Mjekë të familjes, kapni telefonat!

23 Mars 2020, 18:40Blog TEMA

Nga Skënder Minxhozi

Kriza e paprecedent e koronavirus ka hyrë në javën më të rrezikshme në Shqipëri. Këtë thonë ekspertët, autoritetet zyrtare dhe përllogaritja e thjeshtë e kohës në të cilën ajo shpërtheu. Është e tepërt të kujtohet se ndodhemi përballë diçkaje që s’e ka parë askush që është aktualisht në jetë, në të gjithë botën. Merkel dhe Conte e quajtën sfidën më të madhe pas Luftës së Dytë Botërore.

Situatë e jashtëzakonshme, masa të jashtëzakonshme. Jemi mbyllur të gjithë brenda në periudhën që historikisht është konsideruar si më e bukura e vitit. Spitalet janë nën stres, lajmet që vijnë nuk janë aspak qetësuese, mijëra njerëzve u është prishur normaliteti i jetës së përditshme. Për pasojë, duhet shtrydhur çdo mundësi dhe çdo rrethanë që ofron ambjenti shqiptar, me qëllim që të shpëtohen jetë.

Sistemi shëndetësor shqiptar ka, ndër të tjera, sipas shifrave zyrtare, rreth 1600 mjekë familjeje. Janë ata persona që çdokush prej nesh i ka pranë shtëpisë ku banon dhe që përbëjnë murin e parë mbrojtës të shëndetit publik. Vetëm në Tiranë kjo shifër shkon diku tek 307 mjekët (pa Kamzën dhe Vorën). E gjithë kjo masë e madhe profesionistësh të shëndetit, mbulon sot diku tek 420 mijë të sëmurë kronikë, të cilët kanë nevojë rregullisht për ilaçe dhe përkujdesje. Është kjo listë të sëmurësh, që për shkak të sëmundjeve dhe moshës, janë sot vala e parë e të rrezikuarve nga Covid 19. Që siç e dimë, vret më së shumti mes të moshuarve dhe atyre që kanë probleme të shtuara shëndeti.

Me një pjesëtim të thjeshtë matematikor, i bie që secili nga këta mjekë familjeje të mbulojë mesatarisht 260 të sëmurë kronikë. Megjithëse duhet thënë se kjo është vetëm një mesatare, pasi ngarkesa që ka secili mjek familjeje nuk është e njëjtë në të gjithë territorin.

Orët e fundit ka pasur një debat që ka nisur tek politika, e ka përfunduar tek ekspertët e mediat, rreth rolit të mjekëve të familjeve. Rreth peshës që ata do të kenë në këtë krizë dhe përfshirjes së tyre konkrete në kontrollin mbi epideminë në terren, aty ku duhet më shumë se askund tjetër. 1600 mjekë të shpërndarë në 12 qarqe, nga Dropulli në Tropojë, nga fshatrat e Tiranës në Këlcyrë, nga Shkodra në Ersekë. Një rrjet i pazëvendësueshëm profesionistësh, që në këto kohë mund të bëjnë shumë më tepër sesa të dërgojnë ilaçet nëpër shtëpitë e të sëmurëve kronikë. Apo të rrinë në pritje se dikush duhet t’i marrë në telefon, kur shumëkush as e ka fare numrin e mjekut të familjes.

Meqë jemi në kohë lufte, le të përdorim fjalorin e luftës. Qasja ndaj kësaj armate doktorësh duhet të jetë proaktive, jo pasive. Nuk e përballin dot dallgën e madhe të telefonatave, thirrjeve gjithfarësh për ndihmë, vetëm linjat telefonike të qeverisjes qëndrore. Nuk e përballojnë dot krizën vetëm spitalet dhe ekipet që i drejtojnë ato. Persona që menaxhojnë këto linjat telefonike të urgjencës së Covid 19, shprehen se këto orë aty po mbërrijnë telefona nga më seriozet, deri tek më absurdet. Nga pleq e të rinj që kanë vërtet nevojë për ndihmë, deri tek kërkesa të tipit “jam një grua shtëpiake, më gjeni dikë se më ka mbaruar bombola e gazit”.

Mjekët e familjes duhet t’i bëjnë realisht me baltë këpucët e tyre në këtë krizë ekstreme. Dhe duhet ta bëjnë këtë duke marrë kontakt me të sëmurët më në nevojë që mbulojnë. Listat i kanë gati, u mbetet vetëm të zgjedhin ata që kanë më shumë diagnoza dhe janë më të moshuar. Kur pyet një të sëmurë sesi ndjehet, ke pyetur praktikisht edhe sesi është më shëndet familja e tij. Një burim i pamasë të dhënash ky, një bankë informacioni që duhet o sot o kurrë, për të perceptuar dimensionet e një krize të cilës i dihet fillimi, por jo fundi!

Mjekët e familjes e dinë më mirë se kushdo historinë e sëmundjeve të familjeve dhe pacientëve që mbulojnë. Ata dinë se cili është më i ekspozuar potencialisht ndaj Covid 19, se cilët të moshuar dhe cilat diagnoza duhen ndjekur me prioritet dhe janë më në rrezik, cilët duhet të pyesin të parët dhe cilët mund të presin edhe pak.

Mjekët e familjeve nuk duhet të presin telefonatat e të sëmurëve, ata duhet të nisin t’i bien vetë telefonave, pasi koha nuk pret për të kuptuar sesa thellë jemi zhytur në këtë krizë tinzare që as shihet me sy, e as preket më dorë. Sikur nga dhjetë telefonata në ditë të bëjnë 1600 mjekë familjeje, i bie që të jenë pyetur nëse kanë kollë apo temperaturë plot 16 mijë familje shqiptare në ditë. Ku e ku më shumë sesa 800 tamponat që janë kryer deri tani, e që nuk e tregojnë, për arsye objektive numrash, përmasën reale të problemit të paprecedent që ka sot Shqipëria. Sa më shpejt, aq më mirë!

Sa për polemikën politike, apo për dafinat që do marrë ky ose ai kamp politik në këtë histori, kjo është një çeshtje absolutisht qesharake dhe cinike në këtë kohë kolere, siç e quajti me të drejtë Edi Rama. Sepse ndodhemi përballë rrezikut konkret, që kur të ketë mbaruar kjo krizë, të mos ketë më njeri për t’i dorëzuar ose për t’i varur në qafë kurorat me dafina!

16 komente në “Mjekë të familjes, kapni telefonat!”

  1. Nardi says:

    Nje shqetesim shume i drejte.
    Mire ne qytet, ne kohen e lejimit te levizjes mund te kontaktosh me mjekun e familjes, po ne fshatra e zona te thella, cfare do te besh?
    Mjeket e familjes ne fshat as qe po shkojne me ne pune.
    I semuri nga fshati, nuk ka mundesi te shkoje ne qytet, pasi nuk mundet te udhetoje per disa ore ne kembe, pasi automjetet nuk po qarkullojne.
    Si do zgjidhet ky problem. Me ke do te kontaktoje banori i ketyre zonave.
    Pra do te mare ne tel 127…

    1. lavazh truri says:

      O njerez, kush ka pas per te vdek, ai do vdesi. Po nuk ka nevoje me lujt mensh te gjithe me nje rrezik qe eshte shume e shume me i vogel sesa fryhet. Paniku dhe panikkerkuesit shkaktojne shume me teper deme sesa vete virusi. Late kokrren e namit, ju ka hyre frika ne palce. Po sikur me pas lufte te vertete, ku do shkonit o lepuj frikacake ? Çfare do benit ? Mblidheni more veten se asgje nuk do ndodhe ! Mos u merni me fallxhorin Rama qe thote se kete jave do kemi vdekje ! Vdekje kemi pasur e do kemi.

  2. Ylli says:

    Mjeket e familjes….jo i dashur Skender ,ata quhen mbushes recetash ose konfirmues ilacesh qe i leshojne te ashtuquajturat Ambulanca te Medha si psh Iraniani ,Arabi e cfare dreqi jane.
    Nuk jane per asgje ,ndoshta nuk kane faj por keshtu eshte sistemi.
    Cfare bejne tani ne rast pandemie ….absolutisht asgje .
    Shikojne lajme ,marrin rrogen ,zbatojne karantinen dhe shkruajne ilaçe ,kryesisht tensioni .
    Cdo e keqe e ka nje te mire dhe shpresoj qe qendrat shendetesore te lagjeve te reformohen dhe te kene rendesine e duhur .
    Per ilacet e nenes te zemres …shkoj ne lagje ,marr rekomandimin ,shkoj te specialisti i zemres ,marr firmen ,shkoj ne spital te qendra konsultore mbyll daten ,marr OK e mjekut kur vjen data ,shkoj prap te specialisti i zemres ,konfirmon vazhdimin e recetes ,shkoj me ne fund te lagjja ,aty mjeku familjar ben shkruesin dhe urrrraaaa ilaçet u shkruan .
    A ka me turp gjithe kjo xhiro ne epoken e internetit ??
    Ky eshte mjeku i familjes….pa turp fare vari karin !!

  3. mjeku i familjes says:

    Z Minxhozi: Ke pare ushtar te vej ne lufte pa arme? Keshtu jane mjeket e familjes pa mbrojtese biles dhe maskat e dorashkat i blejne vete.Amundet te sherbej nje mjek i tille?Qe ne kontaktin e pare me te semurin do semurej vet.Une jam mjek familjeje dhe e njof situaten .Ne jemi vij e pare se ndeshemi me pacientin e semure qe e dergojme te infektivi por nuk na konsiderojme .Nqse ne infektohemi na thote pse vajte te merte 127 .Te pakten te kishim mjetet mbrojtese pa shperblimin nuk ja kerkon kush

  4. Entoni says:

    Ah more Minxhoze,
    Po perpiqesh edhe ti te lash mutin me shurre si politika.
    Me lejo te te rikujtoje se nje mjek familje merr 47.000 leke te reja ne muaj edhe punon 43 ore ne jave. Realizon 40-50 vizita ne dite. Edhe eshte bere preh i denigrimit te Rilindjes, e cila i ka bere mjeket mish per top per te kanalizuar zemerimin e votueseve.
    Ja edhe e depistuan mjeket e familjes situaten e te semureve te tyre ne menyre aktive, po pastaj ku do ta cojne rezultatin. Kush ka nge te merret me lista exceli? Apo bej pune koti mjafton te dukesh sikur je proaktive.
    Pse nuk flisni per problemet reale te mjeksise edhe shoqerise sone.
    A e di ti Minxoze qe e gjithe Tirana ka vetem 3 anestezise edhe 5 infeksioniste. Pse kane ikur mjeket? Po infermieret? Ka ngelur Shqiperia bosh pa personel mjeksor sepse politika po sidomos Rilindja i denigruan totalisht. Ua vrane shpresen!!!
    Kush mbjelle eren do te korre furtunen!!!!
    Mjeket do vazhdojne te bejne detyren por mos kerkoni qiqra ne hell. Ndergjegjsohuni si populle edhe i kerkoni llogari politikes qe investon vetem ne media sociale (FB edhe instafram) por jo ne shendetesi.

  5. Ushtar says:

    Bukur, Shumë bukur!! Nuk është se nuk jam dakord me çfarë shkruan i nderuar, patjetër që mund të angazhohen mjekët e familjes, por…. nuk më kujtohet të kesh shkruar ndonjëherë më parë për këta mjekët e familjes. Në kohë paqeje, a mos vallë kanë shumë ngarkesë në krahasim me kolegët e tyre, qoftë edhe në Ballkan? Po rrogat mos vallë i kanë sa 1/3 qoftë edhe e vendeve të Ballkanit? Dakord jam! Shumë dakord me çfarë kërkon nga mjekët e familjes, dhe ata do të përgjigjen kur t’ia kërkojnë, madje që t’a dini i nderuar, ata ndërkohë po e bëjnë këtë që thoni ju, jozyrtarisht, por në mënyrë njerëzore. Jam dakord me ju, por të lutem mos harro kur nesër, pas kësaj beteje të suksesshme me koronavirusin t’a kemi fituar, të kujtohesh të shkruash për hallet e mjekëve, që veshët e shurdhëta të çdo qeverie, ti thërrasin mendjes dhe t’i paguajnë këta “ushtarë lufte” me shumë dinjitet!

  6. Jimi says:

    Shqetesim vertet real. Tani per tani nuk besoj se ky organizim i miremenduar mund te vihet ne jete. Ky organizim qe per mua duket perfekt per kushtet konkrete te vendit, duhet te jete si nje program, qe ministria e shendetsise heret, apo vone duhet ta marre ne konsiderate per te ardhmen.

  7. xhemal says:

    po ku e di ti o skender qe mjeket e familjes nuk interesohen per njerezit qe kurojne.ju gazetaret ndonjehere jeni ne nje bote krejt tjeter ne ate te dembeleve e gjumasheve. flet vetem ne pergjithesi se ashtu te vjen pa fakte.per te mbushur faqe ne tv.vetem ju gazetaret punoni mire te tjeret rrine duarkryq. ju qe jetoni duke shitur genjeshtra.mire eshte ne kete periudhe te jesh ne shtepi e heshtja do ishte nje ndihen e madhe.uroj qe semundja te shkaketoje sa me pak dhimbje e te dalim me te forte

  8. Luiza says:

    Bravo Z.Minxhozi keni kapur nji problem shume te rendesishem duhet pa tjeter mjeket e familjes duhet te vihen ne levizje se po qendrojne seirxhinj ne kete situat, duhet te interesohen per gjithe pacientet e tyre sipas kartelave mjekedore qe disponojne dhe ne baze te numerit te kartelave marin due pagesen te shkunden dhe te veprojne sic kane dhe emertimin mjeke familje.

  9. Klodi says:

    Po mjeku I familjes ka jashte mase shume shume ngarkese, nga 13 vizita mesatarisht qe duhet te behen e dite, ben rreth 40-50 vizita me nje rroge 500 mij lek te vjetra dhe me presionin per targetin e check up, plus dhe gjobat nga kontrollet. Personaliteti I tyre I denigruar. Pra tani cfare kerkoni ju nga mjeket e familjes, kur nuk I keni vleresuar dhe kujtuar per ata.

  10. Uran says:

    Je disa hapa pas z Minxhozi, mjeket e familjes jane ne vijen e pare te frontit ne luften ndaj covid 19, duke bere filtrimin e personave te semure, duke trajtuar gripin sezonal, te semuret kronike, duke monitoruar te vetizoluarit,duke vazhduar vaksinimin bazal, duke ndjekurfemijet,(ne bashkepunim me infermieret),dhe te siguroj se shumica kryejne me shume se 10 telefonata ne cdo ore te dites dhe te nates .Sigurisht qe bombolat e gazit nuk mund ti nderrojne, ka struktura te tjera per keto pune,por mos harro qe jane me te rrezikuarit ndaj infeksionit(kujto Italine ku kane vdekur 13 mjeke familje) dhe ne nuk besoj se do mbetemi pa prekur por uroj tia dalim.Respekt per gjithe mjeket e personelin shendetesor,ne vecanti per ekipin e Spitalit Infektiv.

  11. Minxhos vs Bixhos says:

    Je I pa besueshem Zotrote. Ne panelin e Kol Balles perballe gjekmarku, lela dhe tjetri na mbrojte te cmendurin tradhetarin e kombit rame vucic bergovic cubrollovicin. Na e mbrojte zotrote qe beri mire qe nuk e mbylli kufirin me italine-pasi vete Italia nuk e kishte mbyll francen dhe fqinjet etj. Me e pshtira zoteri ishe stigmatizimi dhe etiketimi I rinise shqiptare si otomane. Zoteri emrin e ke 25 karat otoman, nga ckrahine vini nuk e dime. Por qenke nje palo orental edhe pse je veshur alla-franga. Edhe kur flet, flet si ruset e siberise. Po ti e keshilloke rame idiotin qe te beje keto reprezale me rinine se ju duket otomane. Jeni e zeza e ketij kombi. Ka 108 vite qe skemi te bejme me otomanet. Po ate emrin Skender nga e ke marre. O I verber nga mendte e kokes (jo syte) po kemi ndenjur dhe jetuar si rusi naroda dhe jo si otoman. Si do qe te jete, je nje sharlatan me terper statistikisht ne mbrojtje te nje laperi kryeminister qe ka burgosur me shume popullin e tij per drita, buke dhe uje sac kane bere te gjitha shtetet europiane te Marra se bashku per te njejten kauze. Shpresoj te vini gishtin kokes dhe te reflektoni.

  12. Piro says:

    Lerini mjeket te bejne ate qe mundin. Mjeti I luftes sot eshte izolimi. Kjo duhet pare, kesaj duhet meshuar. Si ti bejme njerezit te mos dalin. Ne greqi nuk lejohet dalja nga shtepia pa leje. Kjo leje meret permes nje formulari qe plotsohet nga telefoni. Keshtu ndodh dhe ne France. Ne duam ti frenojme njerezit me thirrje: Mos dilni.

  13. Kodra Kuqe says:

    Zoti Skender me sa po lezoj ju nuk keni idene si punohet tek mjeku i familjes. A e dini ju zoti skender qe numrat personal te mjekeve te familjes jane online te hedhur nga FSDKSH ? A e dini ju zoteri qe cdo mjek familje ka te pasqyruar ne kartelen e pacientit numrin e tij te telefonit ? Si mund te thoni ju qe mjeku i familjes nuk e hap telefonin. Mund te rrini nje dite pune ne zyren e mjekut te familjes dhe te shikoni si punon dhe si e menaxhon situaten . Here tjeter ju keshilloj qe para se te beni nje shkrim mire do ishte te kontaktonit edhe me nje mjek familje .

  14. @ says:

    O mjeku i familjes!
    Jepni numrin e tel tuaj tek banoret e lagjes qe mbuloni dhe pergjigjuni telefonatave, te pakten per nje keshille, sepse 127-a nuk mund ti pergjigjet te gjitha kerkesave. Pervecse merrni nje informacion per situaten ne zonen tuaj, e cila ndihmon ne njohjen e situates ne pergjithesi. Edhe nepermjet telefonit mund te ndihmoni direkt te semuret ose te ndermjetesoni me urgjencen qendrore. Mos u fshihni pas telefonit te infermiereve por punoni per te justifikuar rrogen qe merrni nga taksat e qytetareve. Kerkoni edhe masa mbrojtese nga qeveria por mos harroni asnjehere betimin qe keni bere kur jeni diplomuar si mjeke..

  15. vlora says:

    Shkruajti dhe ky gjithollogu.Zoteri je komplet jashte loje.Para se te shkruash per probleme te tilla duhet te konsultohesh me ndonje person te fushes.Mjeket e familjes jane qeliza baze e sherbimit paresor.Ata bejne deri 50 vizita ne dite plus bejne dhe postierin per cekapin.Jane te detyruar tu luten pacienteve qe te bejne cekapin ndryshe po nuk plotesuan numrin marin gjoba.koncesionari as faleminderit nuk u thote.Po creditet qe i blejne e di ti zoteri/? Ti asgje nuk di.Te pakten ketu ka te drejte RAMAqe u thot KAZAN

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje