Pas Valencia-Atalanta e PSG-Borussia Dortmund (u vendos dje), edhe sfida tjetër e Ligës së Kampionëve, Barcelona-Napoli, do të luhet pas dyerve të mbyllura.
Përfaqësuesit e klubit, të qeverisë autonome të Katalonjës dhe Sekretarit të Sportit u mblodhën rreth orës 9 të mëngjesit në Ministrinë e Shëndetësisë, ngjitur me “Camp Nou”.
Gjatë takimit u vendos që ndeshja e kthimit e Ligës së Kampionëve, e planifikuar për të mërkurën, më 18 mars, e vlefshme për 1/8 finale, do të luhet pa praninë e tifozëve.
Qëllimi është, natyrisht, të shmanget përhapja e “Coronavirus”, i cili tashmë ka paralizuar sportin në Itali deri më 3 prill.
Për klubin blaugrana morën pjesë në këtë mbledhje, Oscar Grau, Alberto Soler dhe Ramon Canal, drejtor i shërbimeve mjekësore.
Ministri i shëndetësisë, Laura Pelay, mori pjesë në takim, edhe ministri i sportit, Gerard Figueras, i cili kishte folur tashmë për mbylljen e mundshme të “Camp Nou”.