kryesor i demokratëve, e që nuk ka dalë mirë në zgjedhjet paraprake në tre shtetet e para, i duhet fitorja në Karolinën e Jugut për të vazhduar fushatën. Zoti Biden ka bërë fushatë agresive për të mbledhur para dhe për të nxitur entuziazmin në mesin e demokratëve.

Karolina e Jugut konsiderohet si një bastion i zotit Biden për shkak të përqindjes së madhe të votuesve afrikano-amerikanë që kanë qenë prej kohësh besnikë ndaj tij dhe ish-Presidentit Barack Obama. Një humbje ndaj senatorit Sanders mund ta detyrojë ish-Nënpresidentin amerikan të tërhiqet nga gara.

Zoti Biden ka një epërsi prej 10 pikësh ndaj senatorit Sanders në mesataret e sondazheve të organizatës “RealClearPolitics” për Karolinën e Jugut, por Tom Steyer, një miliarder dhe filantrop që ka investuar kohë dhe shuma parash të konsiderueshme për të bërë fushatë në Karolinën e Jugut, duket se po e redukton epërsinë e zotit Bidenit.

Ish-Nënpresidenti Biden mori një shtytje shumë të nevojshme të mërkurën kur ligjvënësi i Karolinës së Jugut, James Clyburn njoftoi se e mbështet kandidaturën e tij për të marrë emërimin e Partisë Demokrate.

Zoti Sanders, një senator i pavarur dhe socialist i vetëdeklaruar demokrat, merr pjesë në zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut si udhëheqës i qartë pas fitoreve në Nju Hempshir dhe Nevada dhe sigurimit të vendit të dytë në Ajova.

Zgjedhjet paraprake në Karolinën e Jugut do të jenë treguesi i parë thelbësor i rezultateve që kandidatët do të shënojnë në mesin e votuesve afrikano-amerikanë, një bllok elektoral kritik i Partisë Demokrate që përbën rreth 60 për qind të elektoratit të demokratëve në këtë shtet dhe 27 për qind të popullsisë së shtetit.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje