Sa shumë të pavërteta në librin e zonjës Nexhmije

2 Mars 2020, 13:12Blog TEMA

Nga Shpendi Topollaj

Hezitova për të shfaqur mendimet e mia rreth librit të zonjës Nexhmije Hoxha, botuar tash së fundi, me titull “Përjetime dhe meditime në jetën time politike”, për disa arsye. Ne jemi në demokraci, ku të paktën gjithkush mund të mbrojë pa drojë bindjet e veta, ashtu sikurse edhe mund të debatohet rreth tyre. Kjo zonjë duhet respektuar si për moshën prej një shekulli, kulturën e memorien, ashtu edhe për të kaluarën e saj si një femër e guximshme në luftën për liri. Po ashtu, kur fati e solli që të jetë bashkëshortja e udhëheqësit të këtij vendi për më shumë se katër dakada, nuk ka pse të vihet në dyshim dëshira për të bërë gjëra të mira për popullin e vet. Mirëpo, këtë dëshirë e kanë pasur gjatë gjithë historisë edhe mbretër e perandorë, por që më së tepërmi mbahen mend si diktatorë të pashpirt që për interest e tyre  kanë bërë krime të përbindshme, jo vetëm ndaj popujve e vendeve të tjera, por edhe ndaj shtetasve të tyre, madje edhe ndaj besnikëve që i rrethonin dhe u shërbenin me devocion.

Sa për shkolla, elektrifikime, rrugë, bonifikime, shërbim shëndetësor etj. nuk ka shtet në botë që nuk i ka bërë, dhe ato janë vepra dhe mundi i të gjithëve. Gjithë çështja ka qenë te lavdia dhe mbajtja e pushtetit nga udhëheqësit karrieristë e arrivistë. Jo më kot, dikush ka thënë pak a shumë se “Nuk është gjë e vogël emri. Për një emër, Napoleoni i vuri zjarrin Evropës”. Mirëpo, këta udhëheqësit komunistë, si në Evropë ashtu edhe në Azi, bënë krime të padëgjuara me popullin e tyre, duke ua kaluar ndofta edhe vetë Musolinit dhe Hitlerit. Dhe e gjithë kjo, gjoja në emër të ideologjisë marksiste – leniniste. E bukur ideologji, që i angazhoi sa e si mundi njerëzit në punë skllevërish nga më të rëndat, duke i mashtruar me dokrra propagande boshe, dhe që në fund hëngri veten e vet. Tashmë, kushdo e ka të qartë se rend shoqëror të përkryer as ka pasur dhe as që do të ketë ndonjëherë. Dhe më saktë e më përmbledhur se Çurçilli, nuk besoj ta ketë  shprehur kush. Ja si thotë ai: “Defekti i natyrshëm i kapitalizmit është ndarja jo e barabartë e të mirave. Virtyti i natyrshëm i socializmit është ndarja e barabartë e mizerjes së tij”. Tani zgjidh e merr. Dua të besoj se kushdo që ka dy pare mend në kokë, do preferojë të parin.

Ca më shumë ne në Shqipëri që u zhgënjyem skajshmërisht nga ai sistem dhe u varfëruam deri në kufirin e krahasimit vetëm me veten. Atdheu ynë që ka pasur si simbol shqiponjën (dy)krenare, nga kush tjetër veç komunistëve, u rrethua ma tela me gjemba, duke u kthyer kështu në një burg të madh. A nuk janë me mijra ata që duke ditur rrezikun u ngritën dhe morën arratinë, shpesh duke mbetur të vrarë në lulen e rinisë, nga plumbat mizorë të automatikëve të vëllezërve të tyre ushtarë. A nuk u diferencuan njerëzit e thjeshtë në të varfër të nderuar dhe në kulakë armiq, vetëm e vetëm pse kishin ca dele e ca toka më shumë? Po udhëheqësi që kishte qenë në Francë a nuk e dinte sesi kishte dështuar lëvizja e levelerëve (barazuesve)?

Sa vuajtën burgjeve për një fjalë goje me nga 20 e 30 vjet? Sa u pushkatuan dhe sa familje, përfshi dhe ato vajza të huaja që u dashuruan me studentët tanë, u shkatërruan për të turpshmen “biografi” dhe akuza si “spiune”? Po inteligjencia, kjo pasuri e madhe kombëtare, si e pësoi. Po radhët e gjata qysh në mes të natës për një shishe qumësht, një kg. mish dhe një pako kafe në muaj, mos janë sajesa? Po tre lekë në ditë që merrte një kooperativist barkbosh, a nuk është e vërtetë? A nuk ushqehej fëmija në fshat me një copë bukë misri që nuk e hante as derri, me një bisht qepe, se nëna nuk kish t`i jepte edhe një gotë dhallë?

A nuk shkonte në shkollë ai në palcën e dimrit, i zbathur e duke u dridhur me librat futur në një çantë lecke? Mos u duket shaka pa kripë ajo puna e dy qingjave në vit për çdo familje, ku njëra duhej dorëzuar. Vallë harruan shqiptarët se ç`hiqnin për të gjetur një biletë autobusi apo për të marrë një televizor? Akoma nuk na ka dalë e keqja e pritjes me orë të tëra me një bidon në dorë, për karrocën e vajgurit. As sot nuk e di se ku i gjenim nja dy kg. arra për ballkavanë e Vitit të Ri. Si nuk na lanë një ditë të dielë të pushonim si njerëz, po turru këtu me pushkë druri e turru atje me lopatë; hap gropa e mbyll gropa. Por nuk janë vetëm këto. Unë i përmenda vetëm sa për të nxitur kujtesën dhe për të sugjeruar se zonja në fjalë, para se të shkruante përjetimet dhe meditimet, para se të mbronte mjerimin dhe të tallej me demokracinë (e cila patjetër që ka sa të duash mangësi), duhej të dilte një herë nga shtëpia dhe të shihte ç`bëhet. Të dilte duke e mbajtur dikush nga “këshilltarët” e saj për krahu, se mund të pengohej në arkat me fruta, në pirgjet e rrobave, në elektroshtëpiaket sa një mal, pra në dyqante e pafund që sa nuk po pëlcasin nga malli gjithfarësh. Dhe, në ma marrtë për ironi, të më falë, por të bëjë kujdes nga lumi i vrullshëm i makinave, se është nënë dhe gjyshe e dashur për fëmijët dhe nipat e mbesat e veta.

Dhe kur ta çojnë, gjë që duhet ta kenë bërë, nëpër ato restorantet si brenda ashtu dhe jashtë kryeqytetit, të kujtojë se nuk ka qenë gjithmonë ashtu. Vilat rreth e rrotull nuk janë fshatrat e Patjomkinit, por realitete. Vetëm dëshira e mbështetur në atë ideologji e politikë megallomane që na ndau nga e gjithë bota, nuk mjaftonin për të rritur mirëqenien e popullit. Zonja Nexhmije ka qenë dhe mbetet një grua e zgjuar, dhe duhet të gjejë forca të jetë më e drejtë në gjykimet e saj. Ajo hyn pa frikë tek ata që duhet të gjejnë forca dhe t`i kërkojnë popullit falje. A nuk ishte Rusoi ai që thosh se “Po e ndave moralin nga politika, nuk ke kuptuar asgjë nga të dyja”? Komandanti fliste shpesh për kritikën dhe autokritikën revolucionare. Dhe vetë ai bënte sikur bënte të tilla, paçka se ato përfundonin me prerjen e kokave të shokëve të tij.

Zonja Nexhmije, duhet të japë shembullin si shoqja më e afërt dhe besnike e tij, sidomos tani që as mund të presë ndonjë kokë dhe as asaj nuk ka pse t`i hyjë gjemb në këmbë për mendimet që shfaq. Poeti Pol Valeri thosh se “ajo që më intereson nuk është gjithmonë ajo që ka të bëjë me mua”. E pra, duhet t`i shohë bëmat e dobësitë e atij sistemi, që sot pas 30 vjetësh i bën apologjinë, me syrin e njerëzve të thjeshtë. Po të ishim të kënaqur, nuk kishim pse të shprehnim gjithë atë mllef dhe nuk do ta tërhiqnim zvarrë monumentin e tij, që asaj i ka bërë aq përshtypje, sa nuk i kishte bërë kur i shoqi hidhte në erë varrin e Nënës Mbretëreshë, flakte në lumë eshtrat e poetit kombëtar Gjergj Fishta, varroste në këmbët e urës shokun e tij të jetës dhe i shpinte deri në oborrin e një militant në Vranisht eshtrat e gjeneralëve heronj, që për hir të së vërtetës, edhe tani po të ngjalleshin do të ishin me Enverin. Por unë nuk desha të ndalem këtu, se ashtu i takon të flasë dhe fundja askujt nuk i prish punë. Komunizmi ka vdekur një herë e përgjithmonë dhe vuajtjet tona prej tij e kanë një vlerë; pasi i treguan botës se si nuk duhet ndërtuar shoqëria njerëzore dhe ku të çojnë iluzionet e komunizmit, për të cilin kishte rëndësi mbrojtja e parimeve, qoftë edhe duke ngrënë bar, pra duke u shndërruar në të kundërtën e teorisë darviniane që e kish bërë të vetën, nga njerëz në kafshë.

Dikush, duke u marrë me këtë temë, ka shkruar se “Çdo pushtet që pretendon se i ka siguruar popullit të tij lirinë dhe demokracinë, duhet të fillojë pikësëpari nga garantimi i një ekzistence të denjë”. Pikërisht kjo nuk u realizua kurrë te ne. Por unë desha të ndalem në disa momente të këtij libri, që duke mos qenë të vërteta, nuk i shërbejnë historisë, sikurse edhe mund të çorodisin ndonjë që nuk e ka jetuar atë kohë, edhe pse vetë autorja qysh në krye pretendon se është “Duke theksuar domosdoshmërinë e vlerësimit objektiv të historisë së vendit tonë dhe të figurës së Enver Hoxhës”. T`i marrim me radhë: Duke ditur se komunistët janë internacionalistë, nuk ka pse diskutohet rreth rolit të PKJ në bashkimin e grupeve dhe krijimin e Partisë Komuniste të Shqipërisë, apo dhe qëndrimet pak a shumë dashamirëse të Miladin Popoviçit dhe fodullëkun prej terroristi e hileqari i Dushanit etj. Ama, nuk dalin në libër as letrat përgjëruese e nënshtruese të Hysniut, Mehmetit, Fiqretit etj. drejtuar këtij të fundit që i gjejmë veç të tjerash te kujtimet e Panajot Plakut, anëtarit të K.Q. e ministrit të arratisur.

Edhe anëtarët e parë të dalë prej këtij Komiteti Qendror Provizor, nuk janë të plotë; mesa duket për të mos i kujtuar lexuesit se sa keq e pësuan ata më pas. Emri i Haki Tahës, mësuesit patriot që ka shërbyer edhe në shkollën e Shënavlashit në Durrës, dhe që në libër vetëm quhet ballist, duhej përmendur patjetër, pasi qe ai që vrau Miladinin, duke i thënë se ku e kishin Kosovën e bashkuar me Shqipërinë siç qe premtuar, dhe kur e vranë edhe atë te dera jashtë, panë se në gjoks kishte si tatuazh flamurin kombëtar. Kur flitet për Fraksionin e Vlorës, ku u duk ashpërsia dhe urrejtja e të dërguarit të Titos, Dushan Mugosha, dhe me shpartallimin e të cilit mburrej Enveri, pse nuk sqarohet se çfarë kërkonin tjetër ata të Çetës Plakë të Vlorës, veçse mosvarjen nga jugosllavët dhe bashkimin e Shqipërisë. Po ky Koçi Xoxe, beniamini dhe agjenti i regjur i Titos që donte ta bënte vendin tonë republikë të shtatë të Jugosllavisë, a nuk ishte ai që kur Enveri në mbledhjen e Byrosë Politike deklaroi se “tani e tutje popullit duhet t`ia bëjmë të qartë se Sekretar i Përgjithshëm i Partisë nuk jam unë, po mareshalli”, tundi kokën duke qeshur e artikuluar “jo gjer këtu bre Enver, jo gjer këtu”.

Nëqoftë se ai ishte një njeri pa asnjë vlerë, si e pranoi Komandanti që të vihej në detyrën e zëvendës Kryeministrit, ministrit të Brendshëm dhe Sekretarit Organizativ të Partisë, aq sa populli këndonte “Koçi Xoxe dhe Partia, / Enver Hoxha dhe ushtria”. Sa të duash krime bëri Koçi, por në gjyq deklaroi se gjithçka e kishte bërë me dijeni të Komandantit. Mirë se Tito u quajt prej Enverit, shpëtimtar dhe këtu i këndoheshin këngë, por a nuk ishte po ky Enver që i parashtronte atij vendimin për t`ja aneksuar vendin tonë Federatës Jugosllave, duke e njoftuar se ishin në pritje të udhëzimeve se si do të realizohej kjo (dok. i datës 17.03.1948, ku shkruan: “Ne kemi nevojë të na thuhet nga ju nëse ka ardhur momenti kur ne duhet të marrim në shqyrtim çështjen e bashkimit”). Gjatë vizitave në Jugosllavi, atyre nuk u interesonte ta shpinin delegacionin tonë në Kosovë, po Enveri si nuk e kërkoi vetë apo nga meraku se mos mërziteshin serbët.

Pra, nuk është e mjaftueshme të thuash se udhëheqja jugosllave dhe Titua ndoqën ndaj Shqipërisë një politikë me dy faqe. Kështu vepronte edhe Enveri, madje gjatë gjithë sundimit të tij dhe me këdo. Pastaj, si mund të kesh idhull kryekriminelin J.V.Stalin që e ka mohuar edhe atdheu i tij, dhe të të mos bëjë përshtypje fakti se jo vetëm nuk e njihte Shqipërinë, por e nxiste M. Gjilasin ta “gllabëronin” vendin tonë. Këto, as më shumë dhe as më pak, janë retushime të të vërtetave historike, si ato fotografitë e njohura të ngjarjeve historike ku hiqeshin e viheshin gra e burra sipas dëshirës dhe rrethanave politike që po vetë i krijonin. Se a nuk ishte Instituti i Studimeve m – l që botonte sot një vepër të Enverit, ku thuhej se ai e kishte dashur shumë nënën e M. Shehut dhe kishte qarë shumë kur ajo kishte vdekur, dhe se ky me Brigadën e tij heroike e kishte shpëtuar Shtabin e Përgjithshëm, dhe fill pas eliminimit të Mehmetit, kur vepra ribotohet, del se Enveri nuk kishte derdhur pikë loti për nënë Sulltanen dhe Shtabin e Përgjithshëm e paskej shpëtuar trimëria e vet, se sa për komandantin e Brigadës së Parë Sulmuese, ky hezitonte, siç thuhet në libër, edhe për të kaluar forcat në Veri.

Dhe kjo është më e pakta, pasi ai kështu bëri me Hrushovin, me Mao Ce Dunin, me udhëheqësit tanë, deri edhe me Myslim Pezën e Haxhi Lleshin që në vepra i lëvdonte dhe në ditarin që mbante i tallte, e për më tepër, e përgëzonte Drejtoreshën që nuk ua botonte kujtimet e tyre, pasi… ç`t`i thoshte popullit për ta. Por ajo që të çudit në këtë libër është trajtimi i figurës së Mehmet Shehut, trajtim që zë vend gati në të gjthë shtrirjen e këtij libri. I shkreti Mehmet ç`po heq. O zot, ç`i punuan pas vdekjes. Vetëm agjent të Antarktidës nuk e bënë këtë BAB – 008. Paskej qenë rekrutuar nga Harri Fulci, pastaj në një kamp refugjatësh në Francë, që paskej shkuar me mision si vullnetar në luftën e Spanjës, pasi kishte nevojë për para dhe paskej shtënë fall se komunizmi me Tar(r)asin do merrnin pushtetin në Shqipërinë e vogël, por që ua paskej prishur gjumin si SHBA ashtu dhe Britanisë së Madhe.

Ai edhe pse kishte pasur gabime të rënda që e dëmtonin dhe e komprometonin Partinë në sytë e masave, pra duke vrarë e duke prerë fshatarë të varfër e ushtarë italianë robër, edhe pse ankohej dy herë tek ambasadori Leviçkin për Enverin, duke i kërkuar atij ndihmë nga jashtë, edhe pse pasi bëri mëkatin e parë dhe “në vazhdim, në vitet 1944, 1953, 1960, 1972, 1973 e deri në fund”, përsëri Enveri e ngrinte në detyra nga të rëndësishme, si anëtar i Byrosë Politike, Shef  i Shtatmadhorisë, Sekretar i KQ, ministër i Brendshëm, Kryeministër (më jetëgjati), ministër i Mbrojtjes e ku di unë. Dhe e gjithë kjo falë një “intuite gjeniale” të Enverit, i cili, nuk donte përçarjen e Partisë dhe krisje në unitetin e popullit. Dhe ja si thuhet nga autorja: “Ishte filozofia e tij që të mbante qëndrim të matur e të kujdesshëm ndaj gabimeve të Mehmetit”.

Dhe puna paska arritur deri aty, sa Enveri, si babaxhan, të thosh “Si nuk e korrigjoi veten ky?”. E si shpjegohet kjo zemërgjerësi e ky durim i atij që në çdo plenum sajonte nga një grup armiqësor dhe i çonte në plumb pa ju dridhur qepalla shokët e tij më të afërt, të sprovuar, me autoritet dhe fundja të komprometuar në bëmat e tij. Pse nuk u tregua i tillë me Komisarin e Brigadës së Parë dhe Sekretarin Organizativ, Heroin e popullit dhe kolegun e Mehmetit, Tuk Jakovën? Apo ai kishte gabuar më shumë se i kishte dhënë 500 lek një prifti që të kthehej në Shkodër dhe paskej thënë se nuk është ky roli i Enverit në krijimin e Partisë. Po Bedri Spahiun, pse nuk e duroi. Po Ymer dëshnicën, Sefulla Malëshovën, Liri Gegën shtatzënë e Dali Ndreun. Po me Koço Tashkon, Liri Belishovën, Fadil Paçramin, Todi Lubonjën, Abdyl Këllezin, Koço Theodhosin, Beqir Ballukun, Petrit Dumen, Hito Çakon, Rrahman Parllakuin, Kadri Hazbiun, Feçorr Shehun, Teme Sejkon me gjoja grupin e tij të çamëve e sa e sa të tjerë, pse nuk u tregua i matur dhe i duruar me atë filozofinë e tij të neveritshme.

Po ata të Konferencës së Tiranës të vitit 1956, a e dini sesi përfunduan. Se kur Iliaz Ahmeti nxirrte lapsin e bënte llogari apo kritikohej kulti i personit, ai shihte rrezikun e lënies së karriges së tij. Nuk u shqetësua shumë Enver Hoxha për gjeorgjianin gjakatar. Jo, ai kishte hallin e vet,ndaj dhe hoqi dorë nga posti i Kryeministrit, duke ja kaluar atë Mehmetit, se nuk gjente tjetër, e gjoja, siç thuhet në libër, për t`u marrë me problemin kosovar. Po pyetini kosovarët që erdhën këtej se si e pësuan. A nuk provuan ata dyshime, survejime, burgje e internime, pa folur për shkëmbime me UDB – në, me të arratisur shqiptarë; pra në të dy rastet, duke e pësuar po shqiptarët. Personalisht, ma kanë nxirë jetën mua, birit të një shoku të Qemal Stafës qysh në Cinkografinë “Kosturi” dhe partizani të orëve të para në luftën për çlirim, vetëm e vetëm pse pata lexuar një libër me kritika letrare të prof. Rexhep Qoses, ku veç lavdëroheshin shkrimtarët tanë. Arsyeja ishte se libri qe shkruar nga një kosovar dhe qe botuar në Kosovën që Enveri e “donte” aq shumë. Por le të kthehemi edhe një herë te Mehmet Shehu, furtuna ndaj të cilit nisi me gjithë vrullin e saj pas vetëvrasjes së tij. Ky burrë i shquar shteti, me vlera të admirueshme intelektuale, vërtetë ka bërë gabime shumë të mëdha, dhe njeri nga ata është mbështetja e egër dhe me besnikëri prej qeni, që i bëri çmendurisë së Enverit, për të goditur të ashtuquajturin “Puç ushtarak”.

Por do të ishte më shumë se naive që të ishe në një mnedje me autoren e këtij libri, kur shprehet se “tashmë, Enver Hoxha krijoi një tablo të qartë për anën e zezë të Mehmet Shehut, për implikimin e tij me shërbimet agjenturore të huaja…” Dhe merret si argument takimi i tij gjatë udhëtimit për Amerikë me vaporin “Quin Elizabet”, teksa shkonte për të marrë pjesë në sesionin e OKB – së, me Titon dhe djalin e Çurçillit, Randolfin. Kjo është një gënjeshtër e madhe, ose më mirë vazhdim i verbër i sajesave të vetë E. Hoxhës, për të përligjur sulmin ndaj tij. Por, anëtari i KQ Agim Popa që ishte i pranishëm në këtë udhëtim, pyetjes së “Gazeta shqiptare” në kish takuar kryeministri dikë në transatllantikun mbretëror, ju përgjigj prerë: “Absolutisht jo… Këtë e them me plot gojën, që ai absolutisht nuk është shmangur nga sytë tanë për asnjë çast”. Autorja nga ana e saj i referohet edhe ndonjë thënieje të Xhon Hallideit që ka shkruar librin “Shqiptari dinak”, ku Mehmeti nga misionarët gjatë luftës, quhet vanitoz, komunist që ambicia personale ia kalon besnikërisë së tij ndaj Partisë.

Por ajo nuk përmend atë që ai thotë për protagonistin e librit të tij, Enverin: “…Hoxha, shihet qartë që, nuk donte ta ngrejë çështjen se ka neglizhuar detyrën si kryetar i Partisë, përderisa ka lejuar që një gjendje e tillë e punëve të zgjasë për gati dyzet vjet. Mbas një kritike të kuptueshme ndaj përrallës me mbret që nxorrën zyrtarisht kinezët lidhur me “kompllotin” e Lin Biaos për të vrarë Mao Ce Dunin (që ai e krahason me filmat e “Xhejms Bondit”), Hoxha mesa duket i pandërgjegjshëm për ironinë që shkakton ngjashmëria midis dy rasteve, shkruan versionin e vet mbi “kompllotin” për të “hequr qafe” Enverin… Duke eliminuar kolegun e tij më të vjetër, vetëm pak vite se të vdiste vetë, Hoxha tregoi se po humbiste çdo aftësi tjetër, por jo forcën e dyshimit. Drama klasike ballkanase është vënë përsëri në skenë  – e fundit shfaqje e madhe e Hoxhës”. Dhe të mendosh pastaj se dëmi i vetvrasjes së tij qe akoma më i madh kur lexon se ai qe dhe shkaku që Enveri u sëmur. Po të ishte kështu, ai duhej të sëmurej që kur vriste prapa shpine shokët e tij (dekorojeni me një plumb kokës!), si Mustafa Gjinishi e Mynyr Xhindi etj. Pastaj, ç`ne letra për Mehmetin nga S. Bufi, në kasafortën e H. Kapos; pra Enveri e ruante për ç`do rast kur shokut më të ngushtë, t`i shkiste këmba dhe hopa.

Kishte plot arsye për ta dënuar mehmetin, por ja që u shfrytëzua gjëja më banale, fejesa e djalit. Se kjo do e pengonte triumfin e socializmit në të vetmin vend të Evropës. Ndofta nuk ia vlen të zgjatem me këto që sot tingëllojnë kaq qesharake, por nuk rri dot pa shtuar se përse duhej shkuar deri te fëmijët e nipat e tyre në goditjen që ju bë atij post mortem. A e dinte ai se edhe Sirusi i Persisë së lashtë shkruante në Dekretin e tij se: “Askush nuk do të dënohet për fajet e të afërmve”. A ka ndonjë keqardhje autorja për dramat që ju krijuan atyre? Vetë Enveri që na paskej drejtuar me një ekip kaq të madh armiqsh, a ka vallë ndonjë përgjegjësi para shqiptarëve? Të paktën për mungesë syçeltësie. Dhe tani të vimë te kapituj që bëjnë fjalë për shembjen e komunizmit i cili na qenka shpartalluar nga disa huliganë dhe ndërhyrjet e shërbimeve të huaja inteligjente. Se sa për Amerikën, autorja qenkej gëzuar shumë që u vendosën marrëdhëniet diplomatike, por sipas saj, do gëzohej edhe vetë Enveri, i cili qenka përpjekur disa herë, dhe nuk është faji i tij që nuk e paskemi ditur.

Dhe pastaj ndeshim pasazhe tragji – komike, sipas të cilave, eksodi biblik nuk qenka rezultat i mjerimit ekonomik ku na katandisi ai sistem, por i thatësirës tre vjeçare dhe ndërprerjes së furnizimit nga Kina (thuajse u prish Kina me ne), përpjekjeve për një jetë më të mirë dhe pasojë e nxitjes së demokratëve të pabesë. Nuk ndenjën rehat as ata që kishin humbur pronat, pushtetin dhe kishin përfunduar burgjeve dhe internimeve, thotë autorja. Pra, ata ende duhej të duartrokisnin xhelatët e tyre. Se ajo parti ja dha dhe e mbajti deri në fund besën popullit tonë, ndaj tani ajo habitet se po i kthenin krahët dhe po shkruanin parrulla nëpër mure, ata rrugaçët e Kavajës. Po si t`ja bëjmë kur ajo pohon vetë se as nga miqtë më të ngushtë, as nga Byroja Politike dhe as nga anëtarët e KQ nuk ju gjend askush. Ja si shkruhet në libër: “Familja jonë, ato ditë, por edhe muaj e vite më vonë, ishte pa asnjë mbështetje. Pati dhe shokë, shoqe, miq të mi që nuk u bënë të gjallë, që u fshehën si minjtë, nga frika prej maçokëve të zinj, që kishin hipur në pushtet…” Të poshtrit! Le që ata nuk ishin as në nivelin e duhur, se fjala vjen kur e la postin e Sekretarit të Parë Ramiz Alia, nuk kishin kë të vinin, pasi gjithë udhëheqja e Partisë nuk ishin as në nivelin e një sekretari Partie Rrethi. “Unë – thotë ajo – isha krejtësisht e bindur që asnjë nga shokët e Byrosë Politike ose të KQ nuk ishte i përgatitur dhe i pranueshëm të vihej në krye të Partisë e të Shtetit. Kush? Adili, Manushi, Hekurani, Haxhi Lleshi, Shefqet Peçi?

Epo, turp për atë parti dhe për udhëheqësin e saj që pas afro 50 vjetësh nuk kishte arritur të përgatiste dikë për të drejtuar Partinë. Por nuk kishte sesi të ndodhte tjetërsoj, kur të mençurit dhe të kulturuarit i kishin eliminuar me kohë, duke i zëvendësuar me ca matufë. Dhe ajo vazhdon të akuzojë për rendje pas lluksit dhe të mirave materiale: “…më pas, filloi gara ndërmjet shokëve të Byrosë Politike dhe veçanërisht shokëve të rinj”. Se edhe Ramizi e shthuri fare Partinë, dhe i çoroditi komunistët që po u dobësohej roli drejtues, kur shpiku ato mbledhjet e hapura. Ramizi, s`kishte nga t`ja mbante se ashtu erdhën punët, se po të ishte për udhëheqjen e asaj kohe, edhe një mijë vjet ashtu do ta mbanin organizimin partiak e shtetëror. Në një plenum, autorja edhe pse paska bërë thirrje për mos derdhje gjaku, se tani gjaku që mund të derdhej kishte ndërruar kahje, revoltohet kur mëson se kishte rënë monumenti i të shoqit dhe thërret: “Jo, kjo nuk duhej lejuar!” Po si? Me ç`mjete? Se aty ishte i tërë populli. Kam qenë edhe vetë te shkallët e Pallatit të Kulturës atë 20 shkurt dhe po të mos e kisha parë, nuk kisha për ta besuar se ngazëllimi i pafundësisë të njerëzve, ka qenë i përmasave të paimagjinueshme.

Ajo ishte dhe do të mbetet një ditë mëse historike. Njerëzit kishin nevojë jetike për të ndryshuar. Volteri qysh në kohën e tij thosh se “Sa herë duam të vendosim që një sistem shoqëror të ndryshojë natyrën e njeriut, para se të ndryshojë sistemi njeriun, ndryshon njeriu sistemin.” Ja, kjo ngjau te ne, pas përmbysjeve që ndodhën në gjithë vendet e Evropës Lindore, nga tallazet e së cilës nuk kishte sesi të shpëtonte vetëm Shqipëria. Le kur dolën në skenë hajduti i batanijeve Azem Hajdari e njeriu i zbritur nga shpellat Sali Berisha. Ata ishin ç`ishin. Se qenë dhe hakmarrës të mëdhenj. Po se përse duhej të hakmerreshin, askush nuk e di. Ata, faktikisht i mbrojtën bllokmenët duke hedhur parrullën: “Të gjithë bashkëfajtorë, të gjithë bashkëvuajtës”. Dhe a nuk ishte deputeti Neritan Ceka që ajo nuk ja zë emrin në gojë, ai që turmën e egërsuar e ktheu mbrapsht, kur po marrshonte drejt Bllokut. Po marrshonte, por jo me thasë për të vjedhur, sikurse kërkon t`i përdhosë ata. Të dhimbset kjo autore kur kujton privimet e të shoqit dhe familjes së tij, aq sa kujton se ai i paskej thënë njëherë “luftuam për lirinë e të tjerëve, por s`fituam pak liri për vete…” Epo hë. Nuk të vjen të kesh dy… një ta çash e një ta mbash? Gjithashtu në libër bije në sy edhe mungesa e dhënies së opinionit për Kadarenë që iku, Agollin që foli trimërisht e mençurisht kundër asaj Partie dhe shprehu bindjen se “Ju nuk rinovoheni”. Nuk flitet as për qëndrimin e Partisë Socialiste ndaj mohimit të figurës së Enverit, apo rehabilitimit prej saj të ndonjë personaliteti të anatemuar nga komunistët si ajo e Mit`hat Frashërit. Nuk është se këto janë harruar. Memoria e zonjës Nexhmije është, sikurse thashë, për t`u pasur zili.

Por ajo e ka zgjuarsinë që të mos i ngacmojë disa figura, se  e di mirë që në debatin me ta, del e humbur. Realisht, mua më vjen shumë keq që kjo zonjë e moshuar, me bindje se ja kishte kushtuar jetën të mires së popullit, u mbyll për disa vjet në burg. E quaj krejt të padrejtë. Ajo duhej çuar, siç më pati thënë një miku im i kthyer nga arratija e viteve 50 – të, “në ndonjë fshat të Mirditës, vetëm për një javë dhe të mbante si gratë, nënat e motrat tona barrën e druve apo bucelën me ujë në shpinë”. Pra vetëm një javë. Dhe s`kishte pse dënohej e mbyllur në hekura për kafetë e pira, në një vend izolimi ku ironikisht shkruhej “Qendër Riedukimi”. Çfarë riedukimi pritej prej saj? Atë, fati e lidhi me atë që sipas të motrës Fahrije “…që në vegjëli, prekej kollaj”, por që dikush thotë të kundërtën; se ai kur ishte i vogël edhe zogjve ua nxirrte sytë me gjilpërë.

Por kjo nuk ka fare rëndësi; ajo u bë dashje pa dashje bashkëshorte dhe bashkëpërgjegjëse për gjithçka ngjau me ne shqiptarët. Edhe ne nuk presim të dalë kundër atyre mbrapshtive që bënë. Por të paktën duhet të heshtë, ose të mos thotë se demokraci ishte ajo e jona se tani ëhë… Mirë e ka; se nuk e di se ku do të përfundonte gruaja e ndonjë hierarku të vjetër, po të guxonte të shante të parët e vendit. Le pastaj t`i shkruante dhe botonte librat me të pavërteta në seri, duke shpërfillur porosinë e Sokratit se “E vërteta nuk mund të përkufizohet në saj të dobisë personale, të tekave personale e të rastit”. Sidoqoftë, edhe pse botimi i veprave të tilla nuk ka asgjë të mirë, akoma më shqetësuese mbetet mosreagimi i intelektualëve, moskokëçarja nga forcat politike, shoqatat jo qeveritare, shtypi dhe të përndjekurit. Ata me llogjikë të ftohtë, fakte dhe argumente duhet t`i përgjigjen librave të tillë. Se këta libra synojnë të thellojnë përçarjen mes shqiptarëve, duke i mbajtur të ndarë ata në komunistë (të ndershëm) dhe kolaboracionistë, ballistë e fashistë (të poshtër), paçka se gojët e liga duan të thonë se edhe vetë kjo autore, ka qenë ca kohë anëtare e Partisë Fashiste. Dhe kujdes o njerëz, se zonja në fjalë ka lënë një letër testament, ku indirekt thekson se figura e Enver Hoxhës duhet mbrojtur nga përbaltja që i kanë bërë dhe do vazhdojnë t`i bëjnë, armiqtë e përjetshëm të Shqipërisë, antikomunistët, ashtu sikurse e mbrojti atë me sofizmat e saj edhe ajo e vetme. Duke harruar se filozofi Deni Didëro thosh se: “Të vërtetën njeriu e do më fort atëherë kur çdo gjë është e rreme”.

Shënim: Kur po i përfundoja këto shënime, televizionet dhanë lajmin se zonja Nexhmije Hoxha ndërroi jetë në moshën 99 vjeçare. Disa edhe theksonin se ajo, si e veja e diktatorit, po largohej nga kjo botë pa u penduar dhe pa kërkuar falje. Natyrisht, askush nuk ka pse të gëzohet, po të kemi parasysh se E. Kanti thosh se “Te çdo njeri duhet të nderojmë dinjitetin e të gjithë racës njerëzore”. Por kjo nuk do të thotë që të mbyllim sytë para prapësive të kujtdo qoftë. Ndaj, me bindjen se nuk do të keqkuptohem, po e çoj për botim opinionin tim rreth këtij libri, pa dashur të lëndoj njerëzit e dashur të saj, por duke e konsideruar si domosdoshmëri luftimin e një fenomeni që po bën sikur fle.

10 komente në “Sa shumë të pavërteta në librin e zonjës Nexhmije”

  1. cubi.matjan says:

    Shpend te thone, dhe shpend je vertet por, papupla. Dhe, fatkeqesisht Topall.
    Nga ushtarak … ne poet … e shkrimtar…, pastaj permbarues gjyqesor shtetror i koruptuar …; …. .

  2. MAJAKOVSKI says:

    Po kur shkruan edhe I biri prokurorit Hulusi Topollaj qe I sherbyen atij regjimi dhe pas 1990 nderuan fytyren dhe iu bashkuan Saliut dhe Azemit te PD duke u shperblyer per keto deri me detyra ne diplomaci. Enveri beri per 40 vjet ate qe bota e kishte bere per 4 ose 5 shekuj.

  3. I Riu komunisti says:

    Topollaj, nje kalama deficent me te cilin mund te tallesh bythen 24 ore ne 24 ore!
    Konceptet e tij mbi historine, politiken, ekonomine jane te nivelit te gomarit te fshatit! Jane thjesht propagande qesharake e ketyre 30 viteve te fundit.
    C’ti besh, nuk eshte vetem koha e maskarenjve, eshte edhe koha e GOMEREVE ?

  4. Miti says:

    Ajo ishte gruaja e nje sociopati, i cili babait i therriste xhaxha dhe xhaxhait baba. Nje njeri i tille qe nuk pati kurrfare meshire as per kunatin i cili e kishte mbajtur me buke, as per shoket e femijerise, as per shoket e Luftes qe i kishin shpetuar disa here koken, me siguri ka qene sociopat. Nje njeri qe i dergon nje pako “dhurate”me rroba te zeza, nenes se shokut te femijerise te cilin pritej ta denonte me vdekje, ka qene nje monster i krahasueshem vetem me Stalinin. Nje njeri qe kishte merak te madh zhdukjen e eshtrave dhe trupave te njerezve qe vriste kemi patur per udheheqes. Nxjerrja e syve te zogjve me gjilpere ne vegjeli e kompleton te gjithen, dhe nuk me duket aspak “perpjekje per te hedhur balte”.
    Nuk po i futem hipotezave dhe deshmive qe terthorazi e nxjerrin informator te SIM-it gjate pushtimit Italian sepse keto nuk do vertetohen dot kurre.
    Fatkeqesisht, ndetimi i nje demokracie jo-funksionale keto 30 vite, ben qe shume njerez te kujtojne me nostalgji nje regjim te mjerueshem ne te gjithe aspektet, dhe kjo eshte e trishte.

    1. ik ere pirdhu says:

      Eshte e trishte qe gomeret si ti, kane mundesi te perdorin kompjuterin!!!

  5. SHQIPE-FREE says:

    SHKRIM I PERSOSUR..Respekt per Autorin..lol

  6. Illyria-Shqiperia says:

    Sorra si shpendi me I neveritshem nder te gjithe shpendet.

  7. Shpata says:

    Ku jane te pa vertetat? Nuk i gjeta! Autori shpreh mire pikepamjet e tij, Nexhmija ka shprehur te sajat!

    Do te doja te me tregonte me radhe te pa vertetat me fakte! Jo te pa verteta sipas komenteve dhe ideologjive te ndryshme, Jo!

    Autori flet ne menyre “moderne” Hexhmija vazhdon bindjet e saj komuniste per te cilat luftoji gjithe jeten! Une personalisht nuk mendoj si Nexhmija, por Nexhmija ska bere asgje te denueshme per tu denuar!

    Futja e saj ne burg ka qene nje gabim kolosal i nje ideologjije te qelbur shpikur nga Sala me ideologet, lexo : hajdutet, e vet!
    SHqiperia po vuan teper nga kjo ideologji me hakmarrje qe per tridhjete vjet e çoji ne diten e sotme, ne tmerrin e pa parashikuar, ne nje vend korrupsioni pa asnje moral!!
    Nexhmija i pa te gjitha keto dhe sigurisht thoshte ‘çfare bene keta pisa per Shqiperine’?

    Sala dhe “demokracija” ne Shqiperi rane viktime e veseve te qelbura mesjetare te nje injoranti pa shpirt, qe vetem kanunet, hakmarrja dhe kapitalizmi i eger do te ishte zgjidhja! Keta deshtuan ashtu si deshtoji edhe komunizmi ne Shqiperi! Te gjitha keto Nexhmija i jetoji dhe i pa te gjitha pislliqet e Sales Edit, Metes, etj !
    Maskaralleqet, vjedhjet dhe krime pa fund nuk mund tja vinin ne prove ndergjegjen Nexhmijes per te kerkuar te falur ! ! !Ajo nuk kishte perse te kerkonte te falur sepse 30 vjet nuk u be me mire seç kishte bere burri i Nexhmijes !
    Shqiperija sot eshte ne gjendje te perçmuar ! Shqiptaret, po, ata jene te lire! Ndersa Shqiptaret vdesin me kalimin e moshes, Shqiperia mbetet !
    Nuk po zgjatem ne dryshimin midis Shqiptareve dhe Shqiperise, kjo eshte teme tjeter
    Nexhmija u largua nga kjo bote ne momentin me te pershtatshem per te !
    Ajo ka permbushur me sukses te gjitha deshirat e saj ne jete ! Se fundi me nje liber shkruar ne moshen 99 vjeçare, qe me duket heroike, tregoji indirekt qelbesiren e jetes ne keto 30 vjet ne Shqiperi ! ‘Demokradhija » nuk beri aspak me mire se Nexhmija ! !
    Mendoj se ka vdekur e lumtur !

  8. shpendi, biri hulesiut, prokurorit te Enver Hoxhes na eshte bere me pupla dhe shkruan “komente”

    shpendi, ti nuk i vjen as tek maja e vidheve NEXHMIJES,

    ok.

  9. DR says:

    More shpend, por kur ndertimi i veprave qenka detyre dhe e bene cdo qeveri,po keto qeverit e ketyre 30 vjeteve nuk kane ndertuar asgje por vetem kane shkaterruar dhe vjedhur ato qe ndertoj komunizmi? Kjo eshte detyre e ketyre qeverive? Fal hidrocentraleve qe ndertoj komunizmi qe ne kemi drita sot se po te ishte per keto qeveri do kishim vajtur prape ne kohen e kandilit dhe pishes. Bile nje pjese e madhe e energjise qe prodhojne keto hidrocentrale, ne periudha te caktuara, vidhet nga keta qeveritar. Ti topall me dukesh si nje miop politik. Veprat e sistemit komunist jane te paperseriteshme dhe nuk ka bythe njeri ti ndertoj por vetem te vjedhin. Jane pikerisht veprat e komunizmit ne te gjitha drejtimet qe kane pasuruar keta qeveritar dhe politikan. Miliarda para ka dhene bota dhe miliarda jane vjele nga taksat tona po ku kane shkuar, te gjitha ne xhepat e hajduteve qeveritar dhe politikaneve. Bile mund te themi drejte qe me shume kane vrare keta politikan dhe qeveritar ne shqiperi se sa vrau regjimi komunist ne shqiperi per 45 vjete.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje